Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ri-konfirmoi përkushtimin e saj në gjithëpërfshirjen financiare dhe qasje të barabartë në financa, me rastin e lansimit të Doracakut për Barazi Gjinore dhe Përfshirje Sociale (GESI), të mbështetur nga USAID-i në bashkëorganizim me Shoqatën e Bankave të Kosovës.

Gjatë fjalimit, Zëvendësguvernatorja Znj. Nesrin Shileku-Shala theksoi përpjekjet dhe angazhimet e BQK-së në adresimin e mos-përfshirjes financiare dhe nxitjen e një sistemi financiar gjithëpërfshirës. Ajo theksoi se përmirësimi i qasjes në financa për grupet e pashërbyera apo nënshërbyera, veçanërisht gratë, nuk është vetëm një çështje drejtësie, por edhe një shtytje për përparim më të gjerë shoqëror dhe ekonomik.

Bazuar në objektivat strategjike të BQK-së për periudhën 2024–2028, Zëvendësguvernatorja Shileku-Shala foli për projektet bashkëpunuese me institucionet financiare ndërkombëtare, duke përfshirë iniciativat që synojnë adresimin e sfidave me të cilat përballen grupet e pashërbyera apo nënshërbyera, në mënyrë që të sigurohet pjesëmarrje më e gjerë në sistemin financiar të Kosovës. Në fjalimin e saj, Zëvendësguvernatorja rikonfirmoi rolin e BQK-së për ndërtimin e një ekonomie të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse përmes reformave dhe iniciativave strategjike me partnerët vendor dhe ndërkombëtar.

Zëvendësguvernatori për Mbikëqyrje Financiare i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Sokol Havolli, ka pritur në takim drejtuesit e Fondi Kosovar për Garanci Kreditore.

Në këtë takim, Zëvendësguvernatori Havolli ka diskutuar me drejtuesit e FKGK-së mundësitë për zhvillimin e sektorëve të ekonomisë të cilët kanë qasje më të limituar në produkte financiare.

Nga ana tjetër, drejtuesit e FKGK-së kanë njoftuar për veprimet e marra për të forcuar dritaret e agrobiznesit, si dhe për financimin e bizneseve të udhëhequra nga gratë, instrumente këto që do mundësojnë rritjen dhe zhvillimin më të shpejtë të bizneseve të këtyre kategorive.

Zëvendësguvernatori për Mbikëqyrje Financiare të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, z. Sokol Havolli, ka pritur në takim Kryetarin e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës z. Valon Prestreshi.

Duke shprehur falënderimin për vizitën në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, Zëvendësguvernatori Havolli ka njoftuar përfaqësuesit e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës për zhvillimet e fundit në sektorin financiar të vendit.

Në frymën e bashkëpunimit mes dy institucioneve, duke u bazuar në mandatet ligjore që kanë të dy institucionet, u diskutua avancimi dhe thellimi i mëtejmë i bashkëpunimit, në shkëmbimin e informatave dhe zbatimit të Memorandumit të Bashkëpunimit në mes të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës dhe Autoritetit Kosovar të Konkurrencës,.

Nga ana tjetër, Kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës z. Valon Prestreshi vlerësoi lart zhvillimet pozitive në sektorin financiar dhe konfirmoi gatishmërinë për  avancimin e bashkëpunimit në mes të dy institucioneve.

Zëvendësguvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Lulzim Ismajli mori pjesë në ceremoninë e lansimit të sigurimeve bujqësore të organizuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në bashkëpunim me Korporatën Financiare Ndërkombëtare (IFC), anëtare e Grupit të Bankës Botërore. 

Me këtë rast, Zëvendësguvernatori Ismajli tha se në fund të vitit 2018, asetet e sektorit te sigurimeve arritën në shumën prej 177 milion eurove dhe përbën vetëm 3% të gjithsej aseteve të sistemit financiar dhe depërtimi i ulët në ekonominë vendore me një raport rreth 1.4% të primeve të shkruara ndaj Bruto Prodhimit Vendor, tregon që sektori i sigurimeve nuk po e përmbush potencialin e vet dhe që shumë ekonomi familjare dhe ndërmarrje janë të pasiguruara ndaj rreziqeve kryesore. 

