Zëvendësguvernatorja për Funksione të Përgjithshme e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), znj. Nesrin Shileku-Shala, përfaqësoi BQK-në në takimin vjetor të Dialogut Ekonomik dhe Financiar (ECOFIN), të organizuar nga Komisioni Evropian në Bruksel.

Në kuadër të këtij dialogu, znj. Shileku-Shala prezantoi zhvillimet në sektorin financiar dhe perspektivën makroekonomike në Kosovë, duke theksuar se sektori bankar vazhdon të jetë i qëndrueshëm, mirë i kapitalizuar, likuid dhe profitabil, si dhe me aftësi për të mbështