Bordi i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më 12 qershor 2020,  mori vendimet si në vijim: 

  • Vendim për miratimin e Rregullores për Zbatimin e Sistemit Bonus-Malus;
  • Vendim për miratimin e Rregullores për Mbajtjen e Shënimeve në Fondet Pensionale dhe Ofruesit e Pensioneve;
  • Vendim për miratimin e Rregullores për Regjistrimin e Institucioneve Mikrofinanciare;
  • Vendim për miratimin e Raportit Vjetor 2019;
  • Vendim për miratimin e Pasqyrave Financiare Vjetore 2019.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti është takuar me ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica.
Në këtë takim është diskutuar për lehtësimin e qasjes së pensionistëve në marrjen e pensioneve.
Me këtë rast, të dyja palët janë dakorduar për mekanizmat që do t’u mundësojnë të gjithë pensionistëve në Republikën e Kosovës, tërheqjen e pensioneve dhe kryerjen e shërbimeve tjera përmes kartelave bankare.
Këto masa do t’u mundësojnë pensionistëve që të shmangin rrezikun e ekspozimit ndaj Covid-19 dhe rreziqeve tjera shëndetësore përmes pritjeve të gjata nëpër sportele bankare.
Gjithashtu Guvernatori Mehmeti dhe Ministri Reçica u pajtuan për të filluar diskutimin për gjetjen e mundësive për t’i liruar plotësisht pensionistët nga të gjitha tarifat e tanishme që bankat aplikojnë.

Për shkak të rritjes së rasteve me të infektuar nga COVID 19 dhe rekomandimeve nga IKSHP dhe Ministria e Shëndetësisë, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës njofton se shtyhen për një afat të pacaktuar procedurat e rekrutimit dhe seleksionimit të kandidatëve që kanë aplikuar në konkurset si në vijim:

“Statisticient i Ri” dy pozita , shpallur me datë 29 shkurt 2020, e ku afati i fundit për aplikim ka qenë data 16 mars 2020 si dhe pozita “Zyrtar për Integrime Evropiane dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar” i cili është shpallur me datën 06 qershor 2020 dhe ka përfunduar me datën 22 qershor 2020.

Për çdo njoftim të ri rreth këtij aktiviteti do të njoftoheni me kohë!

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti i shoqëruar nga Zëvendësguvernatori Sokol Havolli është takuar me Kryeministrin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti dhe Ministren e Financave, Hykmete Bajrami.

Në takimin ku merrnin pjesë edhe drejtuesit e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK) është diskutuar për ecurinë e procesit të zbatimit të nismës së Qeverisë së Kosovës për t’ua krijuar qytetarëve mundësinë që t’i tërheqin 10 për qind të kursimeve të tyre pensionale nga FKPK-ja, me qëllim të zbutjes së pasojave ekonomike të shkaktuara nga pandemia Covid 19.

Me këtë rast, të gjitha palët u dakorduan të përshpejtojnë veprimet për ta lehtësuar këtë proces, duke u krijuar qytetarëve qasje më të lehtë në të dhënat e tyre dhe në shtjellimin e ecurisë së tërheqjes së kursimeve të tyre personale, pas ndryshimeve të nevojshme ligjore.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti dhe Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti kanë përuruar zyrat shtesë të BQK-së.

Guvernatori Mehmeti tha se përurimi i këtyre zyrave po bëhet në 30 vjetorin e deklaratës së 2 Korrikut që ishte edhe pikënisje për përpjekjet për pavarësinë dhe forcimin e shtetit të Kosovës.

“Sektori financiar vazhdimisht është në rritje, prandaj kjo detyrimisht na imponon nevojën që t’i rritim kapacitetet e Bankës Qendrore. Nga sot këto zyra janë funksionale dhe mundësojnë që stafi i BQK-së të ketë kushte më të mira të punës dhe krejt kjo falë mirëkuptimit, bashkëpunimit dhe përkrahjes së kryetarit të Komunës së Prishtinës. Gjithashtu, shfrytëzoj rastin ta falënderoj edhe Kuvendin Komunal që ka përkrahur iniciativën e Kryetarit”, deklaroi Guvernatori Mehmeti.

Nga ana tjetër, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti shprehu kënaqësinë për këtë projekt ku përmes investimeve i është rritur vlera objektit.

“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës është një prej institucioneve më të rëndësishme për neve dhe ka qenë diskutim gati 3 vjeçar me kërkesën që së pari të ndërtohet një kat në Bankën Qendrore, për çka edhe kemi formuar një komision me Fakultetin e Arkitekturës dhe me ekspert që kanë rekomanduar që të mos bëhet edhe një kat për shkak se do t’ia ndryshonte pamjen njërit prej objekteve që është më së shumti i paraqitur nëpër fotografitë e Prishtinës. Atëherë ne kemi shkuar me zgjidhjen tjetër që është pronë e Komunës së Prishtinës, ku ka qenë e vendosur për vite të tëra Drejtoria e Infrastrukturës dhe kemi vendosur që objekti që ka qenë me shumë probleme t’ia ofrojmë Bankës Qendrore të cilët edhe ia kanë rritur vlerën objektit të Komunës së Prishtinës sepse kjo ndërtesë nuk mbetet më vetëm një kthinë e errët me plotë probleme, po mbetet reprezentative sikur që është edhe BQK-ja”, deklaroi Kryetari Ahmeti.