“Në funksion të rritjes dhe fuqizimit të këtij sektori dhe mbrojtjes së interesave të policëmbajtësve, BQK-ja në vazhdimësi angazhohet në përmbushjen përgjegjësive të saj ligjore si autoritet licencues, rregullues dhe mbikëqyrës. Sigurimi i produkteve bujqësore është një mjet i rëndësishëm i menaxhimit të rrezikut në bujqësi, pa anashkaluar teknikat tjera si metoda të sigurta të prodhimit dhe investimeve ne teknologji. Si rrjedhojë, një mbështetje nga sektori i sigurimeve, do të krijonte një sistem duke rezultuar përfitues për të gjithë sektorët e ndërlidhur – bankat të rrisin kreditimin e bujqësisë duke përdorur sigurimin e produkteve bujqësore si një mjet për të ulur rrezikun, siguruesit të rrisin portofolin e tyre siguruese me produkte vullnetare duke rritur të hyrat e tyre, fermerëve duke ju lehtësuar qasja në financimin e këtij sektorit, dhe rrjedhimisht në rritjen dhe zhvillimin e mëtutjeshëm të tij”, deklaroi Zëvendësguvernatori Ismajli duke shtuar se sigurimi i produkteve bujqësore mbetet një alternativë e duhur dhe e nevojshme, andaj duhet t’i kushtohet vëmendje e veçantë dhe t’i sigurohet mbështetje institucionale.

Zëvendësguvernatori i BQK-së për Mbikëqyrje Financiare, Sokol Havolli ka mbajtur një ligjëratë para studentëve të Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, në kuadër të “Javës Ndërkombëtare të Parasë në funksion të edukimit financiar”.
Zëvendësguvernatori Havolli, ka informuar studentët e këtij Universiteti rreth funksionimit të Bankës Qendrore të Kosovës dhe ndikimit që ka ky institucion në zhvillimin ekonomik të vendit.

“Secili qytetar i Kosovës ka lidhje të drejtpërdrejtë më rolin e Bankës Qendrore. Për 20 vjet të funksionimit të suksesshëm të BQK-së si prej pikëpamjes së institucioneve vendëse dhe ndërkombëtare mbetet institucion kredibil dhe profesional në kryerjen e detyrave që i kërkon ligji. Pos këtij angazhimi, BQK-ja jep edhe këshilla për institucionet publike, qeverinë dhe kuvendin për politikat fiskale dhe ato zhvillimore. Banka Qendrore është ajo që rregullon, mbikëqyr, licencon të gjitha institucionet. Çdo bankë që operon në Kosovë është e licencuar nga BQK-ja dhe ky licencim i ka hapat e paraparë”, ka deklaruar Zëvendësguvernatori Havolli.

zvghavolli1JPG.jpg

Një theks i veçantë i ligjëratës i është kushtuar edhe zhvillimeve në sektorin bankar, ku Zëvendësguvernatori Havolli ka thënë se në Kosovë niveli i kredive të këqija është nën 3% dhe se BQK-ja ka ndërmarrë masa ndaj cilitdo institucion financiar që ka bërë shkelje ndaj konsumatorëve.

