Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, në kuadër të angazhimeve të saj për të mbështetur lehtësimin e qasjen në financa përmes digjitalizimit të shërbimeve financiare, në pajtim me Planin Strategjik dhe në bashkëpunim me Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit (ASHI) ka vendosur të shtoj në platformën shtetërore eKosova dy shërbime të saj: Regjistrin e Llogarive (RLLB) si dhe Regjistrin e Kredive të Kosovës (RKK). Kjo është e bërë e mundur përmes nënshkrimit të një Memorandumi të Bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve si dhe zhvillimeve të nevojshme teknike.

Me këto zhvillime, përmes platformës shtetërore eKosova, qytetarët pa kosto do të kenë mundësi të verifikojnë llogaritë e tyre në institucionet financiare të cilat raportojnë në Regjistrin e Llogarive, duke përfshirë statusin e llogarisë, si dhe mund të përdorin atë për qëllime të nevojave personale në zbatim të kërkesave tjera administrative. Gjithashtu, do të kenë mundësi të nxjerrin Raportin Kreditor individual direkt nga platforma shtetërore eKosova, pa pasur nevojë ta kërkojnë në mënyrë fizike nga BQK-ja. Profili i përdoruesit në platformën eKosova duhet të jetë në nivelin e avancuar të sigurisë (faktor i autentifikimit të dyfishtë), për të siguruar mbrojtjen e duhur të të dhënave si dhe qasjen e autorizuar vetëm nga pronari i llogarisë.

Po ashtu, për të lehtësuar procesin e tërheqjen së kursimeve pensionale të të pensionuarve, BQK-ja ka lidhur Memorandumin e Bashkëpunimit me Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës, përmes të cilit mundësohet validimi i drejtpërdrejtë i llogarive të qytetarëve, duke siguruar një proces më efikas për të pensionuarit, si dhe duke eliminuar vonesat dhe sfidat që lidhen me konfirmimet tradicionale nga bankat. Ky avancim dhe ndërlidhja e sistemeve kursen kohën e kontribuuesve dhe garanton një përvojë më të lehtë dhe të sigurt në administrimin e kursimeve të tyre pensionale, duke zëvendësuar praktikën e deritanishme.

BQK, së bashku me partnerët ndërkombëtar që ndihmojnë në procese të digjitalizimit të shërbimeve financiare, po punon edhe në disa avancime tjera teknike dhe operacionale, që zvogëlojnë koston dhe barrën administrative si dhe rrisin efikasitetin e ofrimit të shërbimeve financiare dhe transparencën. Këto nisma vijojnë zhvillimet e fundit në fushën e qasjes në financa, edukimit dhe gjithëpërfshirës financiare, siç ishte lansimi i Platformës për Krahasimin e Shërbimeve Financiare (https://krahaso.bqk-kos.org/).

Delegacioni nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), i udhëhequr nga Zëvendësguvernatori z. Dardan Fusha, mori pjesë në Forumin e Bankave Qendrore dhe Fondeve Sovrane në kuadër të Samitit Global të Fondeve dhe Financimit (GFF), i mbajtur në Qendrën Evropiane të Konventave në Luksemburg. Kjo ngjarje mblodhi së bashku akterë kyç të industrisë financiare globale për të diskutuar avancimet në fushën e pagesave, instrumenteve financiare, fondeve sovrane dhe menaxhimin e rezervave.

Gjatë vizitës, delegacioni i BQK-së zhvilloi takime me z. Philip Brown – Drejtor Gjeneral dhe përfaqësues tjerë të Clearstream Banking SA, një nga institucionet kryesore të tregtimit, shlyerjes dhe deponimit të instrumenteve financiare në Evropë. Diskutimet u fokusuan në vendosjen e raporteve përmes hapjes së llogarive, që të lehtësohen operacionet e menaxhimit të rezervave të BQK-së, duke mundësuar menaxhimin efektiv të instrumenteve financiare dhe kolateralit.

Zëvendësguvernatori Fusha dhe ekipi i tij u takuan edhe me zj. Claire Alexandre – përgjegjëse për Marrëdhëniet me Qeveritë Ndërkombëtare në PayPal, për të eksploruar mundësitë e bashkëpunimit që do të mundësonin ofrimin e shërbimeve të PayPal për qytetarët dhe bizneset e Kosovës. Të dy palët u pajtuan që një partneritet i tillë do të përbënte një hap të rëndësishëm drejt zgjerimit të qasjes në pagesat ndërkombëtare dhe promovimit të përfshirjes financiare, për çfarë do të vazhdojnë të punojnë.

Këto takime janë në përputhje me qëllimet strategjike të BQK-së dhe zotimet për të avancuar infrastrukturën e pagesave dhe instrumenteve financiare, për të nxitur integrimin me tregun e përbashkët evropian dhe për të promovuar digjitalizimin e shërbimeve financiare, sipas standardeve globale dhe zhvillimet teknologjike.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës sipas kalendarit të publikimeve, prezanton statistikat për institucionet tjera financiare (jobanka) për muajin dhjetor 2024.

Ndërmjetësit tjerë financiar

Asetet e ndërmjetësve tjerë financiarë në fund të muajit dhjetor 2024 kanë arritur vlerën e 650.740 milionë eurove, duke shënuar rritje për 10.39 milionë euro krahasuar me muajin paraprak.

Struktura e aseteve të këtyre institucioneve dominohet nga kreditë, të cilat përbëjnë 69.05% të gjithsej aseteve. Kreditë bruto të ndërmjetësve tjerë financiar për këtë muaj arritën vlerën e 449.37 milionë euro, e cila përfaqëson rritje për 11.99 milionë euro krahasuar me periudhën paraprake. Sipas sektorëve, kreditë ndaj ekonomive familjare dominojnë me 58.92% në gjithsej kreditë e ndërmjetësve tjerë financiar.

Vlera e kredive të reja të emetuara nga ndërmjetësit tjerë financiarë në muajin dhjetor 2024 ishte 53.68 milionë euro.

Kompanitë e sigurimeve

Asetet e kompanive të sigurimit në fund të muajit dhjetor 2024 arritën vlerën e 333.60 milionë eurove, e cila përfaqëson rritje për 1.13 milion euro krahasuar me muajin paraprak. Struktura e aseteve në sektorin e sigurimeve përbëhet nga bilanci me bankat komerciale, që përbëjnë 48.26%, letrat me vlerë dhe asetet e tjera 26.12% dhe risigurimet me pjesëmarrje 15.29%.

Fondet pensionale

Asetet e fondeve pensionale në fund të muajit dhjetor 2024 kanë arritur vlerën e 3.19 miliardë eurove. Struktura e aseteve të sektorit pensional dominohet nga letrat me vlerë të kapitalit, që përbëjnë 78.18% të gjithsej aseteve.

Të dhënat e plota mund t’i gjeni në këtë lidhje 🔗 https://bqk-kos.org/statistikat/serite-kohore/

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës sipas kalendarit të publikimeve, prezanton statistikat e bankave komerciale për muajin dhjetor 2024.

Asetet e bankave komerciale – në fund të muajit dhjetor 2024 kanë arritur vlerën e 8.56 miliardë eurove, duke shënuar rritje për 5.95% krahasuar me muajin paraprak, kryesisht për shkak të rritjes së aseteve të ndërlidhura me instrumentet financiare.

Kreditë bruto – për këtë muaj kanë arritur vlerën e 5.81 miliardë eurove, me rritje për 131.85 milionë euro ose 2.32% krahasuar me muajin paraprak.

Vlera e kredive të reja – ishte 264.1 milionë euro.

Norma mesatare e interesit në kredi – në dhjetor 2024 ishte 5.87%, në nëntor 2024 ka qenë 6.02%.

Depozitat e klientëve – kanë arritur vlerën prej 6.92 miliardë eurove, rritje për 342.77 milionë euro ose 5.21% krahasuar me muajin paraprak. Nga vlera e akumuluar e depozitave të klientëve, rreth 28.89% janë të afatizuara. Sipas sektorëve, ekonomitë familjare dominojnë me rreth 65.09% të gjithsej vlerës së depozitave apo rreth 4.51 miliardë euro.

Vlera e depozitave të reja – në muajin dhjetor 2024 ishte 150.70 milionë euro.

Norma mesatare e interesit në depozita – në muajin dhjetor 2024 ishte 3.39%, në nëntor ka qenë 2.87%.

Margjina e normës së interesit – në kredi dhe depozita ishte 2.48%, ku në muajin nëntor 2024 ishte 3.15%.

Raporti kredi-depozita – në muajin dhjetor 2024 ishte në nivelin prej 83.97%.

Gjithsej kapitali i bankave komerciale – në fund të muajit dhjetor 2024 arriti në vlerën prej 990.27 milionë eurove, ndërsa provizionet për kredi janë zvogëluar për rreth 4.05% krahasuar me muajin paraprak duke arritur vlerën e 135.29 milionë eurove.

Të dhënat e plota mund t’i gjeni në këtë lidhje 🔗 https://bqk-kos.org/statistikat/serite-kohore/

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka miratuar Udhërrëfyesin Strategjik për Menaxhimin dhe Mbikëqyrjen e Rreziqeve të lidhura me klimën dhe mjedisin në sektorin financiar (2025-2027), i cili është në përputhje me objektivat e Planit Strategjik të BQK-së për të krijuar një kornizë rregullative dhe mbikëqyrëse që adreson rreziqet klimatike dhe mjedisore.

Udhërrëfyesi Strategjik është në linjë me zotimet e Republikës së Kosovës për mjedisin si kandidat potencial për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe nënshkruese e Deklaratën e Sofjes, si dhe aktivitetet e programit të Republikës së Kosovës me FMN nga Marrëveshja për Qëndrueshmëri (RSF), ku përveç tjerash synon reformat klimatike dhe mjedisore për të rritur gatishmërinë ndaj krizave dhe rreziqet e tranzicionit.

Udhërrëfyesi Strategjik është hartuar duke marrë parasysh praktikat më rëndësishme ndërkombëtare dhe evropiane në kornizën rregullatore dhe mbikëqyrëse të rreziqeve të lidhura me klimën dhe mjedisin, duke përfshirë ato nga institucionet rregullatore dhe mbikëqyrëse evropiane dhe ato ndërkombëtare. Udhëzuesi është harmonizuar me praktikat e lartpërmendura në aspekt të pritshmërive rregullatore dhe mbikëqyrëse për identifikimin, vlerësimin, qeverisjen, menaxhimin dhe kontrollin e rreziqeve të lidhura me klimën ndaj të cilave janë të ekspozuara institucionet financiare.

Për të adresuar rreziqet financiare të lidhura me klimën brenda sektorit financiar, qëllimi kryesor i BQK-së është të sigurojë që bankat, institucionet financiare jo-bankare dhe kompanitë e sigurimeve të identifikojnë, të qeverisin, të matin, të menaxhojnë dhe të kontrollojnë siç duhet rreziqet që lidhen me klimën, sipas praktikave më të mira të përcaktuara në Udhëzues.

Udhërrëfyesi Strategjik është hartuar me mbështetjen e Qendrën Këshilluese për Sektorin Financiar (FinSAC) të Bankës Botërore dhe bazohet në parime dhe veprimet rregullatore, mbikëqyrëse, stabilitetit financiar, dhe të zgjerimit të ekspertizës dhe njohurive në këtë fushë.

Në linjë me miratimin e udhërrëfyesit strategjik, BQK paraprakisht ka ndërmarrë edhe hapa konkret lidhur me agjendën e gjelbër ku:

  • Është anëtarësuar në Rrjetin e Bankimit dhe Financave të Qëndrueshme (SBFN), si një mundësi për qasje në informacione dhe trajnime të avancuara që ndihmojnë ngritjen e kapaciteteve dhe adaptimin e instrumenteve të nevojshme rregullative për sektorin financiar, lidhur me rreziqet klimatike dhe standardet e ESG-së;
  • Ka miratuar Udhëzuesin për Raportimin e Ekspozimeve Kreditore nga bankat për kompanitë që ekspozohen ndaj kostove të tranziciont, që lidhen me zbatimin e mekanizmit të rregullimit të kufirit të karbonit, i cili kërkon mbledhjen e të dhënave të nevojshme lidhur me këto rreziqe dhe ndikimin e tyre të mundshëm për bankat, më 3 prill 2024;
  • Ka avancuar politikat e saj investuese duke përfshirë instrumentet e financimit të qëndrueshmërisë, në pajtim me kriteret e pacaktuara për financim të qëndrueshëm; dhe
  • Është angazhuar në mbështetje të sektorit financiar dhe në ndërtimin e kapaciteteve përmes pjesëmarrjes në konferenca, punëtori, forume me qëllim të zgjerimit të ekspertizës dhe njohurive në fushën e rreziqeve klimatike.

BQK-ja falënderon Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore për mbështetjen e vazhdueshme në funksion të ngritjes së kapaciteteve dhe avancimin e kornizës rregullative dhe mbikëqyrëse në funksion të stabilitetit financiar.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka miratuar Letrën Këshilluese për Kreditë e Sindikuara, që mundëson zgjerimin financimit të sektorit bankar ndaj huamarrësve vendorë për projekte të mëdha strategjike dhe afatgjatë, përfshirë projektet në energji të pastër dhe investime tjera që janë intensive në kuptim të kapitalit.

Korniza rregullative lehtëson aranzhimet e nevojshme dhe krijon mundësi shtesë të kreditimit të ekonomisë, duke diversifikuar rrezikun kreditor me kontribut në stabilitetit financiar, krahas stimulimit të investimeve në sektorë të caktuar të vendit.

Letra Këshilluese e cila paraqet pritjet mbikëqyrëse ka për qëllim krijim e kornizës rregullatore, zgjeron kapacitetet kredidhënëse të sektorit financiar që mbështet zhvillimin e ekonomisë, duke reduktuar rrezikun e koncentrimit, nxitjen e investimeve me pjesëmarrje më të gjerë duke nxitur potencialisht zhvendosje nga sektorët tradicional, njëkohësisht duke e rritur efikasitetin e procesit të financimit të projekteve të mëdha, në respekt të plotë të konkurrencës.

Krahas zhvillimit të tregut, bankat duhet të zhvillojnë politikat dhe procedurat e brendshme që lidhen me kreditë e sindikuara duke marrë parasysh Ligjin për Konkurrencën, në mënyrë që të sigurohet konkurrencë e drejtë në pajtim me praktika më të mira ndërkombëtare.

Udhëzuesi është hartuar duke marrë për bazë praktikat dhe legjislacionin  më të avancuar ndërkombëtar në përputhje me objektivat e përcaktuara në Planin Strategjik të BQK-së, me mbështetje nga USAID përmes aktivitetit “Promovimi i Investimeve dhe Qasjes në Financa në Kosovë”, si dhe me konsultime të gjera me sektorin financiar të realizuara nga BQK-ja dhe ekspertëve të USAID-it, duke përfshirë disa punëtori në funksion të ngritjes së kapaciteteve.

BQK-ja falënderon Shtetet e Bashkuara të Amerikës që përmes USAID ka mbështetur hartimin e Letrës Këshilluese si dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj BQK-së dhe sektorit në funksion të rritjes së qasjes në financa dhe zhvillimit të tregut financiar.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka miratuar Udhëzimin e ri Metodologjik për Raportimin e të dhënave në Sistemin e Regjistrit të Kredive të Kosovës (RKK), i cili ka për qëllim të avancojë mënyrën e raportimit të të dhënave në RKK nga ana e institucioneve kredidhënëse, të cilat të raportohen sipas formatit të specifikuar nga BQK.

Me implementimin e Udhëzuesit të ri do të sigurohen të dhëna më të detajuara lidhur me aftësinë paguese të huamarrësve, ngarkesën me borxh, kostot e kredisë, klasifikimin e kredive, qëllimin e shfrytëzimit të kredive, vlerën e kolateralit, gjininë e huamarrësve, aplikimet e refuzuara dhe ato në proces, si dhe përditësim i të dhënave kyçe të huamarrësve nga bankat dhe institucionet tjera kredidhënëse në RKK.

Në kuadër raportimit të kolateralit të huamarrësve në RKK, do të përfshihen informata të zgjeruar lidhur vlerën e regjistruar nga bankat dhe institucionet tjera kredidhënëse, vlerën e tregut, vlerën e rivlerësuar, dhe elemente tjera, për të mbikëqyrur pajtueshmërinë e institucioneve financiar për adekuatshmërinë e kapitalit, nivelin e provizioneve, si dhe praktikat e institucioneve kredi-dhënëse, përfshirë aspektet e mbrojtjes së konsumatorit.

Gjithashtu, përfshihen informata të rëndësishme të disagreguara në bazë gjinore të huamarrësve si një element i rëndësishëm që lidhet me projektin e BQK-së për qasjen e grave në financa, të mbështetur nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim përmes “WE Finance Code”.

Udhëzuesi do t’i shërbejë BQK-së gjatë hartimit të politikave ndaj sektorit financiar, avancimin e vendimmarrjes së bazuar në të dhëna si dhe njëkohësisht i ndihmon institucioneve financiare kredidhënëse për marrjen e vendimeve të mirë informuara gjatë procesit të lejimit të kredive si dhe në menaxhimin e rrezikut kreditor, që i kontribuon zhvillimit të sektorit si dhe stabilitetit financiar njëkohësisht. Zbatimi i udhëzuesit do të përfshijë përveç kredive të reja, edhe gjithë portofolin e kredive aktive me të dhëna të reja të kërkuara të cila do të zbatohen në faza.

Avancimi i këtij Udhëzuesi është bërë në konsultim me institucionet financiare zbatuese, duke i paraprirë një procesi të ngritjes së kapaciteteve njerëzore dhe teknike për zbatim të këtij Udhëzuesi, ndërsa ka pasur ndihmën e ekspertizës së Korporatës Financiare Ndërkombëtare me të cilën BQK-ja është duke bashkëpunuar me projektin për Shërbimet Financiare Digjitale.

Guvernatori Ismaili dhe Zëvendësguvernatori Fusha u pritën në takim bilateral në selinë e Bankës Qendrore të Italisë (Banca d’Italia) nga Guvernatori Panetta dhe Zëvendësguvernatorja Scotti, ku u diskutua lidhur me bashkëpunimin institucional, ecuritë dhe zhvillimet aktuale ekonomike, sektorin financiar si dhe planet strategjike.

Takimi u fokusua në projektin më të ri të dakorduar për pagesa të shpejta, i cili gjatë ditës, në një ceremoni të organizuar, u nënshkrua ndërmjet Bankës së Italisë, Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, si dhe bankave qendrore nga Shqipëria, Mali i Zi dhe Bosnja dhe Hercegovina.

Banka e Italisë, me aprovimin e Këshillit Drejtues të Bankës Qendrore Evropiane, si zhvilluese dhe operatore e sistemit të pagesave të shpejta të Eurosistemit (TIPS), do të ndërtojë sistemin TIPS Clone për të ofruar këtë infrastrukturë edhe për disa nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Marrëveshja e cila u nënshkrua sot bën që Banka e Italisë ta zhvillojë këtë sistem për disa prej vendeve të rajonit, përfshirë Kosovën. Ky projekt përfaqëson projektin më të rëndësishëm infrastrukturor dhe strategjik të realizuar nga BQK, në arritjen e objektivit dhe planit të saj strategjik. Një projekt i tillë paraprakisht është mbështetur nga Bordi i BQK-së, pas një analize disa mujore dhe pune intensive të ekipeve tona në nivel rajonal, si dhe takimeve të nivelit të lartë të mbajtura në Washington D.C., gjatë takimeve vjetore në vitin 2024.

Ky partneritet strategjik me Bankën e Italisë shënon një moment historik dhe vendos Kosovën në një nivel ku do të përfitojë nga ekspertiza profesionale dhe teknike, duke marrë një sistem që aktualisht Eurosistemi e përdor, deri tek përfitimet e tjera të rëndësishme në rrugën integruese, që pritet të materializohen me anëtarësimin e Kosovës në SEPA. Përveç të tjerash, çdo zhvillim i ri në sistemin e BE-së pritet të përditësohet në vijimësi edhe për Kosovën ndër vite, duke mbajtur kështu infrastrukturën e pagesave të Kosovës në hap me zhvillimet dhe inovacionet në BE.

Sipas planifikimeve të dakorduara, sistemi pritet që brenda 18-muajsh nga nisja e realizimit të jetë i gatshëm, ndërsa secili vend do të bëjë edhe përgatitjet e duhura për ndërlidhje dhe vendosje në funksion të tij. Fillimisht për pagesa lokale ndërmjet ofruesve të shërbimeve të pagesave, duke mundësuar transfertat nga një llogari në tjetrën brenda disa sekondave, të cilat mundësohen përgjatë 24/7, me qëllimin që pas hyrjes në SEPA të mundësojë edhe pagesa ndërkufitare dhe përfundimisht të ndërlidhet me sistemet e pagesave të Bashkimit Evropian.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës shpreh falënderimin ndaj Bankës së Italisë, Guvernatorit Panetta, Zëvendësguvernatores Scotti, si dhe homologëve nga bankat qendrore të rajonit që kanë mbështetur dhe janë bashkuar në këtë nismë, duke mundësuar këtë projekt të infrastrukturës strategjike dhe kritike, në një kohë kur, përveç zhvillimeve teknologjike dhe risqeve që sjell ajo, edhe aspekti gjeopolitik paraqitet i rëndësishëm. Zhvillimi i sistemit nga ekipi i profesionistëve të Bankës së Italisë paraqet një faktor të rëndësishëm në suksesin e tij.

BQK është e përkushtuar të avancojë më tutje sektorin financiar, me projekte konkrete që ndihmojnë në arritjen e objektivave, me efekte të gjera për bizneset, qytetarët dhe ekonominë në përgjithësi, ndërsa bashkëpunimi ndërkombëtar ofron mbështetje në arritjen e tyre.

Krahas këtij sistemi që në mënyrë rrënjësore do të ndikojë pozitivisht në qarkullimin e parasë në ekonomi, BQK-ja do të zhvillojë edhe infrastrukturë plotësuese, që do të mbështesë instrumentet e reja, duke reduktuar paranë e gatshme dhe kostot e transaksioneve, gjë që ndihmon në disa aspekte ekonominë e vendit në kuptim të gjerë.

Komunikatën e përbashkët për medie mund ta lexoni këtu 🔗 https://shorturl.at/mzdHc

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) në kuadër të angazhimit të saj për Edukimin Financiar ka lansuar sot në fazë testuese Platformën për Krahasimin e Produkteve dhe Shërbimeve Financiare. Faza e testimit do të zgjasë për një kohë të caktuar, derisa merren komente dhe finalizohet legjislacioni përkatës.

Platformë ka për qëllim të ofrojë transparencë më të madhe në tregun financiar, duke ndihmuar qytetarët të marrin informacione të detajuara mbi normat e interesit dhe tarifat për produktet dhe shërbimet më të përdorura financiare të ofruara nga institucionet financiare për individ. Platforma u mundëson qytetarëve të krahasojnë ofertat e ndryshme të sektorit bankar për produktet e njëjta për të bërë zgjedhjen më të përshtatshme sipas nevojave të tyre.

Qëllimi i Platformës është të mbështesë Edukimin Financiar, të rrisë transparencën dhe mbrojtjen e konsumatorëve, si dhe të avancojë qasjen në financa për qytetaret në vend.

Në këtë fazë në Platformë janë shpalosur produktet dhe shërbimet më të përdorura financiare për individ në sektorin bankar, megjithatë planifikohet që të zhvillohet dhe plotësohet me informata shtesë për sektorin bankar, si pjesa e pagesave – transferëve bankare, pastaj me produkte për institucionet mikrofinanciare, institucionet financiare jo-bankare dhe produkte të kompanive të Sigurimeve.

Institucionet financiare do të jenë përgjegjëse për saktësinë, përditësimin dhe vërtetësinë e të dhënave të paraqitura, pas përfundimit te fazës testuese.

Platforma për Krahasimin e Produkteve dhe Shërbimeve Financiare është një web aplikacion, i cili është i disponueshëm në tri gjuhë: shqip, serbisht dhe anglisht. Konsumatorët mund ta përdorin atë lehtësisht pavarësisht nga pajisja e përdorur, si desktop, laptop, telefona të mençur dhe tablet.

Kjo platformë është e qasshme përmes web faqes zyrtare të BQK-së në www.bqk-kos.org, tek pjesa e portaleve të BQK-së, apo drejtpërdrejt në https://krahaso.bqk-kos.org. Qytetarët mund të mësojnë më shumë mbi funksionalitetet e saj përmes materialeve udhëzuese dhe videove të publikuara në faqen zyrtare të Edukimit Financiar të BQK-së, përkatësisht në linkun https://bqk-kos.org/edu/.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar në zhvillimin e projekteve që rrisin edukimin financiar dhe mbështesin interesat e qytetarëve për një qasje më të lehtë dhe transparente në tregun financiar.

Realizimi i Platformës është mundësuar me mbështetjen e Fondit Evropian për Evropën Juglindore (EFSE), zyra në Kosovë, të cilët kanë ofruar mbështetje të vazhdueshme për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës në shumicën e projekteve dhe iniciativave të Edukimit Financiar. EFSE synon të nxisë zhvillimin ekonomik dhe prosperitetin në Evropën Juglindore dhe Rajonin Fqinjë të Evropës Lindore. Për më shumë informacion mbi Fondin Evropian për Evropën Juglindore (EFSE) ju lutemi vizitoni www.efse.lu/ dhe për Finance in Motion GmbH vizitojeni www.finance-in-motion.com.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, z. Ahmet Ismaili shpalosi para  mediave dhe gazetarëve, Prezantimit Vjetor 2024, si organizim tradicional në prag të fundvitit.

Në fjalën e tij hyrëse, duke shprehur falënderimet ndaj mediave dhe gazetareve për punën e tyre të rëndësishme në informimin e publikut për sektorin financiar dhe për avancimin e edukimit financiar, që kontribuojnë edhe në cilësinë e shërbimeve financiare në vend.

Prezantimi nisi me treguesit e zgjedhur makroekonomikë, ku u theksua se projeksionet e BQK-së janë që rritja ekonomike në Kosovë pritet të jetë rreth 4.3 për qind, kurse shkalla e inflacionit rreth 1.6 për qind. Në anën tjetër, dërgesat e mërgatës deri më muajin shtator 2024 arritën vlerën e 1 miliard eurove, ndërsa Investimet e Huaja Direkte deri në shtatorit 2024 arritën vlerën e 657.3 milionë eurove.

Sa i përket sektorit financiar, u ri-konfirmua se sistemi financiar në vend është i qëndrueshëm, stabil, likuid dhe mirë i kapitalizuar, me cilësi të lartë të aseteve është avancim në gjithë përfshirjen dhe qasja financiare të qytetarëve. Me masat e ndërmarra nga BQK, që njohura pozitivisht edhe nga vlerësimet ndërkombëtare për vendin në proceset integruese, është rritur dukshëm integriteti i sektorit financiar dhe rregulluar furnizimi me para i ekonomisë, është luftuar dukuria e parave të falsifikuara, është avancuar edukimi financiar, si dhe janë ndërmarrë veprime në aspekt të zbatimit të ligjshmërisë në sektorin financiar sipas legjislacionit përkatës.

Progres i theksuar është shënuar në avancimin e kornizës ligjore dhe rregullative të BQK-së, ndërsa po vazhdojnë reformat e nisura në avancimin e mbikëqyrjes financiare në banka, sigurime, institucione financiare jo bankare, fonde pensionale, si dhe sistemin e pagesave. Vendime të rëndësishme janë ndërmarr në këto drejtime, derisa partneriteti ndërkombëtar përmes asistencave të nevojshme teknike, po mbështet fuqimisht këto reforma.

Fillimi i zbatimit të shtesave të kapitalit si instrumente makroprudenciale në njërën anë, krahas rritjes substanciale të kontributit të bankave në Fondin e Sigurimit të Depozitave, e përcjellë me reformën e nisur në legjislacionin përkatës, do të ketë ndikim pozitiv si në rritjen e bazës se depozitorëve ashtu edhe të kreditimit dhe shërbimeve tjera të ndërlidhura.

Sipas Guvernatorit Ismaili, kreditimi është rritur në mënyrë të kënaqshme, duke e mbështetur ekonominë, ndërsa pritet që sektori të rrisë edhe më tej konkurrueshmësinë dhe të ofrojë sa më shume produkte adekuate për kontekstin lokal të sektorit financiar të vendit. Legjislacioni i ri pritet të ndikoje pozitivisht në këtë drejtim, bashke me fuqizimin e sektorit financiar.

Treguesi i kredive jo-performuese (NPL) vazhdon të mbetet i ultë prej 2% sipas të dhënave të muajit nëntor 2024, përkatësisht 2.4 për qind për sektorin e ndërmarrjeve dhe 1.5 për qind për ekonomitë familjare.

Për sa i përket performacës së sektorit financiar, numri i llogarive ka arritur në 2.5 milionë prej të cilave mbi 1 milion kanë qasje në shërbimet e e-bankingut. Numri i transaksioneve në POS brenda një viti është rritur me 39%, ndërsa numri i transaksioneve në ATM deri në fund të muajit nëntor 2024 është rritur vetëm me 4%.

