Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) mori pjesë në “Forumi i Pagesave 2025 – ekosistemi i pagesave digjitale në Kosovë”, si partner institucional në kuadër të forumit të nivelit të lartë në temën e ardhmja e pagesave digjitale në vendin tonë, e bashkë organizuar nga Shoqata e Bankave të Kosovës dhe VISA, me pjesëmarrjen e ekspertit të Korporatës Financiare Ndërkombëtare (IFC) pjesë e grupit të Bankës Botërore.

Në fjalën hyrëse drejtuar të pranishmëve, Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, derisa vlerësoi forumin si një nismë e rëndësishme për dialog të hapur për të adresuar avancimet e nevojshme teknologjike në kuadër të ekosistemit financiar,  theksoi se përfshirja financiare fillon me llogarinë, pagesat, si bazë për qasjen në shërbime tjera financiare dhe qasje në financa, me kontribut në ekonominë e vendit.

Në këtë drejtim, Guvernatori Ismaili derisa theksoi avancimet në infrastrukturën ligjore dhe teknike, duke filluar nga llogaria me shërbime bazike që tashmë është në përdorim nga mbi 400 mijë qytetarë, përmendi edhe nismat kryesore për të modernizuar infrastrukturën e pagesave dhe për ta lidhur Kosovën me sistemet e pagesave të Bashkimit Evropian, në linjë me Planit të saj Strategjik 2024-2028, ku inovacioni dhe digjitalizimi janë në qendër të tij.

Duke shpalosur avancimet në kornizës legjislative për të përafruar me kornizën e Bashkimit Evropian, me qëllim të integrimit me sistemin financiar të BE-së, u përmend se tri ligjet kyçe, si dhe mbi 20 rregullore të reja që kanë krijuar bazën ligjore për aplikimin e Kosovës në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA), megjithëse fatkeqësisht, për shkak të mos publikimit të ligjeve në Gazetë Zyrtare dhe hyrjes në fuqi të tyre, e për rrjedhojë edhe rregulloreve të ndërlidhura me to, procesi i aplikimit përkundër progresit dhe punës së kryer me sukses nuk u materializua me aplikimin final dhe marrjen e vlerësimit për anëtarësim në SEPA këtë radhë. Megjithatë, sapo kushtet ligjore të krijohen do të vazhdohet me këtë proces me prioritet absolut.

Një tjetër zhvillim i rëndësishëm, sipas Guvernatorit Ismaili, është projekti TIPS Clone, që po zbatohet nga Banka e Italisë, ku bëjnë pjesë edhe pesë banka qendrore të rajonit. Ky sistem do të mundësojë pagesa të menjëhershme 24/7 brenda sekondave, pagesat përmes telefonit, QR Kodit dhe kërkesës për pagesë (RtP), përfshirë zhvillimet për bankingun e hapur, shërbime që do ta përmirësojnë ndjeshëm përvojën e qytetarëve dhe bizneseve. Kjo infrastrukturë nacionale, do të jetë si bazë kryesore e ndërlidhjes dhe integrimeve të mëvonshme financiare me BE-në, prandaj edhe ishte zgjidhje strategjike për infrastrukturë të pagesave vendore dhe me pas ndërkufitare.

Në të njëjtën kohë, Guvernatori Ismaili theksoi rëndësinë e sigurisë kibernetike në këtë proces transformues, duke bërë të ditur se BQK ka miratuar Rregulloren për Sistemet e Informacionit dhe Menaxhimin e Rrezikut Kibernetik, të ndërtuar sipas standardeve të BE-së. Krahas kësaj, edukimi financiar, mbrojtja e konsumatorit dhe praktikave të ofrimit të shërbimeve financiare janë fusha që kanë vëmendjen e BQK-së, si në aspekt të sensibilizimit për mbrojtje nga rreziqet kibernetike ashtu edhe në kuptim të mbrojtjes së të dhënave personale.

Në fjalën e tij, Guvernatori i BQK-së përmendi edhe arritjen e Marrëveshjen e Bashkëpunimit me Bankën Qendrore Evropiane për luftimin e falsifikimit të kartëmonedhave euro, të parën e këtej lloji dhe në këtë nivel, e cila e forcon më tej integritetin e parasë në qarkullim, sigurinë, sovranitetin monetar dhe stabilitetin financiar të vendit.

Në fund, Guvernatori Ismaili theksoi se BQK-ja në partneritet me IFC-në po zbaton një projekt shumëvjeçar që do të transformojë mjedisin e pagesave dhe shërbimeve digjitale në Kosovë, përmes rritjes së gjithëpërfshirjes financiare dhe përputhjes me standardet evropiane, pikërisht në linjë edhe me tematiken e forumit dhe diskutimet që në vijim do të fokusoheshin në panelin e ekspertëve.

Në kuadër të panelit “E ardhmja e pagesave digjitale në Kosovë”, Zëvendësguvernatori, z. Dardan Fusha diskutoi lidhur me zhvillimet aktuale, si dhe proceset në vijim lidhur me transformimin digjital të sektorit financiar të mbështetur me procesin e integrimit në SEPA, pagesat e shpejta dhe bankingun e hapur. Të gjitha këto shërbime së bashku kontribuojnë në një sistem pagesash me efikas, më të shpejtë, më të sigurt dhe më të qasshëm, duke avancuar digjitalizimin dhe modernizimin e sektorit financiar. Në atë rast, krahas arritjes nga fillimi i përdorimit të GooglePay dhe ApplePay në Kosovë, si dëshmi konkrete të progresit drejt digjitalizimit dhe modernizimit të sistemit të pagesave, u vlerësuan edhe zhvillimet në fushën e pagesave, ku standardizimi i QR Code, lëshimi i IBAN për institucionet financiare jo bankare, si dhe mundësimi i pjesëmarrjes në Sistemin e Pagesave (shlyerjes) sipas legjislacionit të ri të pagesave, do të rris konkurrencën dhe përfshirjen financiare, si objektiva të rëndësishme të BQK-së.

Paneli u kryesuar nga eksperti i IFC-së, z. Matthias Timm dhe pati përbërje të kombinuar me përfaqësues nga VISA, sektori financiar, institucione ndërkombëtare, ku tema kryesore ishte sfida në rregullimin dhe zbatimin e avancimeve drejt të ardhmes se pagesave digjitale.

BQK mbetet plotësisht e fokusuar në avancimin e kornizës ligjore dhe infrastrukturore në fushën e pagesave, si një nder objektivat e saj ligjore, në pajtim me Planin Strategjik të saj, si dhe me bashkëpunim me institucionet vendore, sektorin financiar, partneret kyç ndërkombëtar, për të cilët, shpreh mirënjohjen e veçantë për bashkëpunimin dhe mbështetjen profesionale.

Shefi i Auditimit të Brendshëm, z. Labinot Lekaj panelist në seminarin ndërkombëtar të nivelit të lartë të mbajtur në Mal të Zi Delegacioni i lartë i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës nisi Takimet Vjetore 2025 të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore në Washington D.C.