Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, në fjalën e tij hyrëse mbi temën “Qeverisja e Inovacionit: Lidershipi në Epokën e Inteligjencës Artificiale”, theksoi rëndësinë e qeverisjes së përgjegjshme të inovacionit dhe Inteligjencës Artificiale, në funksion të ruajtjes së besimit publik, stabilitetit financiar dhe integritetit të sistemit financiar.

Ne fjalën n e tij theksoi se zhvillimet e shpejta teknologjike, të nxitura nga Inteligjenca Artificiale, analitika e avancuar dhe teknologjitë financiare, po ndryshojnë mënyrën e funksionimit të institucioneve dhe ekonomive, duke kërkuar lidership të përgjegjshëm që ndërthur inovacionin me menaxhimin efektiv të rrezikut, stabilitetin institucional dhe mbrojtjen e interesit publik.

Duke iu referuar kontekstit të Kosovës, Guvernatori Ismaili theksoi se Kosova, me një ekonomi të hapur dhe euroizuar, e lidhur ngushtë me Bashkimin Evropian dhe diasporën, mbështetet në stabilitetin financiar, integritetin e sistemit dhe besimin në paranë si shtylla themelore të zhvillimit ekonomik. Në këtë kuadër, transformimi digjital përbën një komponent të rëndësishëm të stabilitetit financiar, integrimit evropian dhe modernizimit institucional.

Ai vuri në dukje se sistemi financiar i Kosovës ka vijuar të rritet, të diversifikohet dhe të mbetet stabil, me rritje të rolit të sektorit bankar dhe institucioneve tjera financiare jobankare te sistemit financiar. Sipas tij, këto zhvillime po kontribuojnë në zgjerimin e ndërmjetësimit financiar, thellimin e tregut dhe krijimin e një ekosistemi më të gjerë për inovacion financiar.

Guvernatori Ismaili theksoi gjithashtu avancimin e infrastrukturës së pagesave dhe shërbimeve financiare digjitale, përfshirë rritjen e përdorimit të e-banking, terminaleve POS, kuletave digjitale dhe kanaleve elektronike të pagesave, si dhe përmirësimet në infrastrukturën kombëtare të pagesave, të cilat kanë ndikuar në rritjen e përfshirjes financiare dhe efikasitetit të tregut.

Në këtë drejtim, ai veçoi progresin në procesin e integrimit të Kosovës në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), zhvillimin e projektit të pagesave të shpejta TIPS Clone, avancimin e iniciativave për bankimin e hapur (Open Banking), si dhe modernizimin e kornizës ligjore dhe rregullative për inovacionin financiar.

Duke folur për Inteligjencën Artificiale, Guvernatori Ismaili theksoi se ajo paraqet mundësi të rëndësishme për forcimin e analizës së të dhënave, përmirësimin e mbikëqyrjes financiare, identifikimin e rreziqeve, rritjen e kapaciteteve për zbulimin e mashtrimeve financiare dhe forcimin e qëndrueshmërisë ndaj rreziqeve kibernetike.

Ai nënvizoi se përdorimi i Inteligjencës Artificiale në sektorin financiar duhet të bazohet në parimet e transparencës, llogaridhënies, shpjegueshmërisë, mbrojtjes së të dhënave, sigurisë kibernetike dhe mbikëqyrjes njerëzore, duke siguruar që teknologjia të shërbejë si mbështetje për vendimmarrjen institucionale, pa zëvendësuar ekspertizën njerëzore, përgjegjësinë institucionale dhe gjykimin profesional.

Në fushën e inovacionit financiar, Guvernatori theksoi rëndësinë e krijimit të një mjedisi të sigurt rregullativ, ndërtimin e kornizës për licencimin dhe mbikëqyrjen e ofruesve të shërbimeve të kripto-aseteve, si dhe forcimin e masave për parandalimin e pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe financimit të proliferimit.

Ai gjithashtu theksoi se siguria kibernetike përbën një shtyllë themelore të stabilitetit financiar në epokën digjitale, duke vënë në pah angazhimin e BQK-së për forcimin e kapaciteteve për menaxhimin e incidenteve, qëndrueshmërinë operacionale dhe mbrojtjen e sistemeve kritike financiare.

Në aspektin e zhvillimit institucional, Guvernatori Ismaili nënvizoi rëndësinë e investimeve të vazhdueshme në kapitalin njerëzor, veçanërisht në fushat e analizës së të dhënave, teknologjisë mbikëqyrëse, inovacionit financiar, sigurisë kibernetike dhe Inteligjencës Artificiale, përmes bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë dhe institucionet homologe.

Duke parë përpara, ai theksoi se sfida për institucionet nuk do të jetë vetëm adoptimi i teknologjive të reja, por ndërtimi i qeverisjes, aftësive, infrastrukturës dhe kapaciteteve rregullative të nevojshme për përdorimin e tyre me përgjegjësi. Për BQK-në, kjo nënkupton vazhdimin e modernizimit të sistemeve të pagesave, avancimin e mbikëqyrjes së bazuar në rrezik, forcimin e sigurisë kibernetike dhe mbështetjen e inovacionit financiar të përgjegjshëm, në përputhje me standardet evropiane.

Në përmbyllje, Guvernatori Ismaili theksoi se besimi mbetet elementi themelor i çdo transformimi institucional. Ai nënvizoi se inovacioni duhet të matet jo vetëm përmes avancimit teknologjik, por edhe përmes ndikimit të tij në forcimin e besimit publik, cilësisë së qeverisjes, stabilitetit financiar dhe interesit publik.

BQK-ja riafirmon përkushtimin për promovimin e inovacionit të përgjegjshëm, të sigurt dhe gjithëpërfshirës, në përputhje me standardet evropiane dhe praktikat më të mira ndërkombëtare, me qëllim forcimin e stabilitetit financiar, integritetit të sistemit financiar, zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe rritjes së besimit të publikut.

Këto mesazhe u përcollën gjatë pjesëmarrjes si folës kryesor nga Guvernatorit Ismaili në Konferencën e Lidershipit të organizuar nga UBT, me temën “Qeverisja e Inovacionit: Lidershipi në Epokën e Inteligjencës Artificiale”.

Dorëzohet në Kuvend Raporti Vjetor i BQK-së për vitin 2025: Theksohet stabiliteti financiar, integriteti i sistemit financiar dhe qëndrueshmëria institucionale