Banka Qendrore e Republikës së Kosovës sipas legjislacionit në fuqi është institucion i pavarur dhe përgjegjës për licencimin, mbikëqyrjen dhe rregullimin e institucioneve financiare në Republikën e Kosovës.

Një ndër objektivat kryesore të saj është që të nxisë dhe të mbajë një sistem financiar stabil, i cili ofron sigurinë e nevojshme për të gjithë shfrytëzuesit e shërbimeve financiare.

Në këtë kuadër, njëra ndër fushat kryesore të përgjegjësisë së BQK-së ka të bëjë me sektorin e sigurimeve, ku BQK në vazhdimësi angazhohet për mbrojtjen e interesave të policëmbajtësve, duke siguruar kushtet e nevojshme që të dëmtuarit të trajtohen në përputhje me kushtet e përcaktuara me kontratën e sigurimit.

Për këtë qëllim, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, duke vepruar në pajtim me legjislacionin në fuqi dhe duke u bazuar edhe në Raportin Vlerësues të Rishikimit të Stabilitetit të Sektorit Financiar 2019 të kryer nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, ka filluar procesin e rishikimit dhe vlerësimit të primit të rrezikut për sigurimin e detyrueshëm nga auto përgjegjësia.

Çmimet aktuale të primeve për sigurimin e detyrueshëm nga auto-përgjegjësia ndaj palës së tretë kanë mbetur të pandryshuara që nga viti 2001.

Në këtë periudhe të gjatë që nga koha kur ato janë përcaktuar, në tregun ku operojnë kompanitë e sigurimeve kanë ndodhur zhvillime të shumta, të cilat në mënyra të ndryshme kanë pasur ndikim mbi kompanitë e sigurimeve si dhe policëmbajtësve dhe e kanë bërë të domosdoshëm inicimin e rishikimit të këtyre çmimeve në mënyrë që ato të reflektojnë në mënyrë më adekuate kushtet e tregut.

Në kuadër te faktorëve kryesorë që kanë ndikuar kushtet e tregut gjatë kësaj periudhe, përfshihen:

  • Rritja e numrit të dëmeve dhe rritja e vlerës së pagesës së dëmeve, posaçërisht të automjeteve të kategorisë I;
  • Rritja e shumës së detyrueshme minimale të sigurimit për kontraktimin e sigurimit të autopërgjegjësisë me hyrjen në fuqi të Ligjit nr.04/L-018 për sigurimin e detyrueshëm nga auto-përgjegjësia në vitin 2011;
  • Efekti i aplikimit të sistemit Bonus-Malus në zbatim që nga viti 2013 dhe që sipas llogaritjeve dhe trendit rënës të të ardhurave të siguruesve për efekt të Bonus Malusit. Sipas kalkulimeve të bëra është projektuar që në fund të vitit 2019 këto të ardhura të zbriten për rreth 19 përqind dhe se 93-94 përqind të policëmbajtësve nuk shkaktojnë aksident prandaj edhe përfitojnë bonus që shkakton edhe të ardhura më të ulëta për siguruesit;
  • Dhe veçanërisht shkalla e inflacionit, e cila ka ndikuar drejtpërsëdrejti në rritjen dhe mbulimit të kostos së dëmeve, si për nga çmimet e riparimit tek dëmet materiale, por edhe si pagë me rastin e kompensimit të fitimit të humbur apo mbajtjes së humbur tek dëmet jomateriale, si pasojë e rritjes së pagës mesatare.

Si rezultat i zhvillimeve të lartcekura, është ndërmarr studimi aktuarial, i cili ka sugjeruar për rritje të tarifave të Kategorisë I (automjete me pasagjerë) për 36.56%. Megjithatë, BQK në vlerësimin e saj ka identifikuar disa faktorë të cilët nuk janë reflektuar plotësisht në raportin aktuarial, prandaj edhe ka refuzuar kërkesën e kompanive të sigurimit për ndryshim të tarifave duke u bazuar në atë raport. Sidoqoftë, BQK-ja vlerëson se kompanive të sigurimit duhet t’u mundësohet përshtatja e tarifave të Kategorisë I për shkallën e inflacionit të ndodhur gjatë periudhës 2002-2018 në mënyrë që këto tarifa të sigurimit të reflektojnë sa më mirë kushtet aktuale të ekonomisë.