Vlen të theksohet se si rezultat i zbatimit të plotë të Llogarisë së Pagesës me Shërbime Bazike, deri më tani janë konvertuar rreth 390 mijë llogari si të tilla, duke ndikuar drejtpërdrejt në koston e transaksioneve bankare të qytetareve tanë.

Në prezantim të reformave të brendshme organizative, ai theksoi se është rishikuar struktura organizative duke u fokusuar në objektivat dhe planin strategjik, i cili potencoi se “është funksionalizuar Bordi Ekzekutiv, është forcuar qeverisja korporatave dhe janë funksionalizuar të gjitha strukturat e nevojshme të BQK-së, siç është konfirmuar edhe nga raportet ndërkombëtare”.

Në kuadër të avokimit dhe ndërkombëtarizimit të BQK dhe sektorit financiar, Guvernatori Ismaili tregoi se janë zhvilluar dhjetëra vizita me institucionet financiare ndërkombëtare, si dhe takime me përfaqësitë ndërkombëtare, që veprojnë në Republikën e Kosovës.

Gjithashtu, ai bëri me dije se BQK gjatë këtij viti ka përmbyllur para-aplikimin për Zonën Unike të Pagesave në Euro e njohur si SEPA te Komisioni Evropian. Menjëherë pas miratimit të tri ligjeve të rëndësishme për sektorin financiar, si: Ligji për Bankat, Ligji për Shërbimet e Pagesave dhe plotësim/ndryshimet e Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit, Bordi i BQK-së miratoi njëzet rregulloret përkatëse të cilat ishin të nevojshme për aplikim dhe të cilat hyjnë në fuqi pas hyrjes në fuqi të ligjeve respektive.

Duke folur për projektet dhe aktivitet strategjike që lidhet me gjithë përfshirjen financiare të qytetarëve, Guvernatori Ismaili ka treguar se janë bërë përmirësime në pjesën e mbrojtjes së konsumatorit, ku është krijuar Departamenti i ri, me qëllim të shqyrtimin e praktikave të tregut.

Tutje, ai ka potencuar se është avancuar dhe rritur numri i publikimeve në kanalet e komunikimit të BQK-së (web faqe dhe rrjete sociale), duke përfshirë publikime të rregullta të ngjarjeve, zhvillimeve dhe infografikave që janë të interesit për publikun, prandaj me qëllim të përmbushjes së vizionit të saj për përmirësim të transparencës, avancimit të komunikimit me publikun, ndërgjegjësimit dhe promovimit të edukimit financiar dhe gjithë përfshirjen financiare për të gjithë qytetarët, tashmë ka ridizajnuar dhe lëshuar në përdorim web-faqen e saj të re.

Po ashtu, Guvernatori Ismaili ka treguar se tashmë është funksionalizuar dhe po lansohet Platforma për Krahasimin e Produkteve dhe Shërbimeve Financiare në kuadër të edukimit financiar, zhvilluar për t’u përdorur nga konsumatorët për informimin dhe krahasimin e tarifave të produkteve dhe shërbimeve që ofrohen nga institucionet financiare.

Guvernatori Ismaili ka folur edhe për përfundimin me sukses së ngjarjes së shënimit të 25-vjetorin e themelimit të BQK-së me një Konferencë Ndërkombëtare të nivelit të lartë, ku morën pjese udhëheqës të lartë të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Grupit të Bankës Botërore (BB), zyrtarë të lartë të institucioneve të vendit dhe ndërkombëtare, guvernatorë dhe zëvendësguvernatorë nga bankat qendrore të BE-së e më gjerë, si dhe drejtues të institucioneve të tjera financiare.

Në këtë ngjarje po ashtu është bërë ndarja e Çmimit të BQK-së “Ekonomisti i ri”, ku me qëllim të nxitjes dhe motivimit për aktivitetin hulumtues me punimet e tyre.

BQK shfrytëzon rastin të falënderoj me mirënjohje dhe uroj në këtë fundvit të gjithë stafin për punën dhe angazhimin e palodhshëm, menaxhmentin dhe Bordin e BQK-së, ndërsa shpreh falënderimet për institucionet e Republikës së Kosovës, institucionet e Bashkimit Evropian, mediat e shoqërinë civile, dhe të gjithë partnerët ndërkombëtar që kanë kontribuar në arritjen e këtyre rezultateve, si dhe do të mbështesin BQK-në në realizimin e objektivave, detyrave dhe qëllimeve strategjike të vendosura.

Skip to content