Me miratimin nga Kuvendi i Republikës së Kosovës të tri ligjeve kyçe për zhvillimin e sektorit financiar të vendit: Ligjin 08/L-304 për Bankat, Ligjin 08/L-328 për Shërbimet e Pagesave dhe Ligjin 08/L-333 për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Terrorizmit, njëkohësisht është hapur rruga për hapat e radhës për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA).

Tri ligjet themelore të miratuara në harmoni me legjislacionin e Bashkimit Evropian, përbëjnë një hap të rëndësishëm drejt integrimit në tregun financiar të BE-së dhe avancimin e transparencës dhe gjithëpërfshirjes financiare, dhe do të kenë ndikim të rëndësishëm në ekonominë e vendit tonë, veçanërisht për lëvizjen e lirë të kapitalit me partnerin më të madh të Republikës së Kosovës, Bashkimin Evropian, si dhe me vendet e rajonit.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) do të procedojë me miratimin e rregulloreve që dalin nga këto ligje dhe përditësojë para-aplikimin e bërë më 14 tetor në DG FISMA dhe në Këshillin Evropian të Pagesave (EPC) me informata plotësuese përfshi rregullativën e re të miratuar.

Miratimi i këtyre ligjeve dhe integrimi në SEPA pritet të sjellin përfitime të konsiderueshme ekonomike, por edhe benefite tjera, duke përfshirë një kursim vjetor të vlerësuar prej rreth 55 milionë euro nga tarifat për transferet ndërkombëtare, njëkohësisht duke rritur efikasitetin dhe shpejtësinë e transaksioneve, konkurrencën dhe gjithë përfshirjen në tregun e pagesave, si dhe transparencën, mbrojtjen e konsumatorëve të shërbimeve financiare dhe integritetin e sistemit financiar.

BQK-ja shpreh mirënjohje për institucionet e Republikës së Kosovës, për mbështetjen në finalizimin e nismave të saj ligjore, por edhe atyre evropiane, si Komisioni Evropian, në veçanti DG FISMA dhe DG NEAR, si dhe ekipeve të Bankës Botërore për kontributin dhe mbështetjen gjatë procesit të përgatitjes së ligjeve dhe rregulloreve të nevojshme për plotësimin e kritereve për anëtarësim në SEPA.

Delegacioni i BQK-së i udhëhequr nga Guvernatori i BQK-së Fehmi Mehmeti, ka përfunduar pjesëmarrjen në takimet pranverore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bankës Botërore, të cilat u zhvilluan në Uashingron të SHBA-ve nga data 9-13 prill 2019. 

Në ditën e fundit të qëndrimit, Guvernatori Mehmeti ka marrë pjesë në diskutimet e guvernatorëve dhe ministrave të Evropës Qendrore dhe Lindore lidhur me Perspektivën Ekonomike Rajonale të Evropës Qendrore dhe Juglindore.

Gjithashtu, gjatë ditës së fundit përfaqësuesit e BQK-së kanë marrë pjesë në mbledhjen plenare të Komitetit Ndërkombëtar Monetar dhe Financiar të FMN-së. 

Gjatë qëndrimit në Uashington dhe pjesëmarrjes në sesionet plenare të organizuara nga FMN dhe Banka Botërore, delegacioni nga Banka  Qendrore e Republikës së Kosovës i kryesuar nga Guvernatori, kanë takuar drejtues të lartë të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bankës Botërore, nga të cilët kanë marrë mbështetje në realizimin e objektivave të BQK-së në mbështetje të zhvillimit të vendit.

Në takimet vjetore të FMN-së dhe BB-së, Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti ka marrë pjesë në sesionin plenar të FMN-së dhe BB-së. 

Përveç takimeve me ekipin e misionit të FMN-së për Kosovën, Guvernatori Mehmeti ka takuar edhe Zëvendësdrejtorin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Tao Zhang, të cilin e informoi mbi zhvillimet e përgjithshme në sistemin financiar, si dhe e falënderoi për përkrahjen e vazhdueshme që FMN-ja i ka ofruar BQK-së ndër vite. 

Në këtë takim, Zëvendësdrejtori i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Tao Zhang konfirmoi përkrahjen e mëtejme për BQK-në dhe Kosovën. 

Delegacioni i BQK-së i kryesuar nga Guvernatori Mehmeti, në takime të ndara është takuar edhe me Zëvendësdrejtorin e Bankës Botërore Cyril Muller dhe me Drejtoreshën e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor Linda Van Gelder, ku u diskutua lidhur me zhvillimet e fundit në sistemin financiar dhe projektet që kanë të bëjnë me asistencën teknike të Bankës Botërore. 

Gjatë takimeve vjetore, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka marrë përkrahje nga Departamenti i FMN-së për Evropë lidhur me asistencën teknike të FMN-së për BQK-në për zbatimin e projekteve dhe rekomandimeve të mundshme që do të dalin nga procesi i Rishikimit të Stabilitetit të Sektorit Financiar (Financial Stability Sector Review).

Po ashtu, takime janë zhvilluar edhe me Drejtorin e ri të Konstituencës tonë në FMN, Raci Kaya, si dhe me Drejtorin e Konstituencës tonë në Bankën Botërore, Guenther Schoenleitner.

Në kuadër të takimeve vjetore në Uashington, delegacioni i BQK-së ka marrë pjesë në takimin hapës të Komitetit Ndërkombëtar Monetar dhe Financiar të FMN-së, si dhe në takimet e ndara të Konstituencës së Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, pjesë e të cilave është edhe Kosova. 

Takimet vjetore të Bordit të Guvernatorëve të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Grupit të Bankës Botërore (WBG), për çdo vit sjellin së bashku bankierët e bankave qendrore, ministrat e financave, drejtuesit e sektorit privat, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe akademikëve për të diskutuar çështjet e financave të fokusuara në ekonominë globale, zhvillimin ndërkombëtar dhe ato të sistemit financiar botëror.

Delegacioni i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, i kryesuar nga Guvernatori, Fehmi Mehmeti gjatë takimeve pranverore të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar që po mbahen në Uashington është takuar me Zëvendëspresidentin e Bankës Botërore, Cyril Muller dhe me Drejtoreshën e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, Linda Van Gelder.
Në këto takime, tema të diskutimit kanë qenë zhvillimet e fundit makroekonomike në Kosovë, politika zhvillimore e kredive (Development Policy Loan DPL), portofolio e projekteve me BB-në dhe statusi i implementimit të tyre, pastaj projektet që planifikohen të realizohen dhe do të parashtrohen kërkesat për asistencë teknike.

Guvernatori Mehmeti ka falënderuar Bankën Botërore për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë BQK-së në zhvillimin e shumë projekteve me rëndësi për sistemin financiar në Kosovë.Nga ana tjetër, zyrtarët e Bankës Botërore janë shprehur të kënaqur me realizimin e projekteve të deritashme, duke premtuar mbështetje të mëtutjeshme për BQK-në.Delegacioni i BQK-së i kryesuar nga Guvernatori Mehmeti është takuar edhe me Drejtorin e Konstituencës tonë në Bankën Botërore, Guenther Schoenleitner.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti, i shoqëruar nga Kryesuesi i Bordit të BQK-së, Flamur Mrasori, Zëvendësguvernatori i BQK-së, Sokol Havolli dhe shefi i kabinetit të Guvernatorit, Nexhat Miftari po marrin pjesë në takimet pranverore të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar që mbahen në Uashington nga data 8 deri më 13 prill 2019.

Delegacioni i BQK-së do të takohet të enjten me Misionin e FMN-së për Kosovën ku temë diskutimi do të jenë: Zhvillimet e fundit makroekonomike në Kosovë, implementimi i buxhetit, rreziqet fiskale, etj.

Gjithashtu, një takim do të mbahet me zëvendësdrejtorin Menaxhues të FMN-së, Tao Zhang dhe drejtorin e Departamentit Evropian të FMN-së, Poul Thomsen ku do të flitet për Zhvillimet e fundit makroekonomike në Kosovë, si dhe relacionet e Kosovës me FMN-në.
Delegacioni i BQK-së do të takoj edhe drejtuesit e Departamentit të Politikave Monetare dhe Tregjeve të Kapitalit të FMN-së, nga të cilët do të kërkohet asistencë teknike, si dhe implementimin FSSR-së.
Gjatë zhvillimit të takimeve pranverore të Bankës Botërore dhe të FMN-së, Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti do të takohet edhe me Drejtoreshën e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, Linda Van Gelder ku do të diskutohet për zhvillimet e fundit makroekonomike në Kosovë, politikën zhvillimore të kredive (Development Policy Loan (DPL), portofolion e projekteve me BB-në dhe statusi i implementimit të tyre, pastaj projektet që do të planifikohen të realizohen dhe do të parashtrohen kërkesat për asistencë teknike.
Delegacioni i BQK-së do të marrë pjesë edhe në takimin hapës të Komitetit Ndërkombëtar Monetar dhe Financiar të FMN-së ku temë e takimit do të jetë: Zhvillimet dhe perspektivat globale.
Po ashtu, Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti bashkë me ministrin e Financave, Bedri Hamza do të jenë pjesëmarrës në diskutimin e Guvernatorëve dhe Ministrave të Evropës Qendrore dhe Lindore në kuadër të Perspektivës Ekonomike Rajonale për Evropën Qendrore dhe Juglindore, ku si temë do të jenë Parashikimet ekonomike të FMN-së për rajonin, Ndërmarrjet Publike dhe Menaxhimi i tyre.

Bordi i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më 30 janar 2020,  mori vendimet si në vijim: 

  • Vendim për miratimin e Rregullores për Reklamimin e Shërbimeve Financiare;
  • Vendim për miratimin e Rregullores për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit;
  • Vendim për miratimin e Rregullores për Qeverisjen Korporative të Siguruesve;
  • Vendim për miratimin e Rregullores për Menaxhimin e Komisioneve dhe Shpenzimeve Operative të Siguruesve.

Gjithashtu, Bordi i Bankës Qendrore u njoftua me Raportin mujor të Guvernatorit/Bordit Ekzekutiv

Më datën 26 dhjetor 2019 Bordi i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës miratoi amandamentimet e “Rregullores për Instrumentet e Pagesave Elektronike”, të cilat hyjnë në fuqi nga data 01 shkurt 2020.
Me anë të këtyre ndryshimeve klientët e bankave mund t’i përdorin kartelat e tyre për kryerjen e pagesave për blerjen e mallrave dhe shërbimeve, përmes të gjitha terminaleve POS pa marr parasysh se cilës bankë i përkasin,  pa aplikim të kostove shtesë. 

Këto ndryshime janë të bazuara në praktikat dhe standardet e BE-së, të cilat kanë për qëllim rritjen e përdorimit të kartelave dhe instrumenteve tjera të pagesave elektronike, si shërbime më efikase me kosto më të ulët për ofruesit dhe përdoruesit e shërbimeve të pagesave.

Prandaj, me anë të këtij njoftimi i inkurajojmë të gjithë qytetarët të përdorin kartelat e tyre për pagesë, si mjete të sigurta pagese pa ndonjë kosto shtesë.

Linku i Rregullores:

https://env2.bqk-kos.org/repository/docs/korniza_ligjore/shqip/Rregullore%20per%20Instrumentet%20e%20Pagesave%20Elektronike.pdf

Studentët e Fakultetit Ekonomik të Kolegjit AAB kanë mësuar për mënyrën e funksionimit të tregut të letrave me vlerë në Kosovë.

Shkendije Nahi nga Departamenti i Menaxhimit të Mjeteve në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës ka prezantuar para studentëve në kuadër të Javës Ndërkombëtare të Parasë në funksion të edukimit financiar mënyrën e organizimit dhe mbajtjes së ankandeve të Letrave me Vlerë dhe roli i BQK-së në këtë proces.

“Sipas Rregullores për Tregun Primar dhe Sekondar të Letrave me Vlerë të Qeverisë, instrumentet e borxhit në tregun e Letrave me Vlerë janë: Bonot e Thesarit – Instrumente afatshkurtëra, Obligacionet – Instrumente afatgjata, Operacionet e tregut Sekondar (Tregtimi, Repo-t). Dy operacionet kryesore Repo janë: Repo me BQK (“Vertikale”) dhe Repo në mes bankave (Akterëve Primar) (“Horizontale”)”, ka deklaruar Nahi në këtë ligjëratë.

Burim shtesë dhe i rëndësishëm për mobilizimin e mjeteve financiare janë edhe mundësitë për investime në instrumente likuide, Investime të sigurta, Rritja e likuiditetit në tregun monetar Rritja e konkurrencës dhe Bazë për zhvillimin e Tregut të Kapitalit.

Studentët kanë marrë informata se cilat institucione financiare janë pjesëmarrëse ne Tregun Primar të Letrave me Vlerë dhe në Tregun Sekondar të Letrave me Vlerë, pastaj kanë marrë informatat për Instrumentet në Tregun e Letrave me Vlerë, Rëndësia e zhvillimit të Tregut të Letrave me Vlerë, Ligjet, rregulloret dhe marrëveshjet e riblerjes, si dhe Kalendarin e letrave me vlerë.

Nga ana tjetër, profesoresha e lëndës Institucionet Ndërkombëtare Financiare, Florije Miftari ka thënë se organizimi i ligjëratave nga BQK-ja për studentët e drejtimi të ekonomisë do të ketë një ndikim të mirë në mësim nxënie.

Studentët e pranishëm kanë parashtruar pyetje të ndryshme rreth mënyrës së funksionimi të tregut të letrave me vlerë.

Me qëllim të ruajtjes dhe forcimit të stabilitetit të sektorit të sigurimeve, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, ka miratuar Rregulloren për Menaxhimin e Komisioneve dhe Shpenzimeve Operative të siguruesve.

Kjo rregullore përcakton kriteret dhe kufizimet për menaxhimin e komisioneve dhe shpenzimeve për siguruesit jojetë, si dhe përcakton nivelet e lejuara të komisioneve të ndërmjetësimit dhe shpenzimet operative. Zbatimi i kësaj rregulloreje do të mbikëqyret nga BQK-ja në mënyrë të plotë përmes raportimit nga ana e siguruesve dhe mbikëqyrjes në vend.

Kufizimi i shpenzimeve për komisionet e ndërmjetësimit dhe shpenzimeve operative do të kontribuojë në mënyrë të drejtpërdrejtë në përmirësimin e performancës financiare të këtij sektori, dhe rrjedhimisht në rritjen e kapaciteteve të siguruesve për të paguar dëmet ndaj palëve të dëmtuara. Miratimi i kësaj rregulloreje është në vazhdën e aktiviteteve të tjera të ndërmarra së fundmi nga BQK-ja për forcimin e qëndrueshmërisë së sektorit të sigurimeve.

BQK-ja mbetet e përkushtuar në marrjen e të gjitha masave dhe veprimeve të nevojshme për të përmbushur detyrat e saj ligjore, në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm të sistemit financiar dhe mbrojtjes së interesave të publikut.   

Linku i rregullores: 

https://env2.bqk-kos.org/repository/docs/korniza_ligjore/shqip/Rregullore%20për%20menaxhimin%20e%20komisioneve.pdf

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti ka pritur nxënësit e Shkollës Fillore “Faik Konica” nga Prishtina.
Me këtë rast, Guvernatori Mehmeti ka shpjeguar rëndësinë që e kanë paratë në jetën e çdo njeriu, mënyrat e kursimit të saj dhe identifikimin e kartëmonedhave false.

Ligjërata me nxënësit e kësaj shkolle u zhvilluan në kuadër të “Javës Ndërkombëtare të Parasë në funksion të edukimit financiar”, që po organizohet për të 6-in vit me radhë.
Guvernatori Mehmeti ka deklaruar se me anë të këtij organizimi po synohet që të fuqizohen gjeneratat e reja, që të jenë në hap me kohën, të përgjegjshëm dhe qytetarë që në vazhdimësi zhvillojnë dhe ngritin njohuritë e tyre ekonomike.
“Gjithashtu me mbështetjen e duhur në edukimin e gjeneratave të reja do të mundësojmë ngritjen e njohurive financiare me qëllim të krijimit të një jetese më të mirë për ta”, ka thënë Guvernatori Mehmeti.
Po ashtu Divizioni i Edukimit ka zhvilluar një punëtori me fëmijët, të cilët kanë demonstruar aftësitë e tyre dhe dijet për paranë, kursimin e tyre, si  dhe janë njohur me fushat dhe interesin që paraqet edukimi për ta.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti ka pritur në takim misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, të kryesuar nga z. Gabriel Di Bella, Shef i Misionit për Kosovë në kuadër të Departamentit Evropian të FMN-së dhe Stephanie Eble, Përfaqësuese Rezidente Rajonale për Ballkanin Perëndimor. Guvernatori Mehmeti i ka njoftuar të pranishmit me situatën aktuale në sistemin financiar të Kosovës, në përgjithësi dhe sistemin bankar në veçanti, i cili vazhdon të jetë stabil dhe me rritje të vazhdueshme. Guvernatori Mehmeti i falënderoi delegacionin për përkrahjen e vazhdueshme që Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka dhënë Kosovës, dhe në veçanti Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, në realizimin e detyrës së saj për nxitjen dhe mbajtjen e stabilitetit financiar. Z. Gabriel Di Bella, falënderoi Guvernatorin Mehmeti për bashkëpunimin e vazhdueshëm, agjendën e përbashkët për muajt e ardhshëm, si dhe  për mënyrat e rritjes së mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet FMN-së dhe BQK-së. Gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë delegacioni i FMN-së përveç me zyrtarë të BQK-së, do të takohet me zyrtarë të lartë të institucioneve të Kosovës. Delegacioni i FMN-së përfundon vizitën me 26 shkurt.