cbk_ecb-repo-1024x576

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) njofton se Këshilli Drejtues i Bankës Qendrore Evropiane (BQE) ka aprovuar vazhdimin e Linjës REPO për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës deri më 31 janar 2025.

Kushtet e saj janë pranuar nga BQK-ja me letër konfirmimin e datës 29 janar 2024, pas kërkesës së BQK-së për vazhdim të linjës para skadimit.

Linja e përkohshme REPO në vlerë prej 100 milionë euro ofron një shtresë të sigurisë parandaluese për të adresuar nevojat e mundshme të likuiditetit në euro dhe për të ruajtur stabilitetin e sistemit financiar të Kosovës. Ky veprim nënvizon mbështetjen e fuqishme të BQE-së dhe bashkëpunimin me BQK-në, duke theksuar partneritetin e ngushtë ndërmjet këtyre dy institucioneve.

Pavarësisht se Linja REPO nuk është shfrytëzuar nga BQK-ja, konsiderohet se ky instrument është mbështetës për stabilitetin monetar dhe financiar, marrë parasysh situatën aktuale globale dhe rreziqet e tyre potenciale për ekonomitë botërore dhe tregjet financiare.

Me këtë rast, BQK-ja shpreh mirënjohjen dhe konsideratën më të lartë për Këshillin Drejtues dhe Presidenten e Bankës Qendrore Evropiane.

31-janar-2--1024x683

Këshillit Kombëtar i Pagesave në funksion të mbështetjes së reformave në fushën e pagesave përmes zgjerimit të përfshirjes dhe rritjes së bashkëpunimit ndërmjet akterëve të tregut në sistemin e pagesave në Republikën e Kosovës, mbajti mbledhjen e parë pas rifunksionalizimit, me anëtarësi të zgjeruar. Ky Këshill shërben si një organ këshillimor në mbështetje të reformave në fushën e pagesave dhe rritjes së sigurisë së Sistemit Kombëtar të Pagesave

Takimet me një fjalë hyrëse i përshëndeti Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, z. Ahmet Ismaili, Ministri i Financave Punës dhe Transfereve, z. Hekuran Murati, ndërsa Kryesimi i Këshillit u bë nga Zëvendësguvernatori, z. Dardan Fusha, me pjesëmarrjen institucioneve publike dhe ndërkombëtare, sektorit privat e financiar dhe partnerëve zhvillimor.

31-janar1-1024x683

Guvernatori Ismaili në hyrje të takimit ri-themelues dhe hapës për vitin 2024, u shpreh se një sistem i shëndoshë dhe efikas i pagesave, në sistemin financiar të Republikën e Kosovës mbështetë zhvillimin e mëtejshëm të ndërmjetësimit financiar, rritjen e stabilitetit financiar duke krijuar kështu një klimë në të cilën investitorët mund të zgjerojnë bizneset e tyre dhe se e bën tregtinë më të lirë dhe u ofrojnë konsumatorëve qasje më të lehtë në mallra dhe shërbime.

“Një sistem i zhvilluar financiar i pagesave ku pagesat realizohen me kosto të arsyeshme dhe me efikasitet në kohë e bëjnë tregtinë më të lirë dhe mundësojnë që firmat konkurruese të rriten dhe t’u ofrojnë konsumatorëve qasje më të lehtë në mallra dhe shërbime”, theksoi Guvernatori Ismaili.

Sipas Guvernatorit të BQK-së, një sistem i zhvilluar i pagesave siguron zvogëlimin e efekteve negative dhe siguron integritet në sistemin financiar të vendit.

“Njëkohësisht, një sistem i zhvilluar i pagesave siguron mbrojtjen e integritetit të sistemit financiar dhe të valutës Euro, zvogëlimin e efekteve negative nga dukuria e falsifikimit të parave, mbrojtjen e konsumatorit dhe avancimin e praktikave të tregut, zvogëlimin e efekteve nga aktivitetet e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, qasjen e shtuar në shërbimet financiare dhe gjithëpërfshirjen financiare”, potencoi Guvernatori Ismaili.

I pari i BQK-së shtoi se avancimi i sistemit të pagesave do të përshpejtoj qasjen e Republikës së Kosovës në Zonën e Vetme të Pagesave të Bashkimit Evropian të njohur si SEPA dhe Sistemin e Pagesave të Shpejta të Bashkimit Evropian i njohur si TIPS, si objektiv strategjik i BQK-së.