Përshtatja e tarifave për kushtet e inflacionit ka ndikim të drejtpërdrejtë në forcimin e qëndrueshmërisë së këtij sektori, duke rritur kështu aftësinë e kompanive të sigurimit për kompensim të drejtë dhe me kohë të dëmeve për policëmbajtësit. 

Prandaj, me qëllim që tarifat e sigurimit të reflektojnë më mirë zhvillimet në ekonominë e vendit dhe në këtë mënyrë të krijojnë kushtet për rritjen e qëndrueshmërisë së sektorit të sigurimeve, si dhe përmbushjes së rekomandimit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për rishikim të tyre, Bordi Ekzekutiv i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më datën 31 tetor 2019, bazuar në nenin 36 paragrafi 1, nën paragrafi 1.17 të Ligjit nr.03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, në pajtim me nenin 8 paragrafi 5 të Ligjit nr. 04/L-018 për sigurimin e detyrueshëm nga autopërgjegjësia, si dhe nenin 5 paragrafi 2, nenin 7, paragrafi 7 të Rregullores për përcaktimin e strukturës së primit për sigurimin e detyrueshëm nga autopërgjegjësia, ka marrë vendim për ndryshimin e tarifave të primit të sigurimit të detyrueshëm nga auto-përgjegjësia për kategorinë e mjeteve për pasagjerë (grupi tarifor I).

Sipas këtij Vendimi, BQK-ja ka kërkuar nga siguruesit që t’i përshtatin tarifat aktuale të primit të sigurimit të detyrueshëm nga autopërgjegjësia për grupin tarifor I, të cilat janë në fuqi që nga data 1 korrik 2001, me normën e inflacionit zyrtar të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës të datës 01.01.2002 deri më 31.12.2018. Përshtatja e tarifës së primeve përkatëse me inflacion duhet të bëhet duke zbritur normën e tatimit në qarkullim prej 5 përqind e cila ka qenë në fuqi deri më 25 korrik 2019 me hyrjen në fuqi të Ligjit nr. 06/L -105 për tatimin në të ardhurat e korporatave, ku siguruesit ju nënshtrohen tatimit në fitim.

BQK-ja do të intensifikojë angazhimin e saj me qëllim që sektori i sigurimeve të jetë në zbatim të plotë të legjislacionit dhe rregullativës në fuqi. Mos zbatimi i kërkesave të tilla nga Siguruesit do të përcillet me masa adekuate administrative, duke mos përjashtuar edhe revokimin e licencave për kompanitë të cilat nuk zbatojnë legjislacionin në fjalë.

Delegacioni i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës i udhëhequr nga Guvernatori Fehmi Mehmeti, ka përfunduar pjesëmarrjen në takimet vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bankës Botërore, të cilat u zhvilluan në Uashington të SHBA-ve nga data 14-20 tetor 2019.

Në takimet vjetore, delegacioni i BQK-së, ka takuar përfaqësues të Thesarit Amerikan, Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Botërore dhe të institucioneve tjera.

Guvernatori Mehmeti, takoi William C. Thomas nga Thesarin Amerikan, të cilin e informoi lidhur me zhvillimet e fundit në sektorin financiar dhe me treguesit e shëndetit financiarë.

Guvernatori Mehmeti shprehu falënderimin dhe mirënjohjen për kontributin e madh që Thesari Amerikan ka dhënë për zhvillimin e kapaciteteve të BQK-së dhe përkrahjen e vazhdueshme përmes asistencave teknike, si dhe përkrahjes në zhvillimin e sektorit financiar të Kosovës.

Ndërkaq, z. Thomas përgëzoi Guvernatorin Mehmeti për të arriturat në sektorin financiar, si dhe konfirmoi përkrahjen e mëtejme për BQK-në nga ana e Thesarit Amerikan.

Në kuadër të këtyre takimeve, Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti është takuar edhe me Zëvendësdrejtorin Menaxhues të FMN-së, Tao Zhang me të cilin kanë diskutuar për zhvillimet e fundit makroekonomike në Kosovë, me theks të veçantë qëndrueshmëria dhe zhvillimet në sektorin financiar.