“Ka pas raste kur sistemet nxjerrin edhe gabime, BQK-ja ka marrë masa ku ka detyruar operatorin për kosto shtesë të kthehet nëpër çdo klient individualisht. Ligjet e reja që jemi duke i fuqizuar, po i bëjmë më qëllim që të mbrojmë edhe më shumë konsumatorin. Ruajtja e stabiliteti financiar dhe sigurimi i qasjes në financa të gjithë qytetarëve janë në fokus të BQK-së, e cila mision të vetin ka që mos të lejojë ardhjen e një situate ku rrezikohet sistemi financiar. Gjithashtu për t’i pasur edhe më të sigurta mjetet e qytetarëve nëpër banka, BQK-ja ka në funksion edhe Asistencën me Likuiditet Emergjent. Ne bëjmë analiza të ndryshe duke përfshirë edhe Stres Testin, që na ka treguar se sistemi financiar në Kosovë është i sigurt”, ka thënë Zëvendësguvernatori Sokol Havolli.
Në këtë ligjëratë, studentët parashtruan pyetje të ndryshme nga sektorët që i ka nën përgjegjësi BQK-ja.
Nga ana tjetër, rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, Agron Bajraktari falënderoi Zëvendësguvernatorin e BQK-së, Sokol Havolli për ligjëratën dhe shprehu gatishmërinë që ngjarje të tilla të organizohen edhe në të ardhmen.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) është angazhuar për ofrimin e një kornize rregullative të harmonizuar me standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare që kanë për synim të sigurojë cilësi të lartë të raportimit dhe auditimit të institucioneve financiare sipas Standardeve Ndërkombëtare të Raportimit Financiar, është shprehur Zëvendësguvernatori për Mbikëqyrje Financiare, z. Milot Cakaj.

Zëvendësguvernatori Cakaj në fjalën përshëndetëse në konferencën “Përtej Numrave: Fuqizimi i sektorit privat përmes vendimmarrjes së bazuar në të dhëna nga Profesionistët”, bashkëorganizuar nga Shoqata e Kontabilistëve të Certifikuar dhe Auditorëve të Kosovës (ShKÇAK) dhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), ka shtuar se BQK-ja është e përkushtuar që të avancohet cilësia e auditimit të institucioneve financiare. Kjo duke përfshirë trajnimet dhe certifikimet nga institucionet e specializuara në këtë fushë si dhe përmes miratimit të auditorëve të jashtëm të certifikuar dhe me kompetencë për institucionet financiare që licencon, mbikëqyrë dhe rregullon. Raportet e auditimit janë instrumente me rëndësi në procesin mbikëqyrës që realizojmë. 

Sipas Zëvendësguvernatorit Cakaj, institucioni më i lartë financiar në vend bashkëpunon ngushtë me autoritetin licencues, rregullativ dhe mbikëqyrës të auditorëve dhe firmave të auditimit sikurse është Këshilli Kosovar për Raportim Financiar për të promovuar ngritjen e cilësisë së funksioneve mbikëqyrëse dhe të raportimit financiar, ku sipas ligjit, BQK ka edhe përfaqësuesin e saj në këtë Këshill.

Gjatë kësaj konference, Zëvendësguvernatori Cakaj theksoi se BQK-ja angazhohet që të ketë qasje në të dhëna dhe informacion konkret dhe rishikon aktivitetet e përgjithshme të institucioneve financiare, duke përfshirë ato që realizohen nga palët e treta që mbështesin operacionet e tyre kritike.

Në fund, Zëvendësguvernatori Cakaj është shprehur se të dhënat digjitale ofrojnë përfitime të mëdha krahasuar me metodat tradicionale të raportimit duke ofruar një qasje më të efektshme, të saktë dhe transparente, ndërsa BQK është duke punuar në krijimin e një kornize për zgjerimin e shërbimeve financiare digjitale dhe ekosistemit të FinTech në vendin tonë.

Banka Qendrore e Hungarisë (Magayar Nemzeti Bank – MNB) organizoi në Budapest takim për zëvendësguvernatorët e vendeve të Ballkanit Perëndimor për të diskutuar përgatitjet e nevojshme për anëtarësim në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA).

Gjatë këtij takim të mbajtur më 18 nëntor 2024, u diskutuan sfidat me të cilat ballafaqohen bankat qendrore lidhur me përmbushjen e kërkesave të SEPA dhe ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme, si dhe roli mbështetës i MNB-së  për këtë proces integrues.