“Avancimi i sistemit të pagesave do të përshpejtojnë edhe qasjen në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro të Bashkimit Evropian e njohur si SEPA, e cila ka për detyrë të sjellë në mënyrë efektive pagesat e brendshme dhe ndërkufitare brenda BE-së në të njëjtin nivel të kostos, efikasitetit në kohë dhe sigurisë si dhe qasjen në Sistemin e Pagesave të Shpejta të BE-së të njohur si TIPS që është pjesë e Eurosistemit nga viti 2018”, shtoi i pari i BQK-së.

31-janar-24-1024x683

Duke përmendur Planin Strategjik 2024-2028 të BQK-së, Guvernatori Ismaili listoi disa nga aktivitetet që janë planifikuar dhe që lidhen me fushën e sistemit të pagesave. Ai renditi disa nga veprimet tashmë të ndërmarra në aspektin rregullativ dhe ligjor, si përgatitje drejt zbatimit të Planit.

“Avancimi i sistemit të pagesave paraqet sfida të konsiderueshme si nga perspektiva e BQK-së ashtu edhe nga ajo bankave dhe institucioneve financiare jobankare dhe për këtë kërkohet bashkëpunim dhe koordinim i ngushtë. Kujdes i veçantë duhet t`i kushtohet rreziqeve qe sjellin këto zhvillime, me theks tek ato kibernetike dhe jo vetëm”, vuri në pah Guvernatori Ismaili.

Edukimi financiar do të jetë në fokusin e BQK-së, krahas avancimit të praktikave të tregut dhe mbrojtjes së konsumatorëve. Prandaj, do të organizohen dhe mbështetën kampanja për edukimin financiar të përdoruesve të shërbimeve të pagesave lidhur me përfitimet, mënyrën e realizimit, sigurinë dhe rëndësinë e pagesave digjitale/elektronike.

“Në anën tjetër, zgjerimi i infrastrukturës fizike dhe harduerike, qasja në financa dhe gjithëpërfshirja, gjithashtu synohet të arrihet përmes këtij mekanizmit të sotëm, që gradualisht na vendos në rrugën drejt një ekonomie me sa më pak para të gatshme (cash), dhe një sistemi të integruar të pagesave të shpejta. Për të arritur këtë bashkërisht, kërkohet angazhim dhe koordinim nga të gjithë, ndaj ju falënderoj të gjithë juve për prezencën dhe kontributin institucional e personal”, tha Guvernatori Ismaili.

Me këtë rast, Guvernatori Ismaili shfrytëzoj rastin të falënderoj për bashkëpunimin dhe bashkërendimin Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, si dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore për asistencat teknike të dhënë BQK-së ndër vite, duke na mbështetur përmes Programit të Pagesave dhe Remitancave të financuar nga SECO dhe Projektit për Modernizimin e Sistemit të Pagesave të vendeve të Ballkanit Perëndimor nën administrim të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC) dhe të financuar nga Bashkimi Evropian, për të cilin shprehim mirënjohjen tonë të thellë po ashtu.

Gjithashtu, ai falënderoi Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe institucionet e saj, me theks Thesarin Amerikan dhe USAID-in për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë BQK-së në ngritjen e kapaciteteve për fusha të ndryshme që lidhen me mandatin e BQK-së dhe sidomos për projektet që i kemi në proces lidhur fushën e qasjes në financa dhe zhvillimin e tregut të kapitalit.

IMG_2801-1024x683 (2)

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës njofton opinionin publik se ka përfunduar vullnetarisht veprimtaria bankare e sherbimit me klientë e Komercijalna Banka AD Beograd – Dega në Mitrovicë.

Ky veprim rezulton nga dialogu mbikëqyrës në periudhën gusht-shtator 2023, nga i cili rezultoi Plani për Likuidim Vullnetar. Ky Plan pas rishikimit mori pëlqimin e BQK-së me datën 6 tetor 2023, për t’u përmbyllur më pas me vendimin e datës 9 janar 2024, për mbylljen e degëve dhe të gjitha nën-degëve në Republikën e Kosovës, efektive nga 31 janar 2024.