Me këtë rast Guvernatori Mehmeti ka falënderuar Fondin Monetar Ndërkombëtar për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Kosovës dhe BQK-së në veçanti, si dhe njëkohësisht ka falënderuar z. Zhang për gatishmërinë e FMN-së që të kontribuojë në Konferencën e 20 vjetorit të themelimit të BQK-së që do mbahet në nëntor të këtij viti. 

Guvernatori Mehmeti gjithashtu është takuar me Drejtorin e Departamentit Evropian të FMN-së, Poul Thomsen, me të cilin kanë diskutuar lidhur me zhvillimet e fundit makroekonomike, zhvillimet në sistemin financiar, si dhe sfidat dhe objektivat strategjike dhe zhvillimore, përfshirë edhe bashkëpunimin e Kosovës me FMN-në. 

Gjithashtu, Guvernatori Mehmeti është takuar edhe me ekipin e Misionit të FMN-së për Kosovë, të udhëhequr nga shefi i ri i Misionit, Gabriel Di Bella, me ç’rast e informoi lidhur me zhvillimet e fundit në sektorin financiar, përfshirë treguesit e shëndetit financiar.

Guvernatori Mehmeti falënderoi përfaqësuesit e FMN-së lidhur me raportin e Rishikimit të Stabilitetit të Sektorit Financiar (Financial Stability Sector Revieë) duke shprehur përkushtimin e BQK-së për zbatimin e rekomandimeve që dalin nga ky raport.

Guvernatori Mehmeti ka zhvilluar takime të ndara edhe me Drejtorin e Konstituencës tonë në FMN, Raci Kaya, si dhe Paul Methieu nga Departamenti i Politikave Monetare dhe Tregjeve të Kapitalit të FMN-së ku temë diskutimi ka qenë vlerësimi i FMN-së në kuadër të programit: “Shqyrtimi i Stabilitetit të Sistemit Financiar” dhe rrjedhimisht ofrimi i Asistencës Teknike për BQK-në, përderisa në takimin me përfaqësuesin e Bankës Botërore, Mario Guadamillas janë diskutuar asistencat teknike për Sistemin e Pagesave dhe Hendekut Financiar, si dhe projekte të tjera zhvillimore të BQK-së.

Në takimet e zhvilluara me Zëvendëspresidentin e Bankës Botërore, Cyril Muller dhe me Drejtoreshën e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, Linda Van Gelder temë diskutimi kanë qenë zhvillimet e fundit makroekonomike në Kosovë, politika zhvillimore e kredive (Development Policy Loan DPL), si dhe projektet në proces që kanë të bëjnë me vlerësimin e Sistemit të Pagesave dhe hendekut financiar.

Guvernatori Mehmeti ka falënderuar Bankën Botërore për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë BQK-së në zhvillimin e shumë projekteve me rëndësi për sistemin financiar në Kosovë.

Në të njëjtën kohë, Guvernatori Mehmeti informoi z. Muller lidhur me zhvillimet e fundit në sektorin financiar, si dhe e falënderoi për gatishmërinë e Bankës Botërore që të jap kontributin e saj në Konferencën e 20 vjetorit të themelimit të BQK-së, që do mbahet në nëntor të këtij viti.

Delegacioni i BQK-së i kryesuar nga Guvernatori Mehmeti është takuar edhe me Drejtorin e Konstituencës tonë në Bankën Botërore, Guenther Schoenleitner, si dhe ka marrë pjesë në takimet e ndara të Konstituencës së Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, pjesë e të cilave është edhe Kosova.

Gjithashtu, gjatë ditës së fundit përfaqësuesit e BQK-së kanë marrë pjesë në mbledhjet plenare të Komitetit Ndërkombëtar Monetar dhe Financiar të FMN-së, si dhe në diskutimin e Guvernatorëve dhe Ministrave të Evropës Qendrore dhe Lindore lidhur me parashikimet ekonomike të FMN-së për rajonin.