Përfaqësuesit e MNB-së paraqiten përvojën e tyre, duke u fokusuar në aspektet teknike të integrimit në SEPA dhe kornizën e tyre si një model për pajtueshmëri me kërkesat e SEPA, duke përfshirë infrastrukturën dhe operacionet bankare.

Hungaria, e cila kryeson Presidencën e Bashkimit Evropian që nga 1 korriku 2024, ka për prioritet mbështetjen e procesit të zgjerimit të BE-së, në veçanti lidhur me integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Prandaj, MNB shprehu zotimin e saj për t’i mbështetur bankat qendrore të rajonit në tejkalimin e sfidave që lidhen me funksionet e bankingut qendror, me fokus mundësimin e pagesave nëpërmjet SEPA dhe procesin e integrimit në zonë.

Procesi i integrimit në SEPA paraqet sfida dhe është mjaftë kompleks si për bankën qendrore ashtu edhe për bankat dhe ofruesit tjerë të shërbimeve të pagesave. Megjithatë, ky proces është një hap thelbësor drejtë integrimit të mëtejmë me BE-në dhe rajonin, si dhe për forcimin e procesit të përgjithshëm integrues me BE-në.

Temat e trajtuara gjatë këtij diskutimi u vlerësuan lartë nga të gjithë pjesëmarrësit, duke e cilësuar këtë një mundësi të rëndësishme për thellimin e bashkëpunimit rajonal dhe me vendet e BE-së, në funksion të avancimit të infrastrukturës financiare dhe ofrimit të shërbimeve financiare më efikase për qytetarët dhe bizneset e rajonit tonë.

22.12.23-1024x683

Zëvendësguvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, z. Dardan Fusha ka pritur në takim Zëvendësguvernatoren e Parë të Bankës së Shqipërisë, znj. Luljeta Minxhozi.

Në këtë takim të dy Zëvendësguvernatorët diskutuan lidhur me zhvillimet e sektorit financiar në të dy vendet, me fokus avancimin e infrastrukturës së shlyerjes së pagesave dhe letrave me vlerë, si dhe për aktivitetet e dy institucioneve në funksion të realizimit të objektivave të tyre për ndërtimin e sistemeve për procesimin dhe shlyerjen e pagesave të shpejta në vend.


Në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet dy bankave qendrore respektive, Zëvendësguvernatorët Fusha dhe Minxhozi diskutuan lidhur me përgatitjet dhe punën e përbashkët që po bëjnë, si dhe mundësinë në shkëmbimin e përvojave në aspekt të përgatitjes së kornizës ligjore dhe infrastrukturore teknike për projektin për integrimin e Ballkanit Perëndimor në skemën e pagesave SEPA dhe sistemin e pagesave të shpejta të Bashkimit Evropian (TIPS).

Gjithashtu, pjesë e diskutimit ishin sfidat dhe mundësitë e mbështetjes për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në platformat e pagesave ndërkombëtare, për çfarë përvoja e Bankës së Shqipërisë dhe mbështetja e vazhdueshme është për t’u vlerësuar.

Znj. Minxhozi shprehu gatishmërinë për mbështetjen e BQK-së në realizimin e objektivave dhe planeve të institucionit më të lartë financiar në vend, si dhe në nismat konkrete, të cilat ndihmojnë lehtësimin e lëvizjes së lirë të mallrave, shërbimeve dhe kapitalit ndërmjet dy shteteve tona.

Në fund, z. Fusha shprehu mirënjohjen e BQK-së për mbështetjen e vazhdueshme të Bankës së Shqipërisë në të gjitha nivelet e bashkëpunimit, në rrugëtimin drejtë zhvillimeve të qëndrueshme dhe afatgjata.

bqk-bankofitaly-1024x683

Zëvendësguvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, z. Dardan Fusha me ekipin e tij priti në takim përfaqësuesit e Bankës së Italisë (Banca d’Italia), z. Gianluca Maddaloni dhe z. Roberto Zuccala, si pjesë e misionit për mbështetjen e BQK-së në fushën e operacioneve me para të gatshme, në kuadër të Programit për Fuqizimin e Kapaciteteve të Bankave Qendrore të vendeve të Ballkanit Perëndimor për Integrim në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore dhe Banka Qendrore Evropiane (ECB) i financuar nga Bashkimi Evropian.

