Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ri-konfirmoi përkushtimin e saj në gjithëpërfshirjen financiare dhe qasje të barabartë në financa, me rastin e lansimit të Doracakut për Barazi Gjinore dhe Përfshirje Sociale (GESI), të mbështetur nga USAID-i në bashkëorganizim me Shoqatën e Bankave të Kosovës.

Gjatë fjalimit, Zëvendësguvernatorja Znj. Nesrin Shileku-Shala theksoi përpjekjet dhe angazhimet e BQK-së në adresimin e mos-përfshirjes financiare dhe nxitjen e një sistemi financiar gjithëpërfshirës. Ajo theksoi se përmirësimi i qasjes në financa për grupet e pashërbyera apo nënshërbyera, veçanërisht gratë, nuk është vetëm një çështje drejtësie, por edhe një shtytje për përparim më të gjerë shoqëror dhe ekonomik.

Bazuar në objektivat strategjike të BQK-së për periudhën 2024–2028, Zëvendësguvernatorja Shileku-Shala foli për projektet bashkëpunuese me institucionet financiare ndërkombëtare, duke përfshirë iniciativat që synojnë adresimin e sfidave me të cilat përballen grupet e pashërbyera apo nënshërbyera, në mënyrë që të sigurohet pjesëmarrje më e gjerë në sistemin financiar të Kosovës. Në fjalimin e saj, Zëvendësguvernatorja rikonfirmoi rolin e BQK-së për ndërtimin e një ekonomie të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse përmes reformave dhe iniciativave strategjike me partnerët vendor dhe ndërkombëtar.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti ka thënë se gjatë vitit 2019 sektorët që i ka nën përgjegjësi BQK-ja kanë performuar mirë.

Në konferencën përmbyllëse me gazetarë, Guvernatori Mehmeti ka bërë të ditur se sektori bankar edhe këtë vit vazhdoi me rritje të lartë të kreditimit, përmirësim të kushteve për qasje të sektorit privat në kredi, si dhe rritje të qëndrueshmërisë financiare. 

Sipas Guvernatorit Mehmeti deri në fund të tetorit 2019, kreditë e sektorit bankar kanë arritur vlerën prej 2.98 miliardë euro. Rritja vjetore e kredive mbetet e lartë me normë vjetore prej 10%, përderisa burimi kryesor i financimit të aktivitetit të sektorit bankar vazhdojnë të jenë depozitat, shuma e të cilave gjatë kësaj periudhe arriti në 3.75 miliard euro që paraqet një rritje vjetore mjaft të lartë prej 16%. 

“Normat e interesit në kredi vazhduan trendin rënës, duke zbritur në 6.5% nga 6.6% sa ishin në periudhën e njëjtë të viti të kaluar, gjë që reflekton përmirësimin e vazhdueshëm të kushteve të tregut dhe lehtësimin e qasjes në financim bankar. Vlen të theksohet posaçërisht cilësia shumë e mirë e portofolit kreditor me një normë të kredive joperformuese prej vetëm 2.1% në tetor 2019, e cila shënoi rënie të mëtutjeshme në krahasim me vitin e kaluar kur ishte 2.7%. Me zhvillime të favorshme u karakterizua edhe sektori i fondeve pensionale. Vlera e aseteve të sektorit pensional në shtator 2019 arriti në 1.92 miliard euro, duke shënuar rritje vjetore prej 8.8%. Kthimi nga investimet e fondeve pensionale ishte mjaftë i kënaqshëm, ku gjatë periudhës janar-shtator u investuan 138 milionë euro, gjë që tregon për rritje të vlerës së kursimeve pensionale të qytetarëve. Një sektor tjetër i rëndësishëm i sistemit financiar është sektori i institucioneve mikrofinanciare dhe institucioneve jobankare, i cili po vazhdon ta përshpejtojë ritmin e kreditimit. Gjithsej vlera e kredive të këtij sektori në tetor 2019 arriti në 217.1 milion euro, duke shënuar një rritje vjetore prej 22.2%. Gjatë këtij viti, normat e interesit efektiv janë zvogëluar nga 23.1% në 20.3%. Sektori i sigurimeve vazhdoi të rrisë aktivitetin sigurues, si dhe kompensimin e dëmeve për të siguruarit. Gjithsej vlera e shkruar e primeve nga kompanitë e sigurimeve deri në shtator 2019 ishte 74 milionë euro, e cila paraqet një rritje vjetore prej 7.1%. Në anën tjetër, vlera e dëmeve të paguara arriti në 37.9 milionë euro, duke shënuar një rritje vjetore prej 7.3%. Raporti ndërmjet dëmeve të paguara dhe primeve të pranuara arriti në 51.2%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kur ky raport ishte 51.1%”, tha Guvernatori Mehmeti duke shtuar se BQK-ja po angazhohet në vazhdimësi për të siguruar trajtimin korrekt të dëmeve nga kompanitë e sigurimeve. 

