Në kuadër të Konferencës Rajonale për Kripto-asetet dhe Paranë Digjitale, të organizuar nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), u mbajt sesioni i nivelit të lartë me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe bankave qendrore të rajonit.

Sesioni u zhvillua në kuadër të temës “Kornizat e politikave dhe rregullimit në një mjedis në ndryshim”, duke trajtuar ndikimin e kripto-aseteve, formave digjitale të parasë dhe inovacionit financiar në stabilitetin financiar, mbikëqyrjen rregullative, sistemet e pagesave dhe integritetin e tregjeve financiare.

Në pjesën e parë të sesionit, prezantime tematike u mbajtën nga përfaqësues të bankave qendrore të rajonit, përfshirë z. Trajko Slaveski, Guvernator i Bankës Kombëtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut; z. Ahmet Ismaili, Guvernator i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës; znj. Gordana Kalezić; Zëvendësguvernatore e Bankës Qendrore të Malit të Zi; si dhe drejtueses znj. Valentina Semi nga Banka e Shqipërisë.

Përmes prezantimeve te strukturuara, pjesëmarrësit paraqitën zhvillimet më të fundit në fushën e financave digjitale, modernizimit të sistemeve të pagesave, avancimit të mbikëqyrjes dhe përafrimit të kornizave rregullative me standardet ndërkombëtare dhe ato të Bashkimit Evropian. Diskutimet evidentuan prioritetet e përbashkëta të rajonit, përfshirë nevojën për politika të koordinuara, kapacitete të avancuara mbikëqyrëse dhe qasje të kujdesshme ndaj zhvillimeve të reja teknologjike.

Më pas, në kuadër të panelit të nivelit të lartë të bankave qendrore të rajonit, me pjesëmarrjen edhe të z. Tobias Adrian, Krye-Këshilltar Financiar i FMN-së dhe Drejtor i Departamentit të Tregjeve Monetare dhe të Kapitalit, dhe nën moderimin e z. Mark Horton, Zëvendësdrejtor i Departamentit Evropian në FMN, diskutimet u fokusuan në rreziqet për stabilitetin financiar dhe transmetimin e politikave monetare, koordinimin rregullativ ndërshtetëror, zhvillimin e shërbimeve financiare digjitale, si dhe mbikëqyrjen e “stablecoins” dhe tregjeve të kripto-aseteve.

Pjesëmarrësit theksuan se zhvillimi i financave digjitale duhet të mbështetet në rregullim të bazuar në rrezik, mbikëqyrje efektive, mbrojtje të konsumatorëve dhe investitorëve, ruajtje të integritetit financiar dhe forcim të bashkëpunimit rajonal e ndërkombëtar. Në këtë drejtim, u diskutua edhe rëndësia e adresimit të rreziqeve që lidhen me sigurinë kibernetike, parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, si dhe implikimet e mundshme të valutave digjitale të bankave qendrore.

Nga diskutimet e panelit rezultoi se, përballë një mjedisi financiar në ndryshim të shpejtë, autoritetet rregullative dhe mbikëqyrëse duhet të ndërtojnë korniza të qarta, proporcionale dhe të harmonizuara, të cilat mundësojnë inovacionin e përgjegjshëm, por njëkohësisht mbrojnë stabilitetin financiar, funksionimin e tregjeve dhe besimin e publikut.

Konferenca po shërben si platformë rajonale për shkëmbimin e përvojave, praktikave më të mira dhe perspektivave institucionale ndërmjet politikëbërësve, rregullatorëve dhe ekspertëve ndërkombëtarë, me synim promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm të financave digjitale në funksion të ekonomisë, qytetarëve dhe stabilitetit të sistemit financiar.

U ritheksua përkushtimi për të mbështetur transformimin digjital të sektorit financiar përmes politikave të përgjegjshme, forcimit të kapaciteteve institucionale, modernizimit të infrastrukturës financiare dhe përafrimit të mëtejshëm me standardet evropiane dhe ndërkombëtare.

Nisin punimet e Konferencës Rajonale të nivelit të lartë për Kripto-asetet dhe Paranë Digjitale, të organizuar nga BQK Guvernatori Ismaili pret në takim Krye-Këshilltarin Financiar dhe Drejtorin e Departamentit të Tregjeve Monetare dhe të Kapitalit në FMN, z. Tobias Adrian