Qëllimi i kësaj vizite pune dyditore është në mbështetje të BQK-së për avancimin e infrastrukturës ligjore dhe teknike, si dhe praktikave për operacionet me para të gatshme, si vijim i misionit paraprak për këtë qëllim të realizuar në nëntor të vitit 2023, ku u shqyrtua korniza ligjore e BQK-së për çështjen e operacioneve me para të gatshme.

Zëvendësguvernatori Fusha gjatë këtij takimi njoftoi përfaqësuesit e Bankës së Italisë lidhur me aktualitetet në sistemin financiar të vendit, objektivat dhe Planin Strategjik të BQK-së, përfshirë planin për avancimin e luftimit të dukurisë së parave të falsifikuara dhe modernizimin e sistemit të pagesave dhe synimin për anëtarësimin në Zonën e Vetme të Pagesave Euro të BE-së (SEPA).

Me këtë rast, Zëvendësguvernatori i BQK-së shprehu vlerësimet dhe konsideratat më të larta për mbështetjen e Italisë ndaj Kosovës, me theks të Banca d’Italia ndaj Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, që përmes projekteve të ndryshme ka kontribuar në ngritjen e kapaciteteve dhe avancimin e shumë proceseve dhe praktikave në kuadër të BQK-së.

Zëvendësguvernatori Fusha përmendi se është sidomos i rëndësishëm ky mision që ndërlidhet me zhvillimet aktuale lidhur me avancimin e kornizës ligjore dhe aktivitetet e ndërmarra në bashkëpunim me institucionet tjera vendore në luftimin e dukurisë së parave të falsifikuara, si dhe ruajtjen e integritetit të valutës Euro.

Gjithashtu, palët diskutuan lidhur me planet dhe objektivat e BQK-së për digjitalizimin e shërbimeve financiare me fokus uljen e përdorimit të parave të gatshme, në linjë me rekomandimet e takimit të Këshillit Kombëtar të Pagesave. Në kuadër të këtyre aktiviteteve u diskutua edhe procesi i nisur ndërmjet dy bankave qendrore për të studiuar më hollësisht mundësinë e bashkëpunimit në adaptimin e një zgjidhjeje me Bankën e Italisë, për mundësimin e inicimit dhe shlyerjes së pagesave të shpejta në nivel lokal dhe me objektiv final ndërlidhjen me Sistemin e Pagesave të BE-së (TIPS).

Në fund, z. Fusha shprehu mirënjohjen e BQK-së për mbështetjen e vazhdueshme të Bankës së Italisë në të gjitha nivelet e bashkëpunimit, në rrugëtimin drejt zhvillimeve të qëndrueshme dhe afatgjata drejt avancimit të kornizës ligjore dhe infrastrukturës teknike të shërbimeve financiare dhe integrimit me skemën dhe sistemet evropiane të pagesave.

cbk-kas-visa_001-1024x768

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) është duke avancuar kornizën ligjore dhe rregullative për pagesat digjitale, ka deklaruar Zëvendësguvernatori për Operacione Bankare, z. Dardan Fusha në forumin “Pagesave digjitale, sjelljet dhe preferencat e konsumatorëve në Kosovë”, bashkorganizuar nga Shoqata e Bankave të Kosovës (SHBK) dhe VISA.

Zëvendësguvernatori Fusha në fjalën përshëndetëse theksoi se sektori bankar në Kosovë ka bërë përparim të dukshëm në fushën e pagesave digjitale, megjithatë ka ende shumë mundësi për avancim në këtë drejtim. Modernizimi i infrastrukturës së tregut financiar dhe digjitalizimi i shërbimeve janë një ndër shtyllat kryesore të Strategjisë së re të BQK-së.

