Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka pritur në takim Komisioneren për Informim dhe Privatësi znj. Krenare Sogojeva-Dermaku.

Në takim, Guvernatori Mehmeti dhe Komisionerja Sogojeva-Dermaku u dakorduan që të rritin nivelin e bashkëpunimit dhe koordinimit të aktiviteteve dhe veprimeve në kuadër të fushëveprimtarive, kompetencave dhe autorizimeve të të dyja institucioneve.

Mes tjerash, dy institucionet u pajtuan për ngritjen e mekanizmave koordinues të cilët do të jenë në komunikim të vazhdueshëm për çështje të interesit të përbashkët në zbatim të legjislacionit dhe autorizimeve që kanë institucionet tona.

v

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Fehmi Mehmeti, priti në takim përfaqësuesit e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK), përkatësisht Kryesuesin e Bordit Drejtues, z. Ruzhdi Morina, dhe Drejtorin Menaxhues, z. Adrian Zalli.

Temë kryesore e takimit ishte informimi i drejtuesve të BQK-së me gjendjen e aktuale të investimeve të FKPK-së në tregjet financiare pas ngjarjeve të fundit në Ukrainë.


Z. Morina njoftoi se pas vitit 2021, kur investimet e FKPK-së kishin ngritje me rreth 11%, në këtë fillimvit, si për shkak të efekteve negative të pandemisë në zinxhirin furnizues, por sidomos nga lufta në Ukrainë, investimet e FKPK-së kanë njohur një rënie, që aktualisht është rreth 4%.

Duke qenë se indekset kryesore në tregjet financiare aktualisht kanë shënuar rënie prej 15% deri në 20%, rënia prej 4% në investimet e FKPK-së mund të konsiderohet mjaft e përmbajtur. Kjo kryesisht si rezultat i masave mbrojtëse që Bordi Drejtues i ka marrë gjatë janarit dhe shkurtit të këtij viti.

Gjithashtu, z. Morina deklaroi që kjo rënie edhe pse negative, në periudhën afatshkurtër nuk e dëmton qëllimin afatgjatë të FKPK-së, siç dëshmohet me të gjithë treguesit e performancës së FKPK-së mbi tre muaj, që janë në terren pozitiv.


Po ashtu, me këtë rast, z. Morina e njoftoi Guvernatorin Mehmeti me masën e dytë që Bordi Drejtues e ka vendosur, duke e lansuar portofolin Konservativ për kontribuuesit e moshës 63.5 vjeçare e më të moshuar.

Sipas kësaj mase, mjetet e tyre do të përllogariten të investuara në Bonot e Thesarit të Republikës së Kosovës dhe asnjë kontribuues 18 muaj e më pak afër pensionimit nuk do të preket nga lëvizjet e tregjeve financiare.

Z. Mehmeti, në anën tjetër, pasi i falënderoi për informimin, i vlerësoi përpjekjet e Bordit Drejtues të FKPK-së për masat e ndërmarra, të cilat e kanë ulur rrezikun dhe ndikimin e këtyre lëvizjeve te kontribuuesit.

Guvernatori theksoi nevojën e takimeve të rregullta mes të dyja institucioneve, në mënyrë që situata të monitorohet në mënyrë të vazhdueshme dhe që të sigurohet reagimi i duhur institucional në shërbim të mbrojtjes së interesave të kontributdhënësve.

v

Banka Qendrore e Kosovës (BQK), me qëllim të sigurimit të një mjedisi sa më të favorshëm për zhvillimin e sistemit financiar dhe mbështetjes së stabilitet të tij, ka realizuar studimin e dytë me radhë për vlerësimin e ngarkesës me borxh të huamarrësve në sektorin financiar të Kosovës, përkatësisht ngarkesën me borxh të ekonomive familjare në Kosovë.

Qëllimi kryesor i studimit është të vlerësojë nivelin e ngarkesës me borxh të klientëve individualë kreditorë dhe të njësisë së tyre familjare. Përveç kësaj, studimi synon të identifikojë trendet e kreditimit, dallimet e mundshme në këto trende sipas karakteristikave socio-demografike dhe socio-ekonomike, si dhe modelet e huamarrjes, posaçërisht identifikimin e huamarrjes së shumëfishtë në institucione të ndryshme dhe sektorë të ndryshëm dhe ndërlidhjen e tyre me problemin e mbingarkesës.

Studimi është realizuar me të dhëna të muajit mars 2021, nga pothuajse të gjitha institucionet kredidhënëse në Kosovë (9 banka dhe 9 institucione mikrofinanciare), si dhe me përfshirjen e gjithsej gamës së produkteve kreditore për segmentin e kredive ndaj ekonomive familjare. Burimet kryesore së të dhënave për studim ishin Regjistri i Kredive të Kosovës (RKK), si dhe institucionet bankare dhe mikrofinanciare kredidhënëse. Burim shtesë i informacionit për vlerësimin e ngarkesës me borxh të ekonomive familjare ishte edhe një anketim mbi ngarkesën e ekonomive familjare, i kontraktuar nga BQK dhe i realizuar nga kompani vendore e hulumtimeve të tregut. 

Ngarkesa me borxh e ekonomive familjare nuk ka definicion dhe mënyrë standarde të vlerësimit, për shkak të natyrës multidimensionale të problemit të ngarkesës/mbingarkesës. Studiuesit përdorin një sërë treguesish të ndryshëm për të vlerësuar aspekte specifike të ngarkesës, në mënyrë që të arrihet një pasqyrë më reale e problematikës. Andaj edhe në këtë studim, vlerësimi i ngarkesës është realizuar përmes disa treguesve objektivë dhe subjektivë, të cilët vlerësuan aspekte të ndryshme të mbingarkesës dhe të cilët së bashku japin informacion më gjithëpërfshirës mbi gjendjen e ngarkesës së ekonomive familjare në Kosovë.

Gjetjet e studimit sugjerojnë se pjesëmarrja e ekonomive familjare të mbingarkuara me borxh – shuma e  kësteve mujore për huat tejkalon 50 përqind të të hyrave mujore –  shtrihet në intervalin ndërmjet 27.4 dhe 11.7 përqind, kur merren për bazë të hyrat e huamarrësit, përkatësisht të hyrat e gjithë njësisë familjare. Vlerësimi i nivelit të ngarkesës bazuar vetëm në të hyrat e huamarrësit mund të reflektojë mbivlerësim të gjendjes së ngarkesës, për shkak të mos përfshirjes së të hyrave të bashkëhuamarrësve. Në anën tjetër, në vlerësimin e nivelit të ngarkesës me të hyra të ekonomisë familjare, për shkak të mungesës së informacionit për borxhin e mundshëm të huave të anëtarëve tjerë të familjes, mund të kemi pasqyrë të nënvlerësuar të nivelit të ngarkesës. Prandaj për arsyet e më sipërme të ndërlidhura me mungesën e të dhënave por edhe kualitetin e të dhënave për njësinë e ekonomisë familjare, nuk mund të sugjerohet për nivel specifik të mbingarkesës, por sugjerohet që shkalla e ekonomive familjare të mbingarkuara me borxh të huave të shtrihet në intervalin ndërmjet rezultateve të indeksit të ngarkesës së huamarrësit dhe indeksit të ngarkesës së ekonomisë familjare. Studimi sugjeron që kriza pandemike COVID-19 ka ndikuar në rritjen e  mbingarkesës së ekonomive familjare për mesatarisht 2 pikë përqindje.

Studimi sugjeron që mbingarkesa me borxh asocohet me huamarrje të shumëfishtë dhe performancë më të dobët të pagesës. Tendencat e mbingarkesës ishin më të larta për ekonomitë familjare të huamarrësve me vonesa në pagesën e kësteve kreditore. Po ashtu problemet me performancë të pagesës, si dhe me mbingarkesë shpeshtoheshin me huamarrjen e shumëfishtë, posaçërisht në institucione të ndryshme. Nivelet më të larta të mbingarkesës ishin në pothuajse 90 përqind të rasteve të shprehura në mesin e huamarrësve të shumëfishtë nga institucione të ndryshme.

foto-01-1024x683.jpg

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka filluar shënimin e Javës Ndërkombëtare të Parasë, me aktivitetin e ndarjes së çmimeve nga konkursi i shpallur  për punimet më të mira me temën: “Tregohu i zgjuar me paranë, ndërto të ardhmen tënde!”

Java Ndërkombëtare e Parasë organizohet nga Rrjeti Ndërkombëtar i OECD për Edukimin Financiar (OECD/INFE), dhe marrin pjesë 176 shtete nga mbarë bota, duke organizuar aktivitete ndërgjegjësuese rreth menaxhimit të duhur të parasë.

Në kuadër të Javës Ndërkombëtare të Parasë, e cila tradicionalisht shënohet nga BQK, sot u mbajt ceremonia e ndarjes së çmimeve për pesë nxënësit fitues të garës së  klasave IV-V të shkollave fillore të Kosovës, të cilët garuan përmes punimeve të tyre duke realizuar punime mbi konceptin e tyre të menaxhimit të parasë: si fitohen paratë, si shpenzohen paratë në mënyrën e duhur, menaxhimi i financave personale, si të kursejmë, etj.

Qëllimi kryesor i organizimit të këtij aktiviteti është që të kontribuojmë dhe nxitim fëmijët, që qysh në fazë të hershme të fillojnë të mësojnë e ndërgjegjësohen rreth vlerës së parasë dhe menaxhimit të duhur të saj.

Nxënësit u pritën në BQK nga Koordinatori për Funksione të Përgjithshme, Labinot Preniqi i cili tha se BQK do të vazhdojë që të ofrojë mundësi për edukim për fëmijët. “Ne ju inkurajojmë gjithmonë që të përcillni konkurset e tilla dhe të mësoni e njiheni më shumë rreth kësaj fushe e gjithashtu të vazhdoni të aplikoni me punimet tuaja në konkurset e ardhshme, sepse me rritjen e njohurive për konceptet bazike ekonomike e financiare, ju do të jeni të kujdesshëm me paranë tuaj, me kursimet tuaja, do t’i dëgjoni prindërit se si duhet t’i shpenzoni paratë dhe të merrni këshillat më të mira sa i përket parave”, ka thënë Preniqi.

F-3-1024x683.jpg

Pas shqyrtimit me kujdes të të gjitha punimeve të sjella nga fëmijët, komisioni vlerësues vendosi që t’i ndajë pesë çmime. Shumica  e punimeve të pranuara në BQK ishin kreative, relevante me temën dhe të punuara me shumë kujdes e përkushtim.

Me çmimin e parë është vlerësuar videoja e nxënësit të SHFMU “Xhemajl Mustafa”, Prishtinë, Dris Sejdiu, çmimi i dytë ka shkuar për nxënësen Jonida Salihu për vizatimin dhe punimin me litar nga SHFMU “Dardania, Prishtinë.

Çmimi i tretë iu nda nxënëses Liza Limani për punimin e saj të një videoje, çmimi i katërt ishte për nxënësen e Shkollës European School of Kosova, Enea Shala për punimin me vizatim/pikturë, ndërsa çmimi i pestë ishte për nxënësin Ubejd Idrizi nga SHFMU “Gjon Serreqi”, Ferizaj.

BQK falënderoi të gjithë nxënësit fitues dhe i inkurajoi që të vazhdojnë të përcjellin aktivitetet e edukimit financiar në platformën e BQK-së edukimifinanciar.org  apo edhe në rrjetet sociale.

22.04.2022.jpg

Zëvendësguvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Sokol Havolli, priti në takim drejtoreshën ekzekutive të Shoqatës për Teknologji Informative dhe Komunikimit të Kosovës (STIKK), znj. Vjollca Çavolli.

Në këtë takim, u diskutua për fushat e bashkëpunimit të ndërsjellë ndërmjet dy institucioneve në fushën e promovimit të sektorit të teknologjisë informative dhe komunikimit (ICT).

BQK dhe STIKK u dakorduan që së bashku të hartojnë një marrëveshje të bashkëpunimit për shkëmbimin dhe publikimin e informacionit dhe të dhënave statistikore lidhur me  sektorin e ICT-së.

Synim kryesor i kësaj marrëveshje është mbledhja e statistikave dhe informacioneve specifike për këtë sektor me qëllim të analizimit dhe promovimit të këtij sektori.

Orientimi fillestar është që të publikohen të dhënat lidhur me tregtinë e shërbimeve të sektorit të ICT-së por edhe volumin e financimit nga sektori financiar vendor për sektorin e ICT-së.

1.jpg

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti i shoqëruar nga Sami Mazreku, Drejtor i Byrosë Kosovare të Sigurimit, kanë zhvilluar një takim me udhëheqësit e Këshillit të Byrove në Bruksel (Council of Bureaux), e cila është organizatë menaxhuese e sistemit të Kartonit të Gjelbër.

Delegacioni i Kosovës, gjatë takimit me Drejtoreshën Menaxhuese të COB  znj.Greet Floré, e informoi atë mbi përgatitjet që Byroja Kosovare e Sigurimit, së bashku me Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës dhe institucione të tjera të interesit, ka ndërmarrë deri më tani në lidhje me kërkesat që lidhen me procesin e anëtarësimit në COB, si dhe për gatishmërinë për të ndërmarrë hapa të tjerë në këtë drejtim.

2.jpg

Guvernatori Mehmeti dhe Drejtori Mazreku, nënvizuan angazhimin e tyre dhe të Republikës së Kosovës për të forcuar sistemin financiar duke krijuar kapacitete të nevojshme për të siguruar gatishmërinë e Byrosë Kosovare të Sigurimit për të plotësuar çdo detyrim që rrjedh nga zbatimi i sistemit të Kartonit të Gjelbër, duke u bazuar në standardet e njohura ndërkombëtarisht që e rregullojnë këtë fushë.

Bazuar në raportin e prezantuar nga drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimit, Kosova ka arritur një sërë objektivash të rëndësishme, duke nënvizuar se BKS-ja ka ulur në mënyrë të ndjeshme numrin e automjeteve të paregjistruara dhe vazhdon të zbatojë memorandumet e bashkëpunimit me vendet e rajonit.

3.jpg

Guvernatori Mehmeti dhe Drejtori Mazreku theksuan angazhimin e Kosovës për të bashkëpunuar për të gjetur një zgjidhje sa i përket lehtësimit të trafikut ndërkufitar mes Kosovës dhe vendeve të tjera, ndërsa kërkuan nga COB bashkëpunim në këtë kërkim.

Znj Floré deklaroi se mundësitë për bashkëpunim do të vlerësohen në mënyrë rigoroze në zbatim të rregullave në bazë të së cilave funksionon COB.

4.jpg
29.08.2022.jpg

Zëvendësguvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Sokol Havolli, ka takuar Drejtorin Ekzekutiv të Bankës Botërore për Kosovë, Hayrettin Demircan.

Në këtë takim Zëvendësguvernatori Havolli e ka njoftuar z. Demircan në lidhje me zhvillimet e fundit në sistemin financiar të Republikës së Kosovës, me theks të veçantë lidhur me zhvillimet në sektorin bankar duke theksuar rëndësinë e këtij sektori në mbështetje të zhvillimit ekonomik të vendit.

Gjithashtu, Zëvendësguvernatori Havolli informoi z. Demircan lidhur me zhvillimet e fundit në sektorin e sigurimeve dhe rezultatet e arritura në këtë sektor.

Nga ana tjetër, drejtori Ekzekutiv i BB-së për Kosovë, Hayrettin Demircan, ka falënderuar menaxhmentin e BQK-së për bashkëpunimin e deritashëm duke theksuar se Banka Botërore, do të vazhdojë të mbajë në nivel të lartë bashkëpunimi me BQK-në, në realizimin e projekteve që për qëllim kryesor kanë zhvillimin e vazhdueshëm të sektorit financiar dhe të ekonomisë së Kosovës në përgjithësi.

Foto-1-scaled.jpg

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, organizuan punëtorinë me institucionet financiare rreth rregulloreve të rishikuara të qeverisjes korporative dhe deklaratat mbikëqyrëse.
Koordinatori për Funksione të Përgjithshme, Labinot Preniqi ka thënë se BQK-ja është e angazhuar në avancimin e mëtutjeshëm të industrisë financiare në Kosovë, duke u bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare.

Foto-2-scaled.jpg

Ai ka falënderuar BERZH-in për mbështetjen e realizimit të kësaj punëtorie.
Në këtë punëtori u organizuan tri sesione: për bankat, siguruesit, institucionet mikrofinanciare dhe institucionet financiare jobankare, ku është diskutuar për rregullativën e qeverisjes korporative dhe deklaratën mbikëqyrëse për bankat, si dhe ndryshimet kryesore nga rregullorja e mëparshme e qeverisjes korporative, arsyeshmëria për këto ndryshime, lidhja me deklaratën mbikëqyrëse dhe praktikat më të mira.

interventi-vdg-900x600-1.jpg

Deutsche Bundesbanka dhe Komisioni Evropian kanë lansuar vazhdimin e programit të
financuar nga BE-ja për të mbështetur më tej bankat qendrore dhe agjencitë e mbikëqyrjes bankare në vendet kandidate të BE-së dhe kandidatët potencialë nga Ballkani Perëndimor.

Deutsche Bundesbank, së bashku me 19 banka qendrore kombëtare të Sistemit Evropian të Bankave Qendrore (ESCB) dhe Bankën Qendrore Evropiane (BQE), kanë lansuar sot një program të financuar nga BE-ja, nga i cili do të përfitojnë Banka e Shqipërisë, Banka Qendrore e Bosnje dhe Hercegovinës, Agjencia Bankare e Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Agjencia Bankare e Republikës Srpska, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, Banka Qendrore e Malit të Zi, Banka Kombëtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Banka Kombëtare e Serbisë. Qëllimi i programit është të forcojë më tej kapacitetet institucionale të institucioneve përfituese, veçanërisht duke përmirësuar mjetet e tyre analitike dhe të politikave dhe duke transferuar standardet më të mira ndërkombëtare dhe evropiane në praktikat kombëtare. Bashkimi Evropian (BE) ka ndarë 3 milionë euro për programin nga Instrumenti i saj për Asistencën e Para-Anëtarësimit (IPA III).

Në aktivitetin e parë të mbajtur sot në Bankën e Italisë, zëvendës Guvernatori i Lartë Luigi Federico Signorini ripohoi rëndësinë e bashkëpunimit teknik ndërkombëtar si një instrument për dialogun institucional, duke kontribuar në ndërtimin e prosperitetit dhe paqes. Rëndësia strategjike e këtij projekti në kuadrin më të gjerë të anëtarësimit në BE vihet në dukje nga qëllimi dhe gjerësia e programit dhe është veçanërisht relevante në rrethanat aktuale të sfidave të përhapura gjeopolitike, ekonomike dhe financiare.

210922_1.jpg

Z. Florian Hauser nga Drejtoria e Përgjithshme e Komisionit Evropian për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit nënvizoi se “programi përfaqëson një kontribut të rëndësishëm në përmirësimin e qeverisjes ekonomike dhe përmirësimin e kuadrit institucional në Ballkanin Perëndimor. Ai mbështet përgatitjen e bankave qendrore të Ballkanit Perëndimor për integrimin e tyre në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore.” Znj. Alexandra Hachmeister, Drejtoreshë e Përgjithshme në Deutsche Bundesbank, theksoi rëndësinë e arritjes së rezultateve të qëndrueshme dhe rëndësinë e ndërtimit të marrëdhënieve.

Gjatë 36 muajve të ardhshëm, Bundesbank, së bashku me bankat qendrore partnere dhe me kontributet e BQE-së, do të organizojë një program intensiv trajnimi rajonal mbi çështjet kryesore të bankimit qendror dhe mbikëqyrjes. Trajnimi do të fokusohet veçanërisht në fushat e luftimit të pastrimit të parave, mbikëqyrjes bankare, stabilitetit financiar, mbrojtjes së konsumatorëve financiar dhe përfshirjes financiare, ristrukturim bankar, komunikimit, tregjeve financiare, teknologjisë së informacionit, hulumtimeve të politikës monetare, sistemeve të pagesave, statistikave, integrimit në BE, politikave të qeverisjes, kontabilitetit dhe auditimit të brendshëm. Gjithashtu do të organizohen tri punëtori të politikave për vendimmarrësit mbi sistemet e pagesave, menaxhimin e parasë dhe çështjet e qeverisjes. Për më tepër, programi do të mbështesë zbatimin e masave specifike dypalëshe, përveç ngjarjeve të trajnimit rajonal.

Programi po zbatohet nga Bundesbanka si koordinator në partneritet me Bankën Kombëtare te Belgjikës, Bankën Kombëtare të Bullgarisë, Bankën Kombëtare të Çekisë, Bankën e Greqisë, Bankën e Spanjës, Bankën e Francës, Bankën Kombëtare të Kroacisë, Bankën Qendrore te Irlandës, Bankën e Italisë, Bankën e Lituanisë, Bankën Qendrore të Luksemburgut, Banka Qendrore të Hungarisë, Bankën e Holandës, Bankën Kombëtare te Austrisë, Bankën Kombëtare te Polonisë, Bankën e Portugalisë, Bankën Kombëtare te Rumanisë, Bankën Kombëtare të Sllovenisë dhe Bankën Kombëtare te Sllovakisë. Banka Qendrore Evropiane do të kontribuojë në zbatimin e projektit.

cmimiekonomist22.jpg

Në kuadër të fushës së edukimit financiar dhe me qëllim të nxitjes së hulumtimeve mes ekonomistëve të rinj të Kosovës, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka krijuar mundësinë e dhënies së një çmimi për studimin më të mirë të paraqitur nga ekonomistët e rinj.
Punimet për këtë çmim duhet të jenë në fushën e sektorit financiar dhe zhvillimit ekonomik në Kosovë, me theks të veçantë të jenë të fokusuara në temën në vijim:

Ndikimi i inflacionit në Tregtinë Evropiane dhe atë të Kosovës;

Lidhur me këtë, BQK-ja do të organizojë një ngjarje të veçantë për shpalljen e punimeve më të mira të dorëzuara, siç përcaktohet në tekstin vijues;

Rregullat e pranimit:

1. Tema e dorëzuar duhet t’i plotësojë kriteret e një pune shkencore. Ajo mund të jetë në formën e një teme diplome (bachelor), temë diplome pasuniversitare (master) apo në formën e një teze doktorature (PhD).

2. Në konkurrim me punimin e dorëzuar  kandidati  duhet të jetë autori kryesor.

3. Tema duhet të jetë e shkruar në gjuhën shqip, serbe ose gjuhën angleze.

4. Formati: punimi i dorëzuar nuk duhet të ketë më shumë se 25 faqe, lloji i shkrimit të jetë Times New Roman 12, hapësirë dyfishe.  Përmbledhja ekzekutive nuk duhet të jetë më e gjatë se një faqe dhe lista e të gjitha referencave duhet t’i bashkëngjitet punimit.

5. Komisioni përzgjedhës i përbërë nga stafi i BQK-së, jo vetëm që përzgjedh punimet që do të publikohen nga BQK-ja, por mund edhe të sugjerojë një ose më shumë nga ekonomistë e rinj konkurrues për t’u shpërblyer me çmim.

Komisioni përzgjedhës do të gjykojë punimet duke përdorur kriteret e përgjithshme të miratuara nga drejtuesit e BQK-së: (a) interesi i subjektit në ekonominë kosovare-ndërkombëtare (b) cilësia e hulumtimit shkencor apo sinteza, dhe (c) cilësia e të shkruarit. Përveç kësaj, hulumtimet dhe shkrimet e të tjerëve të përfshira në punimin e paraqitur duhet të identifikohen mirë në fusnotat dhe referencat bibliografike.

6. Çmimi i parë do të shpërblehet me 1000 euro, çmimi i dytë me 700 euro dhe çmimi i tretë me 500 euro.

7. Pa paragjykuar pikën nr.6 vendimi përfundimtar për numrin e shpërblimeve varet nga cilësia e punimeve të paraqitura dhe do të merret në fund nga komisioni përzgjedhës. Prandaj nuk është e detyrueshme që numri i shpërblimeve të jetë një ose më shumë se një.

8. Fituesit e çmimeve të mëparshme dhe punonjësit aktualë të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, nuk mund të aplikojnë me punimet e tyre në këtë konkurs.

9. Studentët e interesuar për aplikim mund të aplikojnë:

– Duke dorëzuar punimet e tyre në version elektronik (PDF), në [email protected] të shoqëruar nga tri kopje me shkrim të dërguara në adresën e mëposhtme: Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), Attn. Çmimi i BQK-së për Ekonomistët e Rinj, Rruga Garibaldi nr 33, Prishtinë, Republika e Kosovës.

– Emrin e udhëheqësit të temës dhe universitetin/fakultetin përkatës.(Në rast se studentët bashkëpunojnë me pedagogët e tyre gjatë punimit të temës)
– Kopjen e letërnjoftimit.

10. Data e fundit për dorëzim do të jetë: 30 nëntor 2022.

Skip to content