Komercijalna Banka AD Beograd Dega në Mitrovicë ishte licencuar nga BQK për operim në vitin 2007 dhe ka operuar me Degën në Mitrovicë dhe tetë (8) nën-degë në territorin e Kosovës.

Pas kalimit të afatit të paraparë për operime bankare më qytetarë, me fundin e ditës së datës 31 janar 2024, janë përmbyllur të gjitha depozitat bankare ndaj qytetarëve, ndaj BQK-ja konstaton pushimin e aktivitetit të kësaj degë bankare në Kosovë. Procedurat tjera të arkivimit të dokumentacionit dhe aspekteve të ndërlidhura, realizohen në pajtim me legjislacionin në fuqi.

BQK-ja falënderon Grupin bankar NLB për bashkëpunimin dhe konstruktivitetin e treguar në lehtësimin e procedurave për këtë përmbyllje të dakorduar dhe vullnetare të aktivitetit bankar me klientë, në respekt të ligjeve të vendit dhe praktikave më të mira, dhe brenda afateve të pajtuara.

Sipas vlerësimeve të BQK-së, aktualisht operojnë numër i mjaftueshëm i zyrave bankare, institucioneve financiare dhe jo-bankare që mbulojnë arsyeshëm nevojat e komunitetit në të gjitha qytetet e vendit. Përveç zyrave bankare dhe jo-bankare me prezencë fizike, edhe kanalet elektronike/digjitale të shërbimit janë të qasshme dhe ofrojnë produkte konkurruese.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës angazhohet për rritjen e qasjes në financa për të gjitha kategoritë shoqërore dhe në të gjithë territorin e shtetit, prandaj edhe inkurajon te gjitha institucionet financiare te licencuara që të rrisin prezencën e tyre me degë fizike dhe pajisje elektronike ne mënyrë që t’u ofrohet qasje sa më e plotë dhe konkurruese të gjithë qytetarëve tanë.

bqk-bb-if_kryesore-1024x683

Nën organizimin e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, në vazhdën e takimit të Këshillit Kombëtar të Pagesave, më 1 dhe 2 shkurt po mbahet punëtoria e fokusuar në tematikat kryesore që lidhen me sistemin e pagesave, direktivat e Bashkimit Evropian, praktikat e vendeve të tjera dhe reflektimin e tyre në draftin e Ligjit të Sistemit të Pagesave, që pritet të procedohet nga BQK-ja në muajin në vijim.

Kjo punëtori mbahet me mbështetjen  e projektit të Bankës Botërore (BB), të sponsorizuar nga Bashkimi Evropian, Modernizimi i Sistemit të Pagesave të Vendeve të Ballkanit Perëndimor, nën koordinimin e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC).

bqk-bb-if_1-1024x683

Pjesëmarrës në ketë takim ishin përfaqësuesit e BQK-së, institucioneve financiare bankare dhe jobankare, ekspertët e BB-së në përbërje të Holti Banka, Oya Pinar Ardic Alper, Bernardo Leal Correia Antunes Barradas, Peter Christian Moeller Jensen, Edlira Dashi, Blerta Qerimi, Ministrisë Federale të Financave të Gjermanisë, znj. Leila Maxhuni, si dhe prezantues tjerë të bankave qendrore dhe komerciale të BE-së, përfshirë, znj. Silvia Di Lillo përfaqësues të Këshillit Evropian të Pagesave (EVP).

Takimin me fjalë përshëndetëse e hapi Guvernatori Ahmet Ismaili, i cili falënderoi lidershipin dhe ekipin e Bankës Botërore dhe të gjithë të pranishmit, duke shtuar se kjo reformë do të ketë ndikim pozitiv në gjithë ekonominë e vendit, jetën e qytetarëve, lëvizjen e lirë të kapitalit, si dhe të bëjë të mundur anëtarësimin në SEPA.

bqk-bb-if_1-1024x683 (1)

Gjithashtu, fjalë përshëndetëse pati drejtori i BB-së për Kosovën, Massimiliano Paolucci, i cili përmendi përfitimet kryesore që ka për Kosovën modernizimi i sistemit të pagesave, duke nënvizuar gatishmërinë e plotë për të mbështetur BQK-në në rrugën e nisur drejt këtyre avancimeve, për çka edhe BB-ja është e kënaqur të jetë partnere.

