Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, i shoqëruar nga zëvendësguvernatorët, priti në takim Misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), të kryesuar nga z. David Amaglobeli, Shef i Misionit për Kosovë, me ekipin e tij, për të diskutuar zhvillimet e fundit makroekonomike dhe financiare në vend, si dhe përgatitjet për Misionin e ardhshëm të FMN-së për konsultimet e rregullta sipas Artikullit IV.

Në hapje të takimit, Guvernatori Ismaili prezantoi zhvillimet e fundit makroekonomike në vend, duke theksuar trendet pozitive të rritjes ekonomike, ecurinë e inflacionit dhe stabilitetin e përgjithshëm të sektorit financiar. Ai gjithashtu informoi ekipin e FMN-së për zhvillimet në sektorin bankar, me fokus në rritjen e kreditimit, nivelin e lartë të kapitalizimit dhe likuiditetit, si dhe sfidat potenciale ndaj stabilitetit financiar.

Nga ana e tij, z. Amaglobeli vlerësoi bashkëpunimin konstruktiv ndërmjet BQK-së dhe FMN-së, duke përgëzuar progresin e arritur nga BQK në forcimin e kornizave institucionale dhe rregullative. Ai theksoi se përkushtimi i BQK-së për reforma të vazhdueshme dhe përafrim me standardet evropiane është thelbësor për ruajtjen dhe forcimin e stabilitetit financiar në vend.

Gjatë takimit, u shkëmbyen qëndrime edhe për asistencat teknike të FMN-së që janë duke u zhvilluar aktualisht me BQK-në, me theks të veçantë mbi progresin e Rishikimit të Stabilitetit të Sektorit Financiar (FSSR). Po ashtu, u diskutuan projektet në proces që lidhen me studimet në zhvillimin e tregut të patundshmërive, analizat e likuiditetit sistemik, kreditimin dhe temat tjera që mund të jenë pjesë e diskutimeve gjatë Misionit të ardhshëm për Artikullin IV.

Guvernatori Ismaili vlerësoi lartë kontributin e FMN-së në mbështetjen profesionale dhe teknike që i ka ofruar BQK-së ndër vite, si në avancimin e kornizës ligjore dhe rregullative, ashtu edhe në ngritjen e kapaciteteve institucionale. Ai ritheksoi përkushtimin e BQK-së për të vazhduar bashkëpunimin me FMN-në në kuadër të projekteve dhe programeve që synojnë avancimin e reformave institucionale dhe përmbushjen e objektivave strategjikë të BQK-së.

Misioni i FMN-së do të qëndrojë në Kosovë nga data 3 deri më 7 nëntor, gjatë së cilës periudhe ekipi nga Washington D.C. do të zhvillojë takime tematike me ekzekutivin dhe personelin e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, si dhe me institucione të tjera të Republikës së Kosovës.

BQK mban punëtorinë informuese mbi kornizën rregullative për licencimin e operatorëve të shërbimeve të kripto-aseteve Banka Qendrore e Republikës së Kosovës mirëpret vlerësimet pozitive të Komisionit Evropian për stabilitetin e sektorit financiar dhe avancimin e reformave institucionale të saj