Takimet vjetore të Bordit të Guvernatorëve të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Grupit të Bankës Botërore, bashkojnë bankierët e bankave qendrore, ministrat e financave, drejtuesit e sektorit privat, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe akademikëve për të diskutuar çështjet e financave të fokusuara në ekonominë globale, zhvillimin ndërkombëtar dhe ato të sistemit financiar botëror.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti ka nënshkruar memorandumin e bashkëpunimit me Presidentin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.

Me anë të këtij Memorandumi të dyja palët nënshkruese janë pajtuar në vendosjen e urave të bashkëpunimit në mes të dy institucioneve, që si pikënisje e kanë nxitjen e bashkëpunimit reciprok në fushën e edukimit financiar për sportistët e rinj, grupmoshat e reja, të cilat do të njihen me fushat e ekonomisë, financave personale, ofrimin e produkteve dhe shërbimeve financiare dhe përfitimeve të tjera reciproke në fushat me interes të përbashkët për qytetarë të Kosovës.

Me këtë rast, Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti dhe Presidenti i FFK-së, Agim Ademi deklaruan se ky Memorandum rrit bashkëpunimin mes dy institucioneve të pavarura, ku me kërkesë të FFK-së, BQK-ja merr pjesë në ligjërata/seminare të organizuara nga FFK-ja, përmes të cilave mund të kontribuojë me tema të edukimit financiar nga të cilat do të përfitonin jo vetëm grupmoshat e reja, por edhe klubet nën ombrellën e FFK-së.

Gjithashtu, palët janë pajtuar që gjatë organizimit të ngjarjeve me karakter ndërkombëtar: “Ditët olimpike”, “Java Ndërkombëtare e Parasë”, “Dita Botërore e Kursimeve” dhe aktiviteteve tjera, BQK-ja të ketë qasje për mbajtjen e ngjarjeve të ndryshme në institucione sportive.

Në nënshkrimin e memorandumit të bashkëpunimit morën pjesë edhe zëvendësguvernatori, Sokol Havolli dhe Sekretari i FFK-së, Eroll Salihu.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti dhe Kryetari i Bordit, Flamur Mrasori po marrin pjesë në sesionin e 30-të të Forumit të Crans Montana-s, që ka nisur punimet në Gjenevë të Zvicrës.
Bashkëpunimi mes vendeve të ndryshme të botës në shumë fusha, përfshirë edhe atë financiare, do të jenë temat kryesore të diskutimeve në këtë forum.

Në margjinat e këtij forumi, Kryetari i Bordit të BQK-së, Flamur Mrasori ishte pjesë e njërit nga panelet qendrore të kryesuar nga Nënsekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Philipe Douste-Blazy, ku temë diskutimi ishte bashkëpunimi financiar, me qëllim të ngritjes së fondeve shtesë për të ndihmuar zhvillimin e vendeve përmes projekteve “inovative” si: mikrokontributet, taksat, partneritetet publike-private dhe transaksionet financiare të bazuara në treg.

Me këtë rast, ka prezantuar para të pranishmëve të arriturat e sektorit financiar të vendit me theks të veçantë rolin e tij në zhvillim e ekonomik të vendit dhe njëherësh ka përmendur mundësitë reale që ekonomia e vendit ofron për investitorët e huaj. 

Iniciativa e Forumit të Crans Montana 2019 synon të punojë në përmirësimin e bashkëpunimit Mesdhe, Evropë dhe në botë, si dhe të mbledhë zyrtarët qeveritarë të këtyre vendeve së bashku me vendimmarrësit e biznesit dhe akterët ndërkombëtarë.

Kryetari i Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës Flamur Mrasori, i shoqëruar nga anëtari i Bordit Behxhet Brajshori, po marrin pjesë në konferencën e 8-të të nivelit të lartë të organizuar nga Banka Qendrore Evropiane me temën: Përgjigja e vendeve të Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore ndaj ndryshimeve në fushën tregtare dhe financiare.

Fjalën mirëseardhëse për pjesëmarrësit e kësaj konference e ka mbajtur presidenti i BQE-së, Mario Draghi, kurse folëse kryesore është drejtoresha menaxhuese e FMN-së, Christine Lagarde.

Kjo konferencë vjetore është e nivelit të lartë, e cila kësaj radhe është organizuar në dy sesione kryesore me tema shumë të rëndësishme dhe me folës nga institucione të larta financiare botërore si FMN-ja, Banka Botërore, BERZH-i, përfaqësues të institucioneve të Bashkimit Evropian, si dhe përfaqësues të Bankave Qendrore të vendeve të ndryshme evropiane.

Bazuar në kompetencat dhe përgjegjësitë e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, që rrjedhin nga neni 36 dhe 67 i Ligjit për BQK-në, si dhe në pajtim me nenin 16, nenin 99, nenin 100 dhe nenin 124 të Ligjit për Sigurimet, në takimin e mbajtur më datë 26 prill 2019, Bordi Ekzekutiv i BQK-së ka marrë Vendim që Kompanisë së Sigurimit “Insig” SH.A., Dega Kosovë, t’i revokohet Licenca nr. 003 e datës 25 mars 2002, e lëshuar nga Autoriteti Bankar dhe i Pagesave të Kosovës (BPK), paraardhëse ligjore e BQK-së. 

Kompania e Sigurimit  “Insig” SH.A., Dega Kosovë, ka pasur vështirësi financiare në përmbushjen e kërkesave ligjore të BQK-së për sa i përket mjaftueshmërisë së kapitalit dhe aftësisë paguese – Solvencës. 

Në funksion të përmirësimit të gjendjes financiare dhe përmbushjes së kërkesave ligjore dhe rregullative, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, përkatësisht Bordi Ekzekutiv i BQK-së në pajtim me legjislacionin në fuqi, në mënyrë të vazhdueshme ka bërë përpjekje për të sanuar gjendjen financiare të Kompanisë së Sigurimit “Insig” SH.A., Dega Kosovë. 

Megjithatë, përkundër gatishmërisë dhe përpjekjeve të BQK-së, Bordi dhe Menaxhmenti i Siguruesit nuk ka arritur t’i përmbushë kërkesat ligjore dhe përmirësimin e gjendjes financiare të Kompanisë. 
Në të njëjtën kohë, Aksionari i Kompanisë së Sigurimit “Insig” Dega Kosovë nuk ju ka përgjigjur kërkesave të BQK-së për rritjen e kapitalit dhe arritjes në pajtueshmëri me kërkesat ligjore në fuqi. 

Mungesa e gatishmërisë së Aksionarit për të plotësuar kërkesat e kapitalit ka vënë në rrezik serioz kapacitetet e Kompanisë për të përmbushur detyrimet ndaj të siguruarve dhe kreditorëve të tjerë.
Prandaj, me qëllim të mbrojtjes së policëmbajtësve dhe me qëllim të parandalimit të rritjes së ndikimit negativ në tregun e sigurimeve dhe në sistemin financiar në përgjithësi, BQK-ja duke u bazuar në detyrat dhe përgjegjësitë që dalin nga Ligji për BQK-në dhe Ligji për Sigurimet, ka marrë vendim për revokimin e licencës së Kompanisë.

BQK-ja ka hapur procedurat e likuidimit të detyrueshëm, sipas Kapitullit 18 të Ligjit nr. 05/L-045 për Sigurimet duke emëruar Likuidatorin, i cili do të drejtojë Kompaninë e Sigurimit në Likuidim “Insig” dhe do të sigurojë trajtim të drejtë dhe të barabartë, gjithmonë në pajtim me kërkesat ligjore në fuqi, ndaj të gjithë kreditorëve. Me emërimin e Likuidator, pushojnë të gjitha përgjegjësitë e Administratorit, të Bordi Drejtues dhe Menaxhmentit të Kompanisë në raport me menaxhimin e Kompanisë. 

Likuidatori do të jetë në dispozicion të shqyrtimit të të gjitha kërkesave,  në radhë të parë të policëmbajtësve, si dhe kreditorëve të tjerë. Likuidatori do të raportojë në baza mujore në BQK lidhur me mbarëvajtjen e përmbushjes së detyrimeve ndaj kreditorëve. Në të njëjtën kohë likuidatori gjithashtu do të njoftojë më detajisht të gjithë kreditorët dhe palët e tjera me interes lidhur me mënyrën e komunikimit dhe do të siguroj kontakte të telefonit, emailit dhe lokacionin për paraqitjen e të gjitha kërkesave të policëmbajtësve dhe kreditorëve të tjerë. 

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës  udhëzon të gjithë policëmbajtësit dhe kreditorët e tjerë që të përcjellin njoftimet në ditët në vijim nga Likuidatori dhe BQK-ja lidhur me udhëzimet mbi procesimin e kërkesave që kanë në raport me Kompaninë e Sigurimit në Likuidim “Insig”. 

BQK-ja, në pajtim me detyrat dhe përgjegjësitë e caktuara nga Ligji për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës dhe ligjet tjera përkatëse që rregullojnë veprimtarinë e institucioneve financiare, do të vazhdojë aktivitetet e saj për të siguruar përputhje të plotë të veprimtarisë së institucioneve financiare me kërkesat e përcaktuara nga ligjet dhe rregulloret në fuqi. Ruajtja e aftësisë së institucioneve financiare për të përmbushur detyrimet financiare ka një rëndësi shumë të madhe për ruajtjen e stabilitetit financiar në vend, që paraqet edhe objektivin primar të BQK-së. 

Prandaj, me qëllim të ruajtjes së stabilitetit financiar dhe mbrojtjes së shfrytëzuesve të shërbimeve financiare, BQK-ja mbetet e përkushtuar që të shfrytëzojë të gjitha mundësitë ligjore për të siguruar mbarëvajtjen e aktivitetit të sistemit financiar në vend, duke i siguruar ekonomisë së vendit një sistem financiar në funksion të zhvillimit dhe stabilitetit makroekonomik, si dhe një sistem që ofron siguri për të gjithë shfrytëzuesit e shërbimeve financiare.

Revokimi i licencës së Kompanisë së Sigurimit “Insig” nuk rrezikon qëndrueshmërinë e sektorit të sigurimeve në Kosovë. Sistemi financiar i Kosovës, që nga fillimi i funksionimit të tij, ka pasur një zhvillim të qëndrueshëm dhe ka shërbyer si burim i rëndësishëm i stabilitetit makroekonomik në vend. 

Në vitet e fundit, kemi një përshpejtim të rritjes së aktivitetit pothuajse në të gjithë komponentët e sistemit financiar, përderisa edhe treguesit e performancës dhe qëndrueshmërisë kanë shënuar përmirësim të mëtejmë. Për sa i përket sektorit të sigurimeve në veçanti, aktiviteti i këtij sektori po vazhdon të rritet, përderisa masat rregullative dhe mbikëqyrëse të ndërmarra nga ana e BQK-së kanë rezultuar në një performancë financiare pozitive të këtij sektori, pas një periudhe mjaft të gjatë me humbje. 

Prandaj, ne zotohemi që do të vazhdojmë me ndërmarrjen e të gjitha masave që i parasheh ligji në mënyrë që në tregun tonë të lejojmë operimin e vetëm atyre institucioneve financiare që janë të afta t’i kontribuojnë zhvillimit të mëtejmë të sistemit financiar dhe ekonomisë së vendit, si dhe t’i kontribuojnë fuqizimit të mëtejmë të stabilitetit financiar. 

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, së bashku me zëvendësguvernatorët dhe drejtorët e BQK-së, ka takuar z. Sebastién Clanet nga Departamenti i Tregjeve Monetare dhe të Kapitalit (MCM) në Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN). Gjatë vizitës së tij në BQK, z. Clanet u njoftua nga afër me progresin e bërë në rekomandimet e Rishikimit të Stabilitetit të Sektorit Financiar (FSSR), të dhëna në vitin 2019.

Në këtë takim, diskutimet u fokusuan në vlerësimin e zbatimit të këtyre rekomandimeve, ndikimin e përgjithshëm të projektit të FSSR-së dhe identifikimin e fushave të mundshme të interesit të përbashkët për ngritjen e kapaciteteve në avancimin e kornizës institucionale të BQK-së, të paraqitura në Planin e saj Strategjik.

Guvernatori Ismaili përmendi reformat e ndërmarra gjatë viteve të fundit nga BQK-ja, duke theksuar përafrimin e tyre me objektivat dhe rekomandimet strategjike të FSSR-së. Ai përshkroi gjithashtu reformat në vazhdim dhe nevojën për asistencë teknike të zgjeruar nga FMN-ja, në përputhje me diskutimet e mbajtura gjatë Misionit të fundit të FMN-së.

Raporti i FSSR-së ofroi një udhërrëfyes pesë-vjeçar me rekomandime konkrete për forcimin e kornizës operative dhe rregullatore të BQK-së, duke përfshirë mbikëqyrjen bankare dhe atë të sigurimeve, TI-në dhe mbikëqyrjen e rrezikut kibernetik, instrumentet e stabilitetit financiar, qeverisjen korporative dhe fusha të tjera të rëndësisë së veçantë.

Kjo vizitë nënvizon mbështetjen e vazhdueshme të FMN-së për BQK-në, pasi BQK-ja punon për të avancuar stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e sektorit financiar të Kosovës.

Me miratimin nga Kuvendi i Republikës së Kosovës të tri ligjeve kyçe për zhvillimin e sektorit financiar të vendit: Ligjin 08/L-304 për Bankat, Ligjin 08/L-328 për Shërbimet e Pagesave dhe Ligjin 08/L-333 për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Terrorizmit, njëkohësisht është hapur rruga për hapat e radhës për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA).

Tri ligjet themelore të miratuara në harmoni me legjislacionin e Bashkimit Evropian, përbëjnë një hap të rëndësishëm drejt integrimit në tregun financiar të BE-së dhe avancimin e transparencës dhe gjithëpërfshirjes financiare, dhe do të kenë ndikim të rëndësishëm në ekonominë e vendit tonë, veçanërisht për lëvizjen e lirë të kapitalit me partnerin më të madh të Republikës së Kosovës, Bashkimin Evropian, si dhe me vendet e rajonit.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) do të procedojë me miratimin e rregulloreve që dalin nga këto ligje dhe përditësojë para-aplikimin e bërë më 14 tetor në DG FISMA dhe në Këshillin Evropian të Pagesave (EPC) me informata plotësuese përfshi rregullativën e re të miratuar.

Miratimi i këtyre ligjeve dhe integrimi në SEPA pritet të sjellin përfitime të konsiderueshme ekonomike, por edhe benefite tjera, duke përfshirë një kursim vjetor të vlerësuar prej rreth 55 milionë euro nga tarifat për transferet ndërkombëtare, njëkohësisht duke rritur efikasitetin dhe shpejtësinë e transaksioneve, konkurrencën dhe gjithë përfshirjen në tregun e pagesave, si dhe transparencën, mbrojtjen e konsumatorëve të shërbimeve financiare dhe integritetin e sistemit financiar.

BQK-ja shpreh mirënjohje për institucionet e Republikës së Kosovës, për mbështetjen në finalizimin e nismave të saj ligjore, por edhe atyre evropiane, si Komisioni Evropian, në veçanti DG FISMA dhe DG NEAR, si dhe ekipeve të Bankës Botërore për kontributin dhe mbështetjen gjatë procesit të përgatitjes së ligjeve dhe rregulloreve të nevojshme për plotësimin e kritereve për anëtarësim në SEPA.

Delegacioni i BQK-së i udhëhequr nga Guvernatori i BQK-së Fehmi Mehmeti, ka përfunduar pjesëmarrjen në takimet pranverore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bankës Botërore, të cilat u zhvilluan në Uashingron të SHBA-ve nga data 9-13 prill 2019. 

Në ditën e fundit të qëndrimit, Guvernatori Mehmeti ka marrë pjesë në diskutimet e guvernatorëve dhe ministrave të Evropës Qendrore dhe Lindore lidhur me Perspektivën Ekonomike Rajonale të Evropës Qendrore dhe Juglindore.

Gjithashtu, gjatë ditës së fundit përfaqësuesit e BQK-së kanë marrë pjesë në mbledhjen plenare të Komitetit Ndërkombëtar Monetar dhe Financiar të FMN-së. 