“Numri i transaksioneve me kartela, i terminaleve ATM dhe POS, perdorimi i kanaleve digjitale, transaksionet në POS, e-banking dhe sherbimet tjera janë rritur dukshem, si rezultat i mundësive dhe progresit nga sektori, pagesat jo-cash arritën në 35 për kokë banori dhe për herë të parë në vitin 2022, transaksionet e pagesave me POS tejkaluan në numër transaksionet me ATM”, theksoi Zëvendësguvernatori Fusha, duke ofruar disa statistika të trendëve dhe ecurisë së këtyre zhvillimeve.

cbk-kas-visa_002-1024x768

“Tregu është hapur për akterë të rinj, duke përfshirë ata të FinTech-ut, në fushën e pagesave dhe emetimit të parave elektronike duke sjellë përfitime dhe më shumë zgjedhje për shërbime për konsumatorët. Këto zhvillime kanë ndikuar edhe në uljen e kostos së remitancave, duke çuar Kosovën nën mesataren rajonale sa i përket kostos së transfereve nga BE-ja”, shtoi Zëvendësguvernatori Fusha.

Zëvendësguvernatori për Operacione Bankare ka potencuar se BQK-ja është duke avancuar kornizën ligjore të shërbimit të pagesave dhe se po punohet në zhvillimin e infrastrukturës së tregut për të rritur ndërveprimin, sigurinë dhe efikasitetin e pagesave.

“Ne po avancojmë kuadrin tonë ligjor dhe rregullator për të mbështetur këto zhvillime. Draft-ligji i ri për Shërbimet e Pagesave, i harmonizuar me direktivat e BE-së është një hap vendimtar, duke krijuar një mjedis më konkurrues dhe gjithëpërfshirës. Kjo është në përputhje me qëllimin tonë strategjik për t’u bashkuar me Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA), e cila do të mundësojë që të qasemi në sistemet evropiane të pagesave, përfshirë TIPS. Hyrja në sistemet e BE-së do të lehtësonte tregtinë dhe do të kontribuonte në krijimin e një sistemi efikas, të sigurt dhe më të integruar të pagesave, që do t’i shërbente më mirë nevojave tona për rritje ekonomike”, ka potencuar Zëvendësguvernatori Fusha.

Po ashtu, Zëvendësguvernatori Fusha nënvizoi se zhvillimet e reja teknologjike dhe digjitalizimi sjellin edhe rreziqe shtesë, të cilat kërkojnë fuqizimin e kapaciteteve mbikëqyrëse.

“Prandaj, BQK në rolin e saj ka parasysh edhe këto aspekte dhe po ndërmerr disa veprime”, u shpreh ai.

“Ritmi i shpejtë i ndryshimit teknologjik sjell edhe rreziqe të reja për sistemet e pagesave. Prandaj, jemi duke punuar vazhdimisht në fuqizimin e mbikëqyrjes së sistemit të pagesave dhe mbrojtjes së konsumatorit. Edukimi financiar i qytetarëve për përdorim të sigurt dhe ofrimi i njohurive rreth rreziqeve të mundshme i fuqizon individët të marrin vendime të duhura, të rrisin besimin e tyre në përdorimin e shërbimeve digjitale dhe i ndihmon ata të njohin dhe shmangin mashtrimet e mundshme”, ka përfunduar Zëvendësguvernatori Fusha.

Në panelin e këtij forumi, Zëvendësguvernatori Fusha para pjesëmarrësve shpalosi disa nga veprimet e fundit të ndërmarra nga BQK, që janë në pajtim me rekomandimet e Këshillit Kombëtar të Pagesave të dala nga takimi i janarit 2024, me pjesëmarrje të gjerë të gjitha palëve, përfshirë sektorin privat, atë publik dhe skemat ndërkombëtare të kartelave.

Skip to content