BQK është e zotuar në Planin Strategjik që të reformojë sistemin e pagesave duke arritur një sistem efikas të pagesave të shpejta lokale, i cili pas anëtarësimit në SEPA, është i gatshëm të ndërlidhet me sistemin e pagesave të BE-së, i njohur si TIPS.

bqk-bb-if_2-1024x683

Mbështetja e partnerëve zhvillimor në këto procese komplekse dhe të nivelit botëror nga aspekti i metodologjive dhe infrastrukturës, është thelbësore në arritjen e objektivave të BQK-së, për çka BQK-ja ju shpreh mirënjohjen dhe falënderimin e saj.

bqk-objekti-1024x683

anka Qendrore e Republikës së Kosovës njofton se bazuar në të dhënat e fundit të disponueshme, numri i llogarive me shërbime bazike ka kaluar shifrën prej 320 mijë përfituesish, sipas përcaktimeve të

https://bqk-kos.org/wp-content/uploads/2024/10/Rregullore-per-qasje-ne-llogari-pagese-me-sherbime-bazike-Finale-1.pdf

Rregullorja përcakton se për kategoritë e konsumatorëve që i përkasin grupit të konsumatorëve të cenueshëm që përfitojnë nga të drejtat e parashikuara me legjislacionin që rregullon pensionet dhe asistencën sociale në Republikën e Kosovës, nuk do të kenë tarifë, pra do të janë falas nga 1 janari 2024.

Kurse, për kategoritë tjera, bankat do të ofrojnë shërbimet e përcaktuara me një tarifë të arsyeshme mujore që nuk mund të jetë më e lartë se 0.12% e vlerës së pagës mesatare neto mujore në Republikën e Kosovës, publikuar më së fundmi nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.

Procesi i konvertimit të Llogarive rrjedhëse me Shërbime Bazike, sipas kushteve të Rregullores, si dhe hapjes së atyre të reja është proces në vijim që nuk ka afat të përfundimit, ndaj BQK-ja u bën thirrje që qytetarët të shfrytëzojnë të drejtën që të hapin llogari bankare në çdo bankë, duke përfituar nga Rregullorja për Llogari Bazike, ku për grupet e cenueshme llogaria bankare është falas ose për grupet tjera, me tarifa të arsyeshme.

Në kuadër të një qasje proaktive, me qëllim të lehtësimit të procesit dhe reduktimit të barrës për qytetarin, për të gjithë ata që tashmë kanë një llogari bankare dhe plotësojnë kriteret për llogari bazike, BQK me vetë-iniciativë ka zhvilluar veglën teknike të verifikimit online nga çdo bankë në Regjistrin e Llogarive Bankare të BQK-së. Kjo mundëson që banka të verifikojë lehtësisht dhe aty për aty nëse një qytetar ka ose jo llogari tjetër bankare, që mundëson konvertimin me efikas në llogari bazike, sipas kritereve të përcaktuara.

BQK-ja si pjesë e objektivave të saj strategjike është e përkushtuar që të rrisë qasjen në financa dhe konkurrueshmerinë e sistemit financiar dhe me vendimet e saj që të kalojë nga llogaria bankare në konceptin e llogarisë se pagesave. Llogaria e pagesave mund të ofrohet edhe nga institucionet jobankare, që me ndryshimet e reja rregullative do të kenë IBAN të dedikuar dhe të gjithë qytetarët do të mund të pranojnë pagesa.

Me Draft-ligjin i ri për Sistemin e Pagesave, që është në proces të finalizimit, edhe institucionet financiare jobankare do të kenë të drejtë qasje në sistemin e kliringut të pagesave me vlerë të vogël, në kuadër të Sistemit Kombëtar të Pagesave, duke ju mundësuar kështu të jenë konkurrues dhe efektiv në procesin e qarkullimit të pagesave në vend.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës falënderon për bashkëpunimin sistemin bankar për fleksibilitetin dhe azhurnitetin e treguar për konvertimin automatik të të gjitha llogarive të skemave sociale dhe pensionale, duke respektuar sugjerimin e BQK-së që ky proces të mundësohet dhe kryhet pa nevojën që secili qytetar që i takon grupeve të cenueshme të paraqitet fizikisht në zyrat bankare. Kjo ka evituar procedurën e tillë dhe paraqet një model të partneritetit dhe bashkëpunimit të nevojshëm.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, mirëpriten shtetet anëtare të Konstituencës së Bankës Botërore dhe FMN-së, të cilat këtë vit u mbajtën në Prishtinë.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, mirëpriten shtetet anëtare të Konstituencës së Bankës Botërore dhe FMN-së, të cilat këtë vit u mbajtën në Prishtinë.

