Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, u mirëprit nga Drejtori i ri i Institutit të Vjenës (JVI), z. Ben Kelmanson. Takimi u fokusua në thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve për të mbështetur zhvillimin e kapaciteteve.

Guvernatori Ismaili shprehu mirënjohjen e tij për mikpritjen e ngrohtë të ofruar nga JVI dhe vlerësoi kontributin shumëvjeçar të Institutit në ndërtimin e kapaciteteve profesionale të stafit të BQK-së. Ai gjithashtu e uroi z. Kelmanson për detyrën e re, duke i shprehur urimet më të mira për sukses në këtë rol të rëndësishëm dhe duke theksuar bashkëpunimin e shkëlqyer që ishte zhvilluar me ish-Drejtorin, Hervé Joly.

Gjatë takimit, Guvernatori Ismaili prezantoi një pasqyrë të zhvillimeve makroekonomike dhe financiare të Kosovës, duke theksuar ecurinë pozitive të vendit dhe Planin Strategjik të BQK-së me nismat kryesore, përfshirë forcimin e kapaciteteve institucionale dhe thellimin e bashkëpunimit me bankat qendrore partnere evropiane, FMN-në, Bankën Botërore dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë.

Nga ana e tij, z. Kelmanson shprehu përkushtimin e tij të fortë për të forcuar më tej bashkëpunimin me BQK-në, në fushën e zhvillimit të kapaciteteve dhe nismave të përbashkëta me interes të ndërsjellë.

Për më tutje, Guvernatori Ismaili dhe z. Kelmanson diskutuan mënyra për të thelluar bashkëpunimin, që mund të përfshijë trajnime të përshtatura, punëtori rajonale dhe programe për të rritur kapacitetet menaxheriale dhe për të mbështetur zhvillimin e liderëve të rinj brenda institucionit.

JVI mbetet platforma kryesore ndërkombëtare e trajnimit për stafin e BQK-së, i cili ka fituar ekspertizë të gjerë përmes programeve që mbulojnë politikat dhe parashikimet makroekonomike, stabilitetin financiar dhe mbikëqyrjen bankare, financat jobankare dhe tregjet financiare, si dhe fusha të reja që po shfaqen, përfshirë teknologjinë financiare dhe qeverisjen.

Instituti i Vjenës (JVI) është një qendër rajonale trajnimi, kryesisht për zyrtarë të sektorit publik nga Evropa Qendrore, Lindore dhe Juglindore, Kaukazi dhe Azia Qendrore. I themeluar në vitin 1992 nga autoritetet austriake (të përfaqësuara nga Ministria Federale e Financave dhe Banka Kombëtare e Austrisë – Oesterreichische Nationalbank), Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe disa organizata të tjera ndërkombëtare, JVI ka luajtur një rol kyç në ngritjen e kapaciteteve profesionale në rajon.

Vizita rikonfirmoi rëndësinë e partneritetit të vazhdueshëm ndërmjet BQK-së dhe JVI-së dhe partnerëve të tij, në avancimin e njohurive, ekspertizës dhe zhvillimit institucional të BQK-së, duke kontribuar kështu në stabilitetin ekonomik dhe qëndrueshmërinë e sektorit financiar të Kosovës.

Çmimi i BQK-së për shkrimin dhe raportimin në gazetari për sektorin financiar Guvernatori Ismaili takohet me znj. Xiaoqing Yu, Drejtore për Ballkanin Perëndimor në Bankën Botërore në Vjenë