Numri i stafit që do të vendoset në këto zyra do të jetë 60, ndërsa vlera e investimeve të bëra arrin në shumën e mbi 500 mijë eurove.

Ekonomia në kohë Pandemie, ndikimet e COVID-19 në ekonominë vendore dhe ndërkombëtare

Në funksion të nxitjes së hulumtimeve mes ekonomistëve të rinj të Kosovës, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka krijuar mundësinë e dhënies së një çmimi për studimin më të mirë të paraqitur nga ekonomistët e rinj.

Punimet për këtë çmim duhet të jenë në fushën  e sektorit financiar dhe zhvillimit ekonomik në Kosovë, me theks të veçantë, duke iu përshtatur rrethanave të reja të krijuara gjatë vitit 2020-të në vend dhe ekonominë globale. Duke vlerësuar relevancën e rrethanave të krijuara nga COVID-19, kësaj radhe tema që duhet të shtjellohet është si në vijim:”Ekonomia e Kosovës në kohë Pandemie, ndikimet e COVID-19 në ekonominë vendore dhe ndërkombëtare”.

Lidhur me këtë, BQK-ja do të organizojë një ngjarje të veçantë për shpalljen e punimeve më të mira të dorëzuara, siç përcaktohet në tekstin vijues;

Rregullat e pranimit:

1. Tema e dorëzuar duhet të plotësojë kriteret e një pune shkencore. Ajo mund të jetë në formën e një teme diplome (bachelor), temë diplome pasuniversitare (master) apo në formën e një teze doktorature (PhD).

2. Autorët  për këtë aplikim të përgatitin temën ekskluzive, punimin që mund ta përfundojnë gjatë fazës së konkursit të hapur të aplikimit . Në konkurrim me punimin e dorëzuar  kandidati  duhet të jetë autori kryesor.

3. Tema duhet të jetë e shkruar në gjuhën shqipe ose gjuhën angleze.

4. Formati: punimi i dorëzuar nuk duhet të ketë më shumë se 25 faqe, lloji i shkrimit të jetë Times New Roman 12, hapësirë dyfishe.  Përmbledhja ekzekutive nuk duhet të jetë më e gjatë se një faqe dhe lista e të gjitha referencave duhet t’i bashkëngjitet punimit.

5. Komisioni përzgjedhës i përbërë nga stafi i BQK-së dhe një përfaqësues nga fusha akademike, jo vetëm që përzgjedh punimet që do të publikohen nga BQK-ja, por mund edhe të sugjerojë një ose më shumë nga ekonomistë e rinj konkurrues për t’u shpërblyer me çmim.

Komiteti përzgjedhës do të gjykojë punimet duke përdorur kriteret e përgjithshme të miratuara nga drejtuesit e BQK-së: (a) interesi i subjektit në ekonominë kosovare, ndërkombëtare (b) cilësia e hulumtimit shkencor apo sinteza, dhe (c) cilësia e të shkruarit. Përveç kësaj, hulumtimet dhe shkrimet e të tjerëve të përfshira në punimin e paraqitur duhet të identifikohen mirë në fusnotat dhe referencat bibliografike.

6. Çmimi i parë do të shpërblehet me 1000 euro, çmimi i dytë me 700 euro dhe çmimi i tretë me 500 euro.

7. Pa paragjykuar Rregullën nr.6 vendimi përfundimtar për numrin e shpërblimeve varet nga cilësia e punimeve të paraqitura dhe do të merret në fund nga komisioni përzgjedhës. Prandaj nuk është e detyrueshme që numri i shpërblimeve të jetë një ose më shumë se një.

8. Fituesit e çmimeve të mëparshme dhe punonjësit aktualë të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, nuk mund të aplikojnë me punimet e tyre në këtë konkurs.

9. Studentët e interesuar për aplikim mund të aplikojnë:

– Duke dorëzuar punimet e tyre në version elektronik (pdf), në [email protected]

 të shoqëruar nga tri kopje me shkrim të dërguara në adresën e mëposhtme: Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), Attn. Çmimi i BQK-së për Ekonomistët e Rinj, Rruga Garibaldi nr 33, Prishtinë, Republika e Kosovës.

– Emrin e udhëheqësit të Temës dhe Universitetin/Fakultetin përkatës.(Në rast se studentët bashkëpunojnë me pedagogët e tyre gjatë punimit të temës)
– Kopjen e letërnjoftimit.

10. Data e fundit për dorëzim do të jetë: 15 shtator 2020.

Bordi ekzekutiv i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës në mbledhjen e mbajtur me 29 korrik 2020 ka marrë vendim për uljen e përkohshme të sigurimit kufitar të autopërgjegjësisë.