Takimet e Konstituencës së Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, mbahen me përfaqësues të bankave qendrore dhe ministrive të financave nga shtetet anëtare të Konstituencës tonë, si: Austria, Belgjika, Turqia, Çekia, Luksemburgu, Sllovakia, Hungaria, Sllovenia dhe Bjellorusia.

Mbahen takimet e Konstituencës së Bankës Botërore dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar në Prishtinë

Takimet u zhvilluan në disa sesione, me pjesëmarrës të nivelit të lartë të institucioneve financiare ndërkombëtare siç janë Grupi i Bankës Botërore përfshirë Korporatën Financiare Ndërkombëtare (IFC), dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar.
Gjatë këtyre takimeve u diskutuan tema të ndryshme mbi zhvillimet e fundit ekonomiko-globale e në veçanti vështrimet mbi inflacionin, ndikimi i luftës në Ukrainë, rritja ekonomike dhe roli i këtyre institucioneve në përkrahjen e zhvillimeve ekonomike.

Takimet e Konstituencës mbahen në baza vjetore dhe shërbejnë si një platformë për të diskutuar zhvillimet ekonomike dhe trajtojnë çështje të rëndësishme, si zhvillimet e sektorëve të ndryshëm ekonomikë, krijimi i infrastrukturës për investime të brendshme dhe të huaja, krijimi i vendeve të punës dhe përfshirja financiare.

Gjithashtu gjatë takimeve të Konstituencës së Bankës Botërore dhe  Fondit Monetar Ndërkombëtar, u diskutuan zhvillimet e fundit ekonomike, si dhe hapat që duhet të ndërmerren në të ardhmen, nga perspektiva e grupeve përkatëse.

Zhvillimi i këtyre takimeve në Kosovë si nikoqire, tregon bashkëpunimin e rëndësishëm që institucionet tona mbajnë me institucionet më të larta financiare ndërkombëtare.

bqk_0800-media-1024x576

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës me qëllim të ofrimit të informatave plotësuese, në mënyrë të thjeshtë dhe të kuptueshme për qytetarët e Republikës së Kosovës, ka lëshuar në funksion linjën PA PAGESË 0800 222-55.

Kjo linjë është e dedikuar për qytetarët nga komuniteti serb që jetojnë në Republikën e Kosovës dhe kanë nevojë të informohen drejt dhe konkretisht.

Përkujtojmë se Rregullorja për Operacione për Para të Gatshme:

–           Nuk ndalon apo kufizon pranimin e mjeteve në llogaritë bankare në Euro në bankat e licencuara;

–           Nuk kufizon aktivitetin këmbimor të cilësdo valutë që kryhen nga institucionet financiare bankare ose jobankare të licencuara nga BQK;

–           Nuk ndalon transferet nga asnjë shtet; dhe

–           Nuk ndalon posedimin dhe kursimin në asnjë valute Jo-Euro (përfshirë Dinarin).

Andaj, të gjithë individët, kanë qasje në llogari bankare dhe mund të pranojnë mjete në llogaritë e tyre në Euro.

Qytetarët që ende nuk kanë llogari, mund të hapin një të tillë në secilën bankë, sipas Rregullores së BQK-së për qasje në Llogari Pagese për Shërbime Bazike, që për grupet e cenueshme e të skemave sociale nuk ka tarifë të hapjes e as të mirëmbajtjes, nga 1 janari 2024.

Vetëm në katër komunat veriore, operojnë katër degë bankare, tri institucione mikrofinanciare (kredidhënëse), si dhe mbi 15 institucione financiare jobankare për pagesa dhe këmbimore. Numri i degëve dhe zyrave të institucioneve financiare që operojnë në atë zonë është në rritje, pasi përfshirja financiare është objektiv i BQK-së.

