Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, së bashku me Zëvendësguvernatoren znj. Nesrin Shileku-Shala dhe bashkëpunëtorë, priti në takim Misionin e Asistencës Teknike të Bankës Botërore, të financuar nga SECO, i cili po mbështet BQK-në në procesin e avancimit të mbrojtjes së konsumatorit dhe edukimit financiar. Misioni udhëhiqet nga znj. Oya Ardic Pinar Alper dhe z. Sergio Jose De Mesquita Gomes, Specialistë të Lartë të Sektorit Financiar nga Global Financial Services Sector, së bashku me kolegë.

Gjatë takimit me Misionin u diskutua për bashkëpunimin me Bankën Botërore, me qëllim avancimin e mëtejshëm të kornizës së BQK-së për mbrojtjen e konsumatorit financiar dhe edukimin financiar, si fusha me rëndësi strategjike për forcimin e besimit, transparencës dhe qëndrueshmërisë së sektorit financiar.

Ky angazhim synon të mbështesë zhvillimin e qasjeve moderne, të përafruara me praktikat më të mira ndërkombëtare në fushën e mbikëqyrjes së praktikave dhe sjelljes në treg, mbrojtjes së konsumatorit dhe edukimit financiar, duke kontribuar në forcimin e rolit të BQK-së në promovimin e një sektori financiar të përgjegjshëm, gjithëpërfshirës dhe të orientuar drejt qytetarëve.

Guvernatori Ismaili theksoi se mbrojtja e konsumatorit dhe edukimi financiar mbeten ndër prioritetet strategjike të BQK-së, duke shërbyer për rritjen e njohurive financiare të qytetarëve, promovimin e përfshirjes financiare dhe forcimin e vendimmarrjes së mirëinformuar financiare.

BQK-ja synon të sigurojë që kornizat dhe instrumentet e reja në këto fusha të zhvillohen në përputhje me rekomandimet e OECD/INFE, kornizat përkatëse të Bashkimit Evropian dhe standardet e tjera ndërkombëtare, duke reflektuar një qasje moderne, gjithëpërfshirëse dhe të përshtatur me nevojat e tregut financiar të Kosovës.

Në përmbyllje të takimit, Guvernatori Ismaili shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Bankës Botërore dhe SECO-s, si dhe rikonfirmoi përkushtimin e BQK-së për avancimin e mbrojtjes së konsumatorit dhe edukimit financiar, si pjesë e përpjekjeve më të gjera për forcimin e stabilitetit, integritetit dhe besimit në sektorin financiar.

BQK publikon Dashboard-in me të dhëna të ndara sipas gjinisë për avancimin e gjithëpërfshirjes financiare