BQK lëshon në funksion linjën për qytetarë PA PAGESË 0800 222-55

09/02/2024

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës me qëllim të ofrimit të informatave plotësuese, në mënyrë të thjeshtë dhe të kuptueshme për qytetarët e Republikës së Kosovës, ka lëshuar në funksion linjën PA PAGESË 0800 222-55.

Kjo linjë është e dedikuar për qytetarët nga komuniteti serb që jetojnë në Republikën e Kosovës dhe kanë nevojë të informohen drejt dhe konkretisht.

Përkujtojmë se Rregullorja për Operacione për Para të Gatshme:

-           Nuk ndalon apo kufizon pranimin e mjeteve në llogaritë bankare në Euro në bankat e licencuara;

-           Nuk kufizon aktivitetin këmbimor të cilësdo valutë që kryhen nga institucionet financiare bankare ose jobankare të licencuara nga BQK;

-           Nuk ndalon transferet nga asnjë shtet; dhe

-           Nuk ndalon posedimin dhe kursimin në asnjë valute Jo-Euro (përfshirë Dinarin).

Andaj, të gjithë individët, kanë qasje në llogari bankare dhe mund të pranojnë mjete në llogaritë e tyre në Euro.

Qytetarët që ende nuk kanë llogari, mund të hapin një të tillë në secilën bankë, sipas Rregullores së BQK-së për qasje në Llogari Pagese për Shërbime Bazike, që për grupet e cenueshme e të skemave sociale nuk ka tarifë të hapjes e as të mirëmbajtjes, nga 1 janari 2024.

Vetëm në katër komunat veriore, operojnë katër degë bankare, tri institucione mikrofinanciare (kredidhënëse), si dhe mbi 15 institucione financiare jobankare për pagesa dhe këmbimore. Numri i degëve dhe zyrave të institucioneve financiare që operojnë në atë zonë është në rritje, pasi përfshirja financiare është objektiv i BQK-së.