BQK mbështet agjendën e gjelbër në sektorin financiar

Ushtruesi i detyrës së zëvendësguvernatorit për mbikëqyrje financiare, Nexhat Kryeziu, mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit mes Korporatës Financiare Ndërkombëtare (IFC) dhe Shoqatës së Bankave të Kosovës, për promovimin e Financimit të Qëndrueshëm dhe Standardeve Ambientale, Sociale dhe Qeverisëse.

Vlerësimi dhe menaxhimi i rreziqeve financiare që rrjedhin nga ndryshimet klimatike dhe mjedisore, është njëra nga sfidat me të cilat po përballen autoritetet mbikëqyrëse dhe rregullative, përfshirë edhe sektorin financiar.

“Fakti që jemi mbledhur këtu për të diskutuar sfidat e ndryshimeve klimatike dhe mjedisore së bashku; rregullatorë, banka dhe organizata ndërkombëtare (siç është IFC), tregon se ky aspekt aktualisht është një nga çështjet urgjente dhe më të diskutuara në nivel të politikë-bërjes në aspektin global. Siç edhe e dini, si pjesë e vendeve të Ballkanit Perëndimor, Kosova ka miratuar Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor në Samitin e Sofjes, në nëntor 2020, e cila është një udhërrëfyes gjithëpërfshirës strategjik lidhur me ndryshimet klimatike. Kjo agjendë tregon rrugën drejt zgjidhjeve të reja të energjisë, që nënkupton rritjen e investimeve në burime të ripërtërishme, si dhe zhvillim të qëndrueshëm mjedisor.

Sektori bankar paraqet komponentin kryesor të sistemit financiar të Kosovës, ku ndikimi i tij në ekonominë e Kosovës është shumë domethënës. Njëkohësisht, duke marrë parasysh që në aspektin global bankat kërkohet të luajnë rol të rëndësishëm në tranzicionin drejtë ekonomisë së gjelbër, është detyrë e jona si autoritet rregullativ të sigurojmë që bankat nën mbikëqyrjen tonë, t’i adresojnë këto rreziqe në mënyrë adekuate dhe proaktive. Rrjedhimisht, ne në Bankën Qendrore, jemi të bindur se sektori financiar i Kosovës në përgjithësi, e sektori bankar në veçanti, do të ketë kapacitetet për të absorbuar reforma të tilla”, ka thënë Zëvendësguvernatori Kryeziu.

Si pjesë e angazhimit të BQK-së për të integruar rreziqet klimatike dhe mjedisore në praktikat mbikëqyrëse, në bashkëpunim me Bankën Botërore është duke u hartuar një strategji, e cila do të finalizohet gjatë këtij viti, ku do të definohen rekomandimet dhe kërkesat mbikëqyrëse për menaxhimin e rreziqeve të lidhura me ndryshimet klimatike dhe mjedisore. Elementet kryesore të Strategjisë 2024-2026 përfshijnë veprimet si:

•              Përgatitja e një tabele të gjelbër, ku do të vlerësohen indikatorët e ekonomisë së gjelbër në ekonominë e Kosovës dhe në sistemin financiar,

•              Nxjerrja e standardeve, ku do të përshkruhen parimet që sektori bankar do të duhet t’i implementojë gjatë identifikimit, menaxhimit, kontrollit dhe raportimit të rreziqeve klimatike,

•              Definimi i kornizës së raportimit lidhur me raportimin e ekspozimit të bankave ndaj rreziqeve klimatike dhe mjedisore,

•              Implementimi i stres testit makroprudencial për rreziqet e ndryshimeve klimatike dhe

•              Përgatitja metodologjisë për vlerësimin e rreziqeve klimatike dhe integrimi i plotë i tyre në aktivitetet mbikëqyrëse të BQK-së.

