Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) me mbështetjen e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Shkollës së Frankfurtit për Financa dhe Menaxhim, ka lansuar përmes një konference nismën për mbështetjen e qasjes në financa për gratë ndërmarrëse “WE Finance Code”. Ky projekt do të ketë ndikim të qëndrueshëm në ghithëpërfshirjen financiare në vendin tonë, në pajtim me orientimet strategjike të BQK-së. Punimet e kësaj konference i nderoi dhe mbështeti me pjesëmarrjen e saj shkëlqesia e saj Presidentja e Republikës znj. Vjosa Osmani Sadriu, me një fjalë përshëndetëse.

Gjatë kësaj ngjarjeje, është nënshkruar Memorandumi i Mirëkuptimit me Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve (ARBK) për të shkëmbyer të dhënat mbi bizneset, veçanërisht ato që janë në pronësi ose bashkëpronësi të grave, si dhe janë nënshkruar solemnisht Letrat e Qëllimit nga institucionet që do të mbështesin me aktivitete konkrete këtë nismë, për një gjithpërfshirje dhe ndikim sa më domethënës në financa dhe ekonomi.

Në fjalimin hapës, Guvernatori z. Ahmet Ismaili, falënderoi pjesëmarrësit duke shprehur kënaqësinë që institucionit që drejton po koordinon këtë projekt në nivel vendi, pasi që sipas tij kjo nismë ofron një mundësi shtesë për të mbështetur qasje në financa dhe gjithëpërfshirje financiare, promovimin e mbrojtjes së konsumatorit dhe forcimi i edukimit financiar për të gjithë, me theks për qasje për gratë ndërmarrëse. Kjo nismë është vazhdimësi e marrëveshjes midis BQK-se dhe BERZH të nënshkruar në tetor të vitit 2024 në Washington D.C..

Guvernatori Ismaili ka treguar se një nga rezultatet kryesore të këtij projekti është përmirësimi i të dhënave të ndara sipas gjinisë, që do të ndihmojë të kuptojmë sfidat me të cilat përballen gratë kur kërkojnë qasje në financa, veçanërisht ato që drejtojnë apo menaxhojnë Ndërmarrje të Vogla dhe të Mesme (NVM). Disa veprime tashme BQK i ka ndërmarrë veprime duke amandamentuar Udhëzuesin për Regjistrin e Kredive me të dhëna shtesë në linjë me këtë projekt. Ai potencoi se BQK-ja do të vazhdoj të avancoj të dhënat mbikëqyrëse që mbledhim nga institucionet financiare, duke përfshirë informacionet kyçe mbi përfaqësimin gjinor brenda këtyre institucioneve, jo vetëm në nivelet drejtuese, por në të gjitha nivelet e organizatave, gjë që do të sigurojë një pasqyrë më të mirë të balancës gjinore në rolet vendimmarrëse dhe do të shërbejë si pikë referimi për të siguruar praktika të drejta në institucionet financiare të Kosovës.

Gjithashtu, përmes këtij projekti, BQK-ja synon të zhvillojë panele të të dhënave që do të raportojnë publikisht mbi treguesit kyç të gjithëpërfshirjes financiare, të cilat do të mundësojnë monitorimin e rregullt të progresit dhe ndarjen e dhënave mbi pjesëmarrjen e grave në institucionet financiare, duke garantuar transparencë dhe llogaridhënie.

Në fund, Guvernatori Ismaili tha se ky projekt nuk është i rëndësishëm vetëm për BQK-në, por është thelbësor për të ardhmen e ekonomisë së vendit tonë, duke theksuar se, kur gratë fuqizohen financiarisht, ato kontribuojnë më shumë në zhvillimin ekonomik dhe krijojnë mundësi që sjellin përfitime për gjithë shoqërinë.

Duke iu drejtuar të pranishmëve, me fjalë përshëndetëse Presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani-Sadriu e cila derisa mbështeti këtë nisme, tregoi përkushtimin e saj për të mbështetur gratë në biznes dhe për të avancuar të drejtat e tyre përmes legjislacionit dhe nismave konkrete të koordinuara me institucionet e vendit.

Ndërsa, Shefi i BERZH-it për Kosovë, z. Sergiy Maslichenko falënderoi BQK-në për angazhimin për gjithëpërfshirje financiare dhe promovimin e barazisë gjinore në sektorin financiar të vendit. Gjithashtu, ai përmendi projektet kryesore që BERZH po zhvillon në vend, me theks tek projektet e sektorit financiar dhe bashkëpunimet e suksesshme me BQK-në.

Gjatë takimeve vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore (BB), që janë mbajtur në vjeshtën e vitit 2024 në Washington D.C., Guvernatori Ismaili dhe Zëvendëspresidenti i BERZH-it, z. Mark Bowman, patën nënshkruar Memorandumin e Mirëkuptimit lidhur me mbështetjen e qasjes në financa për gratë ndërmarrëse në kuadër të kësaj nisme, ndërsa ne dhjetor të vitit 2024 u organizua punëtori informuese me institucionet financiare. Lansimi i sotëm përmes kësaj ngjarjeje, është në funksion të zbatimit sa më të suksesshëm të këtij projekti, për të cilin, BQK shpreh mirënjohjen e thellë për bashkëorganizatorët, institucionet publike, institucionet financiare dhe mbështetësit e saj.

“WE Finance Code” tashmë po zbatohet nga mbi 30 banka qendrore në vende të ndryshme në mbarë botën, përfshirë edhe vendet e rajonit, nder to edhe Republika e Kosovës përmes BQK-së.

Përfundon me sukses Misioni i FMN-së për rishikimin e Marrëveshjes SBA dhe Programit RSF: Vlerësohen lartë reformat e ndërmarra nga BQK-ja dhe stabiliteti i sistemit financiar Banka Qendrore e Republikës së Kosovës përmbylli “Javën Ndërkombëtare të Parasë 2025”