Gjatë qëndrimit në Uashington dhe pjesëmarrjes në sesionet plenare të organizuara nga FMN dhe Banka Botërore, delegacioni nga Banka  Qendrore e Republikës së Kosovës i kryesuar nga Guvernatori, kanë takuar drejtues të lartë të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bankës Botërore, nga të cilët kanë marrë mbështetje në realizimin e objektivave të BQK-së në mbështetje të zhvillimit të vendit.

Në takimet vjetore të FMN-së dhe BB-së, Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti ka marrë pjesë në sesionin plenar të FMN-së dhe BB-së. 

Përveç takimeve me ekipin e misionit të FMN-së për Kosovën, Guvernatori Mehmeti ka takuar edhe Zëvendësdrejtorin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Tao Zhang, të cilin e informoi mbi zhvillimet e përgjithshme në sistemin financiar, si dhe e falënderoi për përkrahjen e vazhdueshme që FMN-ja i ka ofruar BQK-së ndër vite. 

Në këtë takim, Zëvendësdrejtori i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Tao Zhang konfirmoi përkrahjen e mëtejme për BQK-në dhe Kosovën. 

Delegacioni i BQK-së i kryesuar nga Guvernatori Mehmeti, në takime të ndara është takuar edhe me Zëvendësdrejtorin e Bankës Botërore Cyril Muller dhe me Drejtoreshën e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor Linda Van Gelder, ku u diskutua lidhur me zhvillimet e fundit në sistemin financiar dhe projektet që kanë të bëjnë me asistencën teknike të Bankës Botërore. 

Gjatë takimeve vjetore, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka marrë përkrahje nga Departamenti i FMN-së për Evropë lidhur me asistencën teknike të FMN-së për BQK-në për zbatimin e projekteve dhe rekomandimeve të mundshme që do të dalin nga procesi i Rishikimit të Stabilitetit të Sektorit Financiar (Financial Stability Sector Review).

Po ashtu, takime janë zhvilluar edhe me Drejtorin e ri të Konstituencës tonë në FMN, Raci Kaya, si dhe me Drejtorin e Konstituencës tonë në Bankën Botërore, Guenther Schoenleitner.

Në kuadër të takimeve vjetore në Uashington, delegacioni i BQK-së ka marrë pjesë në takimin hapës të Komitetit Ndërkombëtar Monetar dhe Financiar të FMN-së, si dhe në takimet e ndara të Konstituencës së Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, pjesë e të cilave është edhe Kosova. 

Takimet vjetore të Bordit të Guvernatorëve të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Grupit të Bankës Botërore (WBG), për çdo vit sjellin së bashku bankierët e bankave qendrore, ministrat e financave, drejtuesit e sektorit privat, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe akademikëve për të diskutuar çështjet e financave të fokusuara në ekonominë globale, zhvillimin ndërkombëtar dhe ato të sistemit financiar botëror.

Delegacioni i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, i kryesuar nga Guvernatori, Fehmi Mehmeti gjatë takimeve pranverore të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar që po mbahen në Uashington është takuar me Zëvendëspresidentin e Bankës Botërore, Cyril Muller dhe me Drejtoreshën e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, Linda Van Gelder.
Në këto takime, tema të diskutimit kanë qenë zhvillimet e fundit makroekonomike në Kosovë, politika zhvillimore e kredive (Development Policy Loan DPL), portofolio e projekteve me BB-në dhe statusi i implementimit të tyre, pastaj projektet që planifikohen të realizohen dhe do të parashtrohen kërkesat për asistencë teknike.

Guvernatori Mehmeti ka falënderuar Bankën Botërore për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë BQK-së në zhvillimin e shumë projekteve me rëndësi për sistemin financiar në Kosovë.Nga ana tjetër, zyrtarët e Bankës Botërore janë shprehur të kënaqur me realizimin e projekteve të deritashme, duke premtuar mbështetje të mëtutjeshme për BQK-në.Delegacioni i BQK-së i kryesuar nga Guvernatori Mehmeti është takuar edhe me Drejtorin e Konstituencës tonë në Bankën Botërore, Guenther Schoenleitner.

Skip to content