“Gjithashtu, ne tashmë kemi aplikuar për t’u anëtarësuar në Rrjetin për Gjelbërimin e Sistemit Financiar, i cili është një rrjet prej 121 bankave qendrore dhe autoriteteve mbikëqyrëse financiare prestigjioze, që synon të përshpejtojë rritjen e financimit të gjelbër dhe të zhvillojë rekomandime për rolin e bankave qendrore për ndryshimet klimatike. Shpresojmë që së shpejti të bëhemi pjesë e këtij rrjeti prestigjioz të bankave qendrore dhe autoriteteve mbikëqyrëse financiare. Mbikëqyrja dhe menaxhimi i rreziqeve klimatike dhe mjedisore paraqet një udhëtim të gjatë drejt një teme të re dhe komplekse për të gjithë ne. Mirëpo, duke u angazhuar dhe punuar së bashku do t’i tejkalojmë këto sfida më lehtë dhe trajtojmë ndryshimet klimatike dhe mjedisore në kohë”, ka thënë tutje Zëvendësguvernatori Kryeziu, duke premtuar se BQK-ja do të jetë partner në realizimin e këtij tranzicioni.

IMG_2801-1024x683 (2)

BQK në kuadër të veprimeve të saj për zbatim të lehtësuar të efekteve të rregullores për operacione me para të gatshme në komunitete të caktuara, njofton opinionin publik lidhur me Planin me veprime shtesë të cilat pritet të realizohen në një afat sa më të shkurtër, por jo më gjatë se tre (3) muaj, në bashkëpunim edhe me bankat dhe institucionet tjera financiare:

  1. Funksionalizimi i linjës së telefonit pa pagesë (0800-222-55), e-mailit për ankesa, si dhe numrit të dedikuar në ‘viber’.
  2. Lehtësimi i kushteve për hapjen e llogarive bankare, në raste specifike në komunat me shumicë serbe, veçanërisht në katër komunat veriore, me mundësi të kompletimit të dokumenteve (dëshmi të adresës) edhe pas hapjes dhe aktivizimit të llogarisë.
  3. Pezullimi i përkohshëm i tarifës së BQK-së e aplikueshme për hapje të degëve/zyrave, për të inkurajuar institucionet financiare jobankare (me theks për këmbimore) të licencuara për hapjen e zyrave në komunat e Kosovës me shumicë serbe, veçanërisht në katër komunat veriore.
  4. Zgjerimi i prezencës me degë bankare dhe jobankare për mbulimin me degë shtesë dhe rritje të ofrimit të shërbimeve financiare në komunat në veri të vendit.
  5. Organizimi i ofrimit të shërbimeve bankare (hapje e llogarisë) në mënyrë mobile nga bankat komerciale (remote banking) në secilën nga katër komunat veriore, në mënyrë të organizuar me qëllim të jenë sa më afër qytetarëve.
  6. Vendosja e disa bankomatëve (ATM) si dhe pajisjeve tjera për pagesa elektronike (POS), apo vetëshërbime financiare.
  7. Lehtësimi i procesit të këmbimit të dinarëve me EURO nga institucionet financiare dhe këmbimoret të licencuara.
  8. Vazhdimi i aktivitetit të intensifikuar promovues, me materiale të personalizuara dhe thjeshtëzuara, video mesazheve, si dhe edukimit financiar të fokusuar.
  9. Rritja e qasjes në financa, rritja e mëtejshme e kreditimit dhe pakove tjera financiare të fokusuara në këto zona nga institucionet financiare.
  10. Rishikimi i kushteve të konvertimit me trajtim preferencial gjatë pranimit të fondeve dhe tërheqjes në bankomate (ATM) me kartela të skemave ndërkombëtare të lëshuara jashtë Kosovës.

Këto veprime ndërmerren krahas angazhimit konstruktiv, në lehtësimin e mekanizmit të transferimit të mjeteve në mënyrë sa më efikase nga Serbia në Kosovë, përmes llogarive bankare dhe modeleve tashmë të njohura, të paraqitur në letrën e propozimit të BQK-së, me gatishmërinë për të shqyrtuar çdo opsion.

Ky plan kontribuon veçanërisht tek qytetarët me qasje të kufizuar në financa dhe shërbime financiare dhe mundëson rritjen e qasjes në financa të sigurta përmes bankave dhe institucioneve financiare jobankare, gjithpërfshirjen financiare dhe mbrojtjen e tyre nga aktivitetet financiare të pashëndosha, si angazhime të vazhdueshme të BQK-së mbi bazën e praktikave më të mira evropiane.

