Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) në bashkëpunim me Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe ekspertët nga Banka Kombëtare e Kroacisë të angazhuar përmes Programit të Ndihmës Teknike dhe Shkëmbimit të Informacionit (TAIEX), po vazhdon aktivitetet për forcimin e luftës kundër falsifikimit të parave edhe përmes punëtorisë së sotme, ku Zëvendësguvernatori për Operacione Bankare, z. Dardan Fusha ritheksoi përkushtimin e BQK-së për avancimin dhe fuqizimin e mëtejmë të kuadrit ligjor dhe institucional për trajtimin e kësaj sfide.

Kjo punëtori paraqet një moment të rëndësishëm në kuadër të iniciativës së nisur nga BQK në nëntor të vitit 2023 për themelimin e grupit ndërinstitucional dedikuar luftës kundër falsifikimit të parave. Me mbështetjen e Zyrës së BE-së, ky grup, i përbërë nga të gjitha institucionet përgjegjëse vendore, ka ndërmarr disa masa afatshkurtra dhe afatmesme në luftimin e falsifikimit të parave.

Ndër arritjet kryesore të këtij bashkëpunimi është përgatitja e një kornize të veçantë ligjore dhe rregullative për forcimin e kapaciteteve të Kosovës në parandalimin dhe luftimin e falsifikimit të parave. Ky projektligj, i përgatitur me ekspertizën e Bankës Kombëtare të Kroacisë dhe në përputhje me standardet e BE-së, synon themelimin e qendrave kombëtare për analizimin, hulumtimin dhe dokumentimin e parasë së falsifikuar në kuadër të institucioneve përkatëse. Për më tepër, i njëjti parasheh krijimin e një sistemi të përbashkët për menaxhimin e informacionit, që do të përdoret nga të gjitha institucionet përgjegjëse në këtë fushë.

Një ndër elementet kyçe të këtij sistemi do të jetë edhe themelimi i Qendrës Kombëtare Kundër Falsifikimit të Parave, e cila do të fuqizojë më tej kapacitetet e Kosovës për të adaptuar standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare në luftën kundër parasë së falsifikuar. Përveç këtyre nismave vendore, BQK po bashkëpunon me Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës për të avancuar procesin e ratifikimit të Konventës Ndërkombëtare për Ndalimin e Falsifikimit të Parave (Konventa e Gjenevës, 20 prill 1929). Ky hap do të fuqizojë bashkëpunimin ndërkombëtar të Kosovës dhe do ta rreshtojë atë përkrah partnerëve globalë në këtë fushë, duke marrë parasysh natyrën ndërkufitare të kësaj sfide që kërkon qasje të koordinuar brenda dhe jashtë vendit.

Përmes këtyre përpjekjeve të përbashkëta, BQK dhe partnerët e saj po forcojnë integritetin e sistemit financiar të Kosovës për një përgjigje sistematike dhe të vazhdueshme, në linjë me aspiratat për hyrjen në BE dhe institucionet e saj.

Guvernatori Ismaili merr pjesë në takimet për Perspektivën Ekonomike të Evropës dhe për takimin për themelimin e Qendrës së FMN-së për Asistencë Teknike në Evropën Juglindore Guvernatori Ismaili merr pjesë si panelist në Forumin Ekzekutiv të Thesarit të Bankës Botërore