Ky vendim i marrë nga menaxhmenti i BQK-së ka ardhë pas shqyrtimit të raportit aktuarial të datës 16 korrik 2020 të Byrosë Kosovare të Sigurimit dhe raportit aktuarial të BQK-së mbi adekuatshmërinë e tarifave të sigurimit kufitar nga autopërgjegjësia, dhe është vlerësuar se ekziston bazë e mjaftueshme për ndryshimin e tarifave të primeve të sigurimit kufitar të autopërgjegjësisë për automjete dhe motoçikleta për udhëtarë.

Me anë të këtij vendimi Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, kërkon nga Byroja Kosovare e Sigurimeve që në emër të anëtarëve të saj, siguruesve të licencuar për sigurimin e detyrueshëm nga autopërgjegjësia, të ulë përkohësisht tarifat e sigurimit kufitar të autopërgjegjësisë për grupet tarifore të autoveturave dhe motoçikletave për 35 përqind.

Poashtu me anë të këtij  vendimi kërkohet që aplikimi i tarifave të reja të policave kufitare të zbatohet nga data 1 gusht 2020 deri më 31 dhjetor 2020.

Zëvendësguvernatori për Mbikëqyrje Financiare i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Sokol Havolli dhe ministrja e Financave, Hykmete Bajrami kanë nënshkruar marrëveshje me komisionerin për Ekonomi të Bashkimit Evropian, Paolo Gentiloni.

Me anë të marrëveshjes së kredisë për asistencë makro-financiare Kosova ka përfituar 100 milionë euro.

Marrëveshja e nënshkruar vjen pas hapjes së mundësisë së përfitimit nga kjo skemë e Bashkimit Evropian edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor. 

Nënshkrimi i kësaj marrëveshje ndërlidhet me ndihmën nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili në prill të vitit 2020 miratoi Instrumentin e Financimit të Shpejtë për Kosovën, në vlerë prej 51.6 milionë euro.

Kredia e marrë do të ndihmojë Kosovën në Planin për Rimëkëmbje Ekonomike dhe në zbatimin e masave emergjente. 

Një pjesë e disbursimit varet nga plotësimi i disa kritereve të cilat Qeveria e Kosovës është zotuar që t’i realizojë me përpikëri, pasi që të njëjtat i ndihmojnë përmirësimin e Administratës Publike në Kosovë dhe rritjes së Transparencës.

Sipas të dhënave të fundit të raportuara që përfshijnë periudhën deri me 1 gusht 2020, niveli i depozitave tashmë ka kaluar vlerën prej 4 miliardë euro – vlerën më të lartë historike që nga themelimi i sistemit bankar në Kosovë. Në kontekst të strukturës, akoma rreth 60% e depozitave janë depozita pa afat, 27% depozita me afat dhe 13% depozita të kursimit.

Rritja e depozitave në sektorin bankar, me një trend të përshpejtuar gjatë viteve të fundit, pasqyron besimin e klientëve në sektorin bankar, sektor që rregullohet dhe mbikëqyret nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës. Bankat vazhdimisht kanë avancuar platformat e tyre për pagesa dhe klientët tashmë kanë mundësi që të aplikojnë bankingun elektronik. Avancimet në fushën rregullative si dhe mbikëqyrja profesionale, e përafërt dhe dinamike, kanë kontribuar gjithashtu në rritjen e besimit të klientëve ndaj sektorit bankar.

Përveç depozitave, kreditimi bankar ka shënuar rimëkëmbje të plotë duke arritur nivelet e kreditimit të periudhës së njejtë të vitit të kaluar. Kreditë e reja të lëshuara nga bankat vetëm gjatë muajit korrik 2020 kanë arritur vlerën prej 145.0 milionë euro që paraqet vlerë shumë të përafërt me kreditimin e një viti më parë (146.2 milionë euro në korrik 2019) apo edhe duke e tejkaluar mesataren e kreditimit gjatë periudhën korrik 2015 – korrik 2019 (110.1 milionë euro). Rimëkëmbja e kreditimit është reprezentative edhe sa i përket sektorëve, ku rreth 60% e kredive iu janë dhënë bizneseve.

Në mbledhjen e sotme të Bordit Ekzekutiv u mor vendimi për zgjatjen e afatit deri më datë 30 shtator 2020 për paraqitjen e kërkesave për ristrukturim të kredive sipas Udhëzuesit për Ristrukturimin e Kredive për Shkak të COVID-19.

Afati i deritanishëm ka qenë data 31 gusht 2020.

Udhëzuesi për Ristrukturimin e Kredive për shkak të COVID-19 u nxor nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës më 8 qershor 2020 me qëllim të vendosjes së kritereve mbi të cilat duhet të bazohet procesi i ristrukturimit të kredive në kushtet dhe rrethanat e krijuara nga pandemia COVID-19, duke synuar që kredimarrësit në vështirësi financiare të kenë mundësi të përmbushin detyrimet e parapara me kontratë dhe të zhvillojnë aktivitetin e tyre biznesor.

Udhëzuesi në fjalë aplikohet për të gjitha institucionet financiare të autorizuara për të ushtruar aktivitet të kredidhënies në Republikën e Kosovës.

Skip to content