BQK ndanë çmimet për esetë më të mira në garën “Planifikoni paratë tuaja, mbillni të ardhmen tuaj”

Në vazhdën e aktiviteteve vjetore që i zhvillon në kuadër të Programit të Edukimit Financiar, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, ka organizuar ceremoninë e ndarjes së çmimeve për Esenë më të mirë, garë kjo e shpallur gjatë shënimit të Javës Ndërkombëtare të Parasë, me moton që shënohet këtë vit në gjithë botën “Planifikoni paratë tuaja, mbillni të ardhmen tuaj”.

U.d. Guvernatori i BQK-së, Bashkim Nurboja ka falënderuar dhe përgëzuar nxënësit për punën e bërë në esetë e tyre, duke i inkurajuar që të vazhdojnë tutje me angazhimin në rolin dhe rëndësinë e parasë.

Po ashtu Guvernatori shtoi se BQK-ja do të vazhdojë të jetë e fokusuar që të avancojë në vazhdimësi fushën e edukimit financiar, gjithnjë në funksion të ngritjes së transparencës dhe njohurive të qytetarëve dhe publikut të gjerë për produktet, shërbimet dhe rolin e sistemit financiar në vend me qëllim që përmes funksionit të edukimit të jemi sa më pranë qytetarëve.

“Edukimi financiar është një funksion përmes të cilit BQK kontribuon në informimin dhe ngritjen e njohurive të qytetarëve me qëllim të përmirësimit të njohurive të tyre rreth koncepteve ekonomike e financiare, produkteve, shërbimeve që i ofron sektori financiar dhe krijimit të shprehive për të bërë zgjedhje të duhura dhe ndërmarrë veprime efektive për të përmirësuar mirëqenien e tyre financiare. Qytetarët e informuar e të edukuar financiarisht, njohin dhe kuptojnë  më shumë produktet dhe shërbimet e sektorit financiar, janë më të mbrojtur dhe më të aftë për të marrë vendime të zgjuara dhe të menaxhojnë më mirë financat e tyre, gjithashtu edhe për të përballuar situata të vështira financiare. Me anë të konkurseve  për esenë më të mirë, qëllimi parësor është që të nxitim të rinjtë e shkollave të mesme që të jenë më të informuar rreth temave ekonomike e financiare”, ka deklaruar Nurboja.

BQK ndanë çmimet për esetë më të mira në garën “Planifikoni paratë tuaja, mbillni të ardhmen tuaj”

Bazuar në vlerësimet e komisionit të formuar nga BQK, nxënësit që morën çmimin për esenë më të mirë janë: Çmimi i parë për punimin më të mirë iu nda nxënësit Kreshnik Beqiri nga Gjimnazi “Eqrem Çabej” në Vushtrri, vendi i dytë iu nda nxënësit Latif Qorri nga Gjimnazi “Gjergj Kastrioti“ në Drenas, ndërsa vendin e tretë e ndanë pesë nxënës të shkëlqyeshëm të kësaj gare: Omer Honsiq, nxënës i Shkollës së Mesme të Mjekësisë në Pejë, Vlona Selimi, nxënëse e Gjimnazit “Kuvendi i Lezhës” në Viti, Erin Laçi, nxënës i Shkollës së Mesme “Gjin Gazulli” Prishtinë, Shkurte Elshani, nxënëse e Gjimnazit “17 Shkurti“ në Obiliq dhe Granit Kalaja, nxënës i Gjimnazit “Xhevdet Doda” në Prishtinë.

Nga ana tjetër, në emër të nxënësve fitues, Kreshnik Beqiri dhe Omer Honsiq falënderuan BQK-në për mundësinë e dhënë që të jenë pjesë e garës, por edhe të ngritjes së njohurive të tyre nga sfera e bankingut dhe financave.

Këto aktivitete BQK-ja i organizon në kuadër të Javës Ndërkombëtare të Parasë që zhvillohet nga viti 2013. Organizime këto që udhëhiqen nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), e që ka për qëllim ndërgjegjësimin e fëmijëve dhe të rinjve rreth çështjeve ekonomike e financiare. Java Ndërkombëtare e Parasë, organizohet në 176 vende të botës dhe në këtë ngjarje pothuajse çdo vit marrin pjesë rreth 53 milionë fëmijë e të rinj nga shtete të ndryshme të botës.

Skip to content