Guvernatori Mehmeti përmendi edhe vendimet e marra nga BQK-ja me qëllim të ruajtjes së stabilitetit financiar në vend.

“Me qëllim të sigurimit të stabilitetit financiar dhe si pasojë e mospërputhjes me kërkesat rregullative dhe mosrespektimit të masave përmirësuese të BQK-së, në vitin 2019, në rolin e saj prej rregullatorit dhe mbikëqyrësi të institucioneve financiare, BQK-ja i ka revokuar licencën kompanisë “Insig” SH.A., Dega Kosovë. Gjithashtu, me qëllim të mbrojtjes së palëve të dëmtuara prej të siguruarve nga autopërgjegjësia dhe krijimit të kushteve të nevojshme për zhvillim të qëndrueshëm të sektori të sigurimeve, BQK-ja ka përshtatur tarifat e Kategorisë I për sigurimin e detyrueshëm nga autopërgjegjësia ndaj palës së tretë të cilat ishin të pandryshuara që nga vitit 2001. Pak kohë më parë, siç edhe jeni të njoftuar, BQK-ja ka revokuar licencat për dy institucionet: IMF “Iute Credit Kosovo” Sh. A. dhe për IFJB “Monego”, të cilat gjatë viteve të operimit në tregun tonë, në vazhdimësi kanë devijuar nga planet e tyre të biznesit në bazë të të cilave kishin marrë licencat për të operuar në Kosovë, duke i sjellë kështu tregut tonë diçka tjetër prej asaj që kishin premtuar që do të sjellin. Lidhur me këtë proces, ne po vërejmë forma të ndryshme të presionit publik ndaj këtyre vendimeve, por dëshirojmë të ritheksojmë se BQK ka vepruar në përputhje të plotë me mandatin e saj ligjor dhe jemi të bindur se veprimi jonë është i drejtë, prandaj asnjë formë e presionit publik nuk mund të çojë në rishikimin e këtyre vendimeve. Ne e respektojmë plotësisht të drejtën e palëve për të ndjekur rrugët ligjore për të parashtruar ankesë ndaj këtyre vendimeve dhe kërkojmë nga palët e afektuara nga këto vendime që të ndjekin rrugët ligjore. Ne jemi të gatshëm që në çdo kohë të dëshmojmë dhe të sqarojmë bazën mbi të cilën kemi marrë këto vendime”, tha Guvernatori.

Ai tha se Banka Qendrore e Republikës së Kosovës vazhdon të veprojë në funksion të mbështetjes së zhvillimit të qëndrueshëm të sistemit financiar, duke siguruar infrastrukturën e nevojshme ligjore për të mbështetur zhvillimin e institucioneve financiare dhe në të njëjtën kohë duke u siguruar stabilitet financiar. 

Harmonizimi i kornizës rregullatore me zhvillimet e fundit ndërkombëtare në këtë fushë, më konkretisht në Bashkimin Evropian, ka vazhduar të jetë prioritet i rëndësishëm i BQK-së edhe gjatë këtij viti, me ç’rast janë përpiluar rregullore të ndryshme të cilat avancojnë aspekte të ndryshme të rregullativës bankare e në veçanti atë të qeverisjes korporative të bankave.

Një nga fushat ku BQK-ja ka pasur një fokus të madh ka qenë edhe mbrojtja e konsumatorëve për të cilin ka pasur një angazhim të shtuar me qëllim të mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve të shërbimeve financiare, duke i shërbyer kështu në mënyrë të drejtpërdrejtë mbrojtjes së interesit të publikut. 

Gjithashtu, këtë vit BQK ka avancuar programet e edukimit financiar dhe ka aplikuar masa korrektuese ndaj institucioneve financiare me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve. Kjo fushë do të vazhdoj të ketë prioritetin e lartë edhe në vitin e ardhshëm.

Guvernatori Mehmeti ka bërë të ditur se bazuar në vlerësime preliminare, rritja ekonomike për vitin 2019 pritet të jetë rreth 4.2%, rritje kjo e mbështetur kryesisht nga rritja e investimeve dhe përmirësimeve në eksportet neto. 

Ritëm i ngjashëm i rritjes ekonomike, sipas parashikimeve të BQK-së, pritet edhe në vitin e ardhshëm. 

Norma mesatare e inflacionit vjetor deri në nëntor 2019 është rritur për 2.8%, në krahasim me normën prej 0.9% në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Rritja e normës së inflacionit gjatë këtij viti kryesisht është rezultat i rritjes së çmimeve të ushqimit.

Po ashtu, BQK-ja ndau edhe çmimin “Ekonomist i Ri”, ku bazuar në vlerësimin e komisionit çmimi i parë iu nda Jeton Shatrit për studimin me titull: “Faktorët që Influencojnë Kënaqësinë e Punonjësve: Një Studim i Sektorit Privat Bankar të Kosovës”, ndërsa çmimi i dytë Blina Zhubit për studimin me titull: “Efektet e transaksioneve elektronike me fokus në luftimin e informalitetit: Trendet e realizimit të transaksioneve elektronike në Kosovë’’.

Sot, më 6 dhjetor 2019, Bordi Ekzekutiv i BQK-së, duke u bazuar në kompetencat që i garanton neni 36 paragrafi 1, nënparagrafët 1.11 dhe 1.12, si dhe neni 67 paragrafët 1 dhe 2 të Ligjit për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, si dhe në pajtim me nenin 105, paragrafi 1, nënparagrafi 1.10 të Ligjit për Bankat, Institucionet Financiare dhe Institucionet Financiare Jobankare, ka vendosur që të revokojë regjistrimin dhe të inicojë procedurat e likuidimit për institucionin mikrofinanciar “Iute Credit Kosovo” Sh. A. dhe për institucionin financiar jobankar “Monego”.

Përmes politikës së saj të licencimit, BQK-ja në vazhdimësi synon që të ofrojë kushte sa më të mira për qasje në financa në Kosovë, duke mundësuar operimin në tregun tonë financiar vetëm të institucioneve të cilat i kontribuojnë stabilitetit dhe zhvillimit të sistemit financiar dhe, rrjedhimisht, edhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të vendit.

Mbi këtë bazë, BQK-ja kishte licencuar edhe dy institucionet e lartpërmendura, të cilat në dokumentacionin përmes të cilit kishin aplikuar dhe në bazë të të cilit i ishte dhënë licenca për të operuar në Kosovë, kishin ofruar planet e tyre se si planifikojnë ta zhvillojnë veprimtarinë e tyre në Kosovë.

Sidoqoftë, gjatë këtyre viteve të operimit në tregun tonë, këto institucione në vazhdimësi kanë devijuar nga planet e tyre të biznesit në bazë të të cilave kishin marrë licencat për të operuar në Kosovë, duke i sjellë kështu tregut tonë diçka tjetër prej asaj që kishin premtuar që do të sjellin.

Devijimi më i rëndësishëm dhe më shqetësues nga planet e tyre të biznesit, në bazë të të cilave kishin marrë licencën, ka të bëjë me normat e interesit që këto institucione kanë aplikuar në kredi, të cilat kanë rezultuar të jenë shumëfish më të larta në krahasim me normat që këto institucione kishin paraparë në dokumentacionin e aplikimit për kredi, i cili paraqet një element shumë të rëndësishëm në procesin e marrjes së vendimit për aprovimin e licencave për institucionet financiare.

Normat e interesit që kanë aplikuar këto institucione janë jashtë çdo standardi, qoftë nëse i krahasojmë me vetë projeksionet e këtyre institucioneve, qoftë në raport me normat e interesit në kredi që aplikohen nga institucionet tjera financiare në vend.

BQK-ja në vazhdimësi është përpjekur që përmes masave të parapara administrative të shtyjë këto institucione që t’i adresojnë këto probleme, por ato nuk kanë rezultuar të suksesshme për shkak të mosgatishmërisë së këtyre institucioneve për të ndërmarrë korrigjimet e nevojshme.

Për këtë arsye, ne vlerësojmë se këto institucione kanë dështuar t’i sjellin tregut tonë rezultatet e pritura dhe, përkundrazi, me veprimtarinë e tyre kanë rrezikuar aftësinë paguese të huamarrësve dhe me këtë kanë paraqitur rrezik edhe për stabilitetin financiar të vendit.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që të krijojë kushte për rritjen e konkurrencës së shëndoshë në tregun tonë financiar, duke mundësuar një konkurrencë të drejtë ndërmjet institucioneve financiare të cilat sigurojnë rritje të qasjes në financa dhe përmirësim të kushteve të qasjes në financa, por nuk do të lejojë asnjëherë operimin e atyre institucioneve të cilat nuk zbatojnë kërkesat rregullative dhe ligjore të vendit, dhe të cilat shfrytëzojnë kushtet e vështira financiare në të cilat mund të gjendet një pjesë e popullsisë tonë, duke sjellë shërbime të cilat i varfërojnë edhe më tepër dhe e vështirojnë edhe më tepër jetën e tyre.

Ne jemi të vetëdijshëm për përgjegjësitë që kemi edhe në raport me sigurinë kombëtare të vendit, prandaj ne mbetemi të përkushtuar që në kuadër të fushës sonë të përgjegjësisë, në bashkëpunim me të gjitha autoritetet tjera relevante, të mos lejojmë asnjë aktivitet që mund të cenojë sigurinë tonë kombëtare.    

Në Agjencinë e Mbikëqyrjes së Sigurimeve të Maqedonisë së Veriut sot u mbajt një takim i nivelit të lartë midis anëtarëve të Këshillit të Ekspertëve, Sulejman Ahmedi dhe Igor Ivanovski dhe delegacionit nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës i kryesuar nga Guvernatori, Fehmi Mehmeti.

Qëllimi i takimit ishte rritja e bashkëpunimit në fushën e sigurimeve dhe lehtësimet  dhe dobitë që mund të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve nga ky bashkëpunim, duke pasur parasysh fluksin e lartë të lëvizjes së kapitalit dhe të qytetarëve të këtyre dy vendeve fqinje.

Siç u potencua edhe nga guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti pala kosovare janë të gatshëm për bashkëpunim, të cilin e quajti të rëndësishëm  dhe shpreson në arritjen e rezultateve konkrete të cilat do të jenë të dobishme për të dyja vendet.         

Përfaqësues të lartë të BQK-së dhe të institucioneve ndërkombëtare diskutuan në lidhje me efektet e fushëveprimit financiar në zhvillim e sipër, mundësitë dhe rreziqet për zhvillimin e sektorit financiar në ekonomitë në zhvillim – perspektiva e Ballkanit Perëndimor.

Panelistët e sesionit të dytë: Ratna Sahay, Zëvendësdrejtoreshë e Departamentit të Tregjeve Monetare dhe Kapitale nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, Nikola Fabris, Zëvendësguvernator i Bankës Qendrore të Malit të Zi, Gent Sejko, Guvernator i Bankës së Shqipërisë, Anita Angelovska Bezhoska, Guvernatore e Bankës Qendrore të Maqedonisë së Veriut, Sokol Havolli, Zëvendësguvernator i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës dhe Jasmin Mahmuzić, Drejtor i Agjencionit Bankar të Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës diskutuan se si mund të jetë e ardhmja e sektorëve tradicionalë bankarë dhe a po rritet rëndësia e financimit jo bankar në vitet e fundit.

Panelistët diskutuan për rëndësinë e zhvillimeve teknologjike dhe nëse ky sektor po e bënë më të ndërlikuar ruajtjen e stabilitetit financiar.

Gjithashtu pika të tjera të diskutimit ishin edhe për mundësitë dhe rreziqet për zhvillimin e sektorit financiar në përgjithësi dhe në ekonomitë e tregut në veçanti, në theks të veçantë perspektiva e Ballkanit Perëndimor.

Në fund të sesionit të pranishmit kanë mundur t’iu parashtrojnë pyetje panelistëve rreth temave të diskutuara.

“BQK ka shënuar progres të madh në të gjitha shtyllat e aktivitetit të saj, duke arritur të ndërtojë një sistem modern të pagesave dhe duke ofruar shërbime efikase të furnizimit me para të gatshme për ekonominë; kornizë rregullative financiare në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe kapacitete të avancuara mbikëqyrëse; statistika cilësore dhe analiza ekonomike e financiare të cilat i ofrojnë autoriteteve vendimmarrëse dhe publikut një kuptim të drejtë të zhvillimeve në ekonominë e vendit; si dhe në vazhdimësi ka treguar efikasitet të lartë në ofrimin e shërbimeve bankare për Qeverinë dhe qytetarët”, ka deklaruar Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti në Konferencën Ndërkombëtare të nivelit të lartë “RREZIQET DHE MUNDËSITË NË NJË SEKTOR FINANCIAR DINAMIK- RRUGA ZHVILLIMORE”, që po mbahet në kuadër të shënimit të 20 vjetorit të themelimit të BQK-së.

Guvernatori Mehmeti tha se pa ndihmën e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare nuk do të ishte e mundur të arrihen sukseset që BQK-ja ka arritur deri më sot.

Nga ana tjetër, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi deklaroi se Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka shënuar rezultate të mëdha duke mundësuar, që Kosova të ketë sistem modern të pagesave në sistem të mirëfilltë bankar. 

“Në dukje ishte një hap i vogël, por në të vërtet ishte një hap i madh, sepse aty u vunë themelet e sistemit të mirëfilltë bankar. Me këtë rast duhet t’i falënderoj të gjithë themeluesit dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, e në veçanti Fondin Monetar Ndërkombëtar për asistencën teknike që kishte dhënë. Me shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe miratimin e pakove ligjore përkatëse filloi një periudhë e re për BQK-në dhe për zhvillimin ekonomik të Republikës së Kosovës. Që nga atëherë, BQK-ja ka shënuar suksese të mëdha, që kanë rezultuar me rritje ekonomike të vazhdueshme, me stabilitet financiar, me sistem modern të pagesave, me rregullim financiar dhe me ngritje të kapaciteteve të avancuara mbikëqyrëse”, tha Presidenti Thaçi.

Kurse, Zëvendësdrejtori i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Tao Zhang tha se BQK ka arritur progres mbresëlënës për këto dy dekada.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës sipas legjislacionit në fuqi është institucion i pavarur dhe përgjegjës për licencimin, mbikëqyrjen dhe rregullimin e institucioneve financiare në Republikën e Kosovës.

Një ndër objektivat kryesore të saj është që të nxisë dhe të mbajë një sistem financiar stabil, i cili ofron sigurinë e nevojshme për të gjithë shfrytëzuesit e shërbimeve financiare.

Në këtë kuadër, njëra ndër fushat kryesore të përgjegjësisë së BQK-së ka të bëjë me sektorin e sigurimeve, ku BQK në vazhdimësi angazhohet për mbrojtjen e interesave të policëmbajtësve, duke siguruar kushtet e nevojshme që të dëmtuarit të trajtohen në përputhje me kushtet e përcaktuara me kontratën e sigurimit.

Për këtë qëllim, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, duke vepruar në pajtim me legjislacionin në fuqi dhe duke u bazuar edhe në Raportin Vlerësues të Rishikimit të Stabilitetit të Sektorit Financiar 2019 të kryer nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, ka filluar procesin e rishikimit dhe vlerësimit të primit të rrezikut për sigurimin e detyrueshëm nga auto përgjegjësia.

Çmimet aktuale të primeve për sigurimin e detyrueshëm nga auto-përgjegjësia ndaj palës së tretë kanë mbetur të pandryshuara që nga viti 2001.

Në këtë periudhe të gjatë që nga koha kur ato janë përcaktuar, në tregun ku operojnë kompanitë e sigurimeve kanë ndodhur zhvillime të shumta, të cilat në mënyra të ndryshme kanë pasur ndikim mbi kompanitë e sigurimeve si dhe policëmbajtësve dhe e kanë bërë të domosdoshëm inicimin e rishikimit të këtyre çmimeve në mënyrë që ato të reflektojnë në mënyrë më adekuate kushtet e tregut.

Në kuadër te faktorëve kryesorë që kanë ndikuar kushtet e tregut gjatë kësaj periudhe, përfshihen:

  • Rritja e numrit të dëmeve dhe rritja e vlerës së pagesës së dëmeve, posaçërisht të automjeteve të kategorisë I;
  • Rritja e shumës së detyrueshme minimale të sigurimit për kontraktimin e sigurimit të autopërgjegjësisë me hyrjen në fuqi të Ligjit nr.04/L-018 për sigurimin e detyrueshëm nga auto-përgjegjësia në vitin 2011;
  • Efekti i aplikimit të sistemit Bonus-Malus në zbatim që nga viti 2013 dhe që sipas llogaritjeve dhe trendit rënës të të ardhurave të siguruesve për efekt të Bonus Malusit. Sipas kalkulimeve të bëra është projektuar që në fund të vitit 2019 këto të ardhura të zbriten për rreth 19 përqind dhe se 93-94 përqind të policëmbajtësve nuk shkaktojnë aksident prandaj edhe përfitojnë bonus që shkakton edhe të ardhura më të ulëta për siguruesit;
  • Dhe veçanërisht shkalla e inflacionit, e cila ka ndikuar drejtpërsëdrejti në rritjen dhe mbulimit të kostos së dëmeve, si për nga çmimet e riparimit tek dëmet materiale, por edhe si pagë me rastin e kompensimit të fitimit të humbur apo mbajtjes së humbur tek dëmet jomateriale, si pasojë e rritjes së pagës mesatare.

Si rezultat i zhvillimeve të lartcekura, është ndërmarr studimi aktuarial, i cili ka sugjeruar për rritje të tarifave të Kategorisë I (automjete me pasagjerë) për 36.56%. Megjithatë, BQK në vlerësimin e saj ka identifikuar disa faktorë të cilët nuk janë reflektuar plotësisht në raportin aktuarial, prandaj edhe ka refuzuar kërkesën e kompanive të sigurimit për ndryshim të tarifave duke u bazuar në atë raport. Sidoqoftë, BQK-ja vlerëson se kompanive të sigurimit duhet t’u mundësohet përshtatja e tarifave të Kategorisë I për shkallën e inflacionit të ndodhur gjatë periudhës 2002-2018 në mënyrë që këto tarifa të sigurimit të reflektojnë sa më mirë kushtet aktuale të ekonomisë.

Përshtatja e tarifave për kushtet e inflacionit ka ndikim të drejtpërdrejtë në forcimin e qëndrueshmërisë së këtij sektori, duke rritur kështu aftësinë e kompanive të sigurimit për kompensim të drejtë dhe me kohë të dëmeve për policëmbajtësit. 

Prandaj, me qëllim që tarifat e sigurimit të reflektojnë më mirë zhvillimet në ekonominë e vendit dhe në këtë mënyrë të krijojnë kushtet për rritjen e qëndrueshmërisë së sektorit të sigurimeve, si dhe përmbushjes së rekomandimit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për rishikim të tyre, Bordi Ekzekutiv i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më datën 31 tetor 2019, bazuar në nenin 36 paragrafi 1, nën paragrafi 1.17 të Ligjit nr.03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, në pajtim me nenin 8 paragrafi 5 të Ligjit nr. 04/L-018 për sigurimin e detyrueshëm nga autopërgjegjësia, si dhe nenin 5 paragrafi 2, nenin 7, paragrafi 7 të Rregullores për përcaktimin e strukturës së primit për sigurimin e detyrueshëm nga autopërgjegjësia, ka marrë vendim për ndryshimin e tarifave të primit të sigurimit të detyrueshëm nga auto-përgjegjësia për kategorinë e mjeteve për pasagjerë (grupi tarifor I).

Sipas këtij Vendimi, BQK-ja ka kërkuar nga siguruesit që t’i përshtatin tarifat aktuale të primit të sigurimit të detyrueshëm nga autopërgjegjësia për grupin tarifor I, të cilat janë në fuqi që nga data 1 korrik 2001, me normën e inflacionit zyrtar të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës të datës 01.01.2002 deri më 31.12.2018. Përshtatja e tarifës së primeve përkatëse me inflacion duhet të bëhet duke zbritur normën e tatimit në qarkullim prej 5 përqind e cila ka qenë në fuqi deri më 25 korrik 2019 me hyrjen në fuqi të Ligjit nr. 06/L -105 për tatimin në të ardhurat e korporatave, ku siguruesit ju nënshtrohen tatimit në fitim.

BQK-ja do të intensifikojë angazhimin e saj me qëllim që sektori i sigurimeve të jetë në zbatim të plotë të legjislacionit dhe rregullativës në fuqi. Mos zbatimi i kërkesave të tilla nga Siguruesit do të përcillet me masa adekuate administrative, duke mos përjashtuar edhe revokimin e licencave për kompanitë të cilat nuk zbatojnë legjislacionin në fjalë.

Delegacioni i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës i udhëhequr nga Guvernatori Fehmi Mehmeti, ka përfunduar pjesëmarrjen në takimet vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bankës Botërore, të cilat u zhvilluan në Uashington të SHBA-ve nga data 14-20 tetor 2019.

Në takimet vjetore, delegacioni i BQK-së, ka takuar përfaqësues të Thesarit Amerikan, Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Botërore dhe të institucioneve tjera.

Guvernatori Mehmeti, takoi William C. Thomas nga Thesarin Amerikan, të cilin e informoi lidhur me zhvillimet e fundit në sektorin financiar dhe me treguesit e shëndetit financiarë.

Guvernatori Mehmeti shprehu falënderimin dhe mirënjohjen për kontributin e madh që Thesari Amerikan ka dhënë për zhvillimin e kapaciteteve të BQK-së dhe përkrahjen e vazhdueshme përmes asistencave teknike, si dhe përkrahjes në zhvillimin e sektorit financiar të Kosovës.

Ndërkaq, z. Thomas përgëzoi Guvernatorin Mehmeti për të arriturat në sektorin financiar, si dhe konfirmoi përkrahjen e mëtejme për BQK-në nga ana e Thesarit Amerikan.

Në kuadër të këtyre takimeve, Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti është takuar edhe me Zëvendësdrejtorin Menaxhues të FMN-së, Tao Zhang me të cilin kanë diskutuar për zhvillimet e fundit makroekonomike në Kosovë, me theks të veçantë qëndrueshmëria dhe zhvillimet në sektorin financiar.

Me këtë rast Guvernatori Mehmeti ka falënderuar Fondin Monetar Ndërkombëtar për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Kosovës dhe BQK-së në veçanti, si dhe njëkohësisht ka falënderuar z. Zhang për gatishmërinë e FMN-së që të kontribuojë në Konferencën e 20 vjetorit të themelimit të BQK-së që do mbahet në nëntor të këtij viti. 

Guvernatori Mehmeti gjithashtu është takuar me Drejtorin e Departamentit Evropian të FMN-së, Poul Thomsen, me të cilin kanë diskutuar lidhur me zhvillimet e fundit makroekonomike, zhvillimet në sistemin financiar, si dhe sfidat dhe objektivat strategjike dhe zhvillimore, përfshirë edhe bashkëpunimin e Kosovës me FMN-në. 

Gjithashtu, Guvernatori Mehmeti është takuar edhe me ekipin e Misionit të FMN-së për Kosovë, të udhëhequr nga shefi i ri i Misionit, Gabriel Di Bella, me ç’rast e informoi lidhur me zhvillimet e fundit në sektorin financiar, përfshirë treguesit e shëndetit financiar.

Guvernatori Mehmeti falënderoi përfaqësuesit e FMN-së lidhur me raportin e Rishikimit të Stabilitetit të Sektorit Financiar (Financial Stability Sector Revieë) duke shprehur përkushtimin e BQK-së për zbatimin e rekomandimeve që dalin nga ky raport.

Guvernatori Mehmeti ka zhvilluar takime të ndara edhe me Drejtorin e Konstituencës tonë në FMN, Raci Kaya, si dhe Paul Methieu nga Departamenti i Politikave Monetare dhe Tregjeve të Kapitalit të FMN-së ku temë diskutimi ka qenë vlerësimi i FMN-së në kuadër të programit: “Shqyrtimi i Stabilitetit të Sistemit Financiar” dhe rrjedhimisht ofrimi i Asistencës Teknike për BQK-në, përderisa në takimin me përfaqësuesin e Bankës Botërore, Mario Guadamillas janë diskutuar asistencat teknike për Sistemin e Pagesave dhe Hendekut Financiar, si dhe projekte të tjera zhvillimore të BQK-së.

Në takimet e zhvilluara me Zëvendëspresidentin e Bankës Botërore, Cyril Muller dhe me Drejtoreshën e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, Linda Van Gelder temë diskutimi kanë qenë zhvillimet e fundit makroekonomike në Kosovë, politika zhvillimore e kredive (Development Policy Loan DPL), si dhe projektet në proces që kanë të bëjnë me vlerësimin e Sistemit të Pagesave dhe hendekut financiar.

Guvernatori Mehmeti ka falënderuar Bankën Botërore për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë BQK-së në zhvillimin e shumë projekteve me rëndësi për sistemin financiar në Kosovë.

Në të njëjtën kohë, Guvernatori Mehmeti informoi z. Muller lidhur me zhvillimet e fundit në sektorin financiar, si dhe e falënderoi për gatishmërinë e Bankës Botërore që të jap kontributin e saj në Konferencën e 20 vjetorit të themelimit të BQK-së, që do mbahet në nëntor të këtij viti.

Delegacioni i BQK-së i kryesuar nga Guvernatori Mehmeti është takuar edhe me Drejtorin e Konstituencës tonë në Bankën Botërore, Guenther Schoenleitner, si dhe ka marrë pjesë në takimet e ndara të Konstituencës së Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, pjesë e të cilave është edhe Kosova.

Gjithashtu, gjatë ditës së fundit përfaqësuesit e BQK-së kanë marrë pjesë në mbledhjet plenare të Komitetit Ndërkombëtar Monetar dhe Financiar të FMN-së, si dhe në diskutimin e Guvernatorëve dhe Ministrave të Evropës Qendrore dhe Lindore lidhur me parashikimet ekonomike të FMN-së për rajonin.

Takimet vjetore të Bordit të Guvernatorëve të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Grupit të Bankës Botërore, bashkojnë bankierët e bankave qendrore, ministrat e financave, drejtuesit e sektorit privat, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe akademikëve për të diskutuar çështjet e financave të fokusuara në ekonominë globale, zhvillimin ndërkombëtar dhe ato të sistemit financiar botëror.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti ka nënshkruar memorandumin e bashkëpunimit me Presidentin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.

Me anë të këtij Memorandumi të dyja palët nënshkruese janë pajtuar në vendosjen e urave të bashkëpunimit në mes të dy institucioneve, që si pikënisje e kanë nxitjen e bashkëpunimit reciprok në fushën e edukimit financiar për sportistët e rinj, grupmoshat e reja, të cilat do të njihen me fushat e ekonomisë, financave personale, ofrimin e produkteve dhe shërbimeve financiare dhe përfitimeve të tjera reciproke në fushat me interes të përbashkët për qytetarë të Kosovës.

Me këtë rast, Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti dhe Presidenti i FFK-së, Agim Ademi deklaruan se ky Memorandum rrit bashkëpunimin mes dy institucioneve të pavarura, ku me kërkesë të FFK-së, BQK-ja merr pjesë në ligjërata/seminare të organizuara nga FFK-ja, përmes të cilave mund të kontribuojë me tema të edukimit financiar nga të cilat do të përfitonin jo vetëm grupmoshat e reja, por edhe klubet nën ombrellën e FFK-së.

Gjithashtu, palët janë pajtuar që gjatë organizimit të ngjarjeve me karakter ndërkombëtar: “Ditët olimpike”, “Java Ndërkombëtare e Parasë”, “Dita Botërore e Kursimeve” dhe aktiviteteve tjera, BQK-ja të ketë qasje për mbajtjen e ngjarjeve të ndryshme në institucione sportive.

Në nënshkrimin e memorandumit të bashkëpunimit morën pjesë edhe zëvendësguvernatori, Sokol Havolli dhe Sekretari i FFK-së, Eroll Salihu.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti dhe Kryetari i Bordit, Flamur Mrasori po marrin pjesë në sesionin e 30-të të Forumit të Crans Montana-s, që ka nisur punimet në Gjenevë të Zvicrës.
Bashkëpunimi mes vendeve të ndryshme të botës në shumë fusha, përfshirë edhe atë financiare, do të jenë temat kryesore të diskutimeve në këtë forum.

Në margjinat e këtij forumi, Kryetari i Bordit të BQK-së, Flamur Mrasori ishte pjesë e njërit nga panelet qendrore të kryesuar nga Nënsekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Philipe Douste-Blazy, ku temë diskutimi ishte bashkëpunimi financiar, me qëllim të ngritjes së fondeve shtesë për të ndihmuar zhvillimin e vendeve përmes projekteve “inovative” si: mikrokontributet, taksat, partneritetet publike-private dhe transaksionet financiare të bazuara në treg.

Me këtë rast, ka prezantuar para të pranishmëve të arriturat e sektorit financiar të vendit me theks të veçantë rolin e tij në zhvillim e ekonomik të vendit dhe njëherësh ka përmendur mundësitë reale që ekonomia e vendit ofron për investitorët e huaj. 

Iniciativa e Forumit të Crans Montana 2019 synon të punojë në përmirësimin e bashkëpunimit Mesdhe, Evropë dhe në botë, si dhe të mbledhë zyrtarët qeveritarë të këtyre vendeve së bashku me vendimmarrësit e biznesit dhe akterët ndërkombëtarë.

Skip to content