Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) në bashkëpunim me Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Programin e Bashkimit Evropian për Çështjet e Brendshme (Home Affairs Programme – HAPE), organizoi një takim të përbashkët koordinues për të diskutuar themelimin e Sistemit për Parandalimin dhe Luftimin e Falsifikimit të Parasë në Kosovë.

Takimi koordinues mblodhi përfaqësues të BQK-së, Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, Policisë së Kosovës, Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, si dhe ekspertët e angazhuar në kuadër të projektit HAPE.

Projekti synon të mbështesë Republikën e Kosovës në krijimin e një sistemi gjithëpërfshirës kombëtar për parandalimin, zbulimin, monitorimin dhe luftimin e falsifikimit të parasë, plotësisht të harmonizuar me standardet e Bashkimit Evropian dhe të Eurosistemit. Njëkohësisht, ai synon të forcojë kapacitetet institucionale dhe bashkëpunimin ndërinstitucional në funksion të miratimit dhe zbatimit të Projektligjit të ri të propozuar për Parandalimin dhe Luftimin e Falsifikimit të Parasë.

Ky projekt ndërtohet mbi rezultatet e asistencës teknike të ofruar më herët përmes instrumentit TAIEX të Bashkimit Evropian, i cili u zbatua në bashkëpunim të ngushtë me Bankën Kombëtare të Kroacisë. Si rezultat i këtij bashkëpunimi është hartuar Projektligji për Parandalimin dhe Luftimin e Falsifikimit të Parasë, i cili përcakton kornizën institucionale për funksionimin e sistemit, përgjegjësitë e institucioneve përkatëse, si dhe themelimin e Sistemit të Kosovës për Monitorimin e Falsifikimit të Parasë.

Gjatë takimit, pjesëmarrësit diskutuan objektivat e projektit, metodologjinë e zbatimit dhe fazën e parë të aktiviteteve, e cila përfshin një vlerësim të gjithanshëm të kapaciteteve ligjore, institucionale dhe teknike të të gjitha institucioneve pjesëmarrëse. Përveç kësaj, projekti do të mbështesë ngritjen e kapaciteteve përmes trajnimeve të specializuara, si dhe zhvillimin e modelit të Sistemit të Kosovës për Monitorimin e Falsifikimit të Parasë.

Zëvendësguvernatori i BQK-së, z. Dardan Fusha, theksoi se ruajtja e integritetit të euros që qarkullon në Republikën e Kosovës përbën një përgjegjësi të rëndësishme kombëtare dhe, njëkohësisht, kontribuon drejtpërdrejt në mbrojtjen e integritetit dhe sovranitetit të sistemit monetar dhe financiar. Ai nënvizoi se zbatimi me sukses i këtij projekti varet nga bashkëpunimi i ngushtë dhe koordinimi efektiv ndërmjet të gjitha institucioneve kompetente, duke riafirmuar përkushtimin e BQK-së për të vazhduar forcimin e kornizës ligjore, institucionale dhe operacionale të Republikës së Kosovës në parandalimin dhe luftimin e falsifikimit të parasë.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës shprehu mirënjohjen e saj ndaj Bashkimit Evropian për mbështetjen e vazhdueshme, si dhe ndaj të gjitha institucioneve pjesëmarrëse për angazhimin dhe bashkëpunimin e tyre në zbatimin e kësaj nisme me rëndësi strategjike, në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira evropiane.

Guvernatori Ismaili: Inovacioni dhe Inteligjenca Artificiale duhet të qeverisen me përgjegjësi, në funksion të stabilitetit financiar dhe interesit publik