Guvernatori Ismaili takoi Zëvendësdrejtorin Menaxhues të FMN-së, z. Bo Li: U vlerësua lart niveli i zbatimit të rekomandimeve dhe programeve në fuqi

24/10/2024

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, më bashkëpunëtorët e tij zhvilloi takim me Zëvendësdrejtorin Menaxhues të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), z. Bo Li me bashkëpunëtorë.

Gjatë takimeve vjetore të FMN-së dhe Bankës Botërore (BB) që po mbahen në Washington D.C., Guvernatori Ismaili e informoi z. Li për zhvillimet kryesore në sektorin financiar, zbatimin e Planit Strategjik të BQK-së dhe reformat e tjera të ndërmarra të cilat kanë kontribuar në stabilitetin dhe integritetin e sistemit financiar.

Duke theksuar rolin vendimtar të FMN-së, Guvernatori Ismaili theksoi mbështetjen e dhënë BQK-së nga FMN-ja në forcimin e kapaciteteve të saj institucionale dhe zbatimin me sukses të rekomandimeve nga misionet e FMN-së.

Gjithashtu, u diskutua për nivelin e zbatimit të kënaqshëm të Programeve që Republika e Kosovës ka të nënshkruara me FMN, ku edhe BQK ka rolin e saj dhe ka përmbushur me sukses ato detyra.

Në këtë takim, u ritheksua zotimi për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë me qëllim të zbatim me sukses të projekteve të FMN-së që kanë ndikim pozitiv drejtpërdrejt në sektorin financiar dhe gjithë ekonominë e vendit.

Në kuadër të takimeve vjetore të FMN dhe BB, delegacioni i BQK-së do kenë takime bilaterale me drejtuesit e FMN-së dhe BB-së si pjesë e partneritetit të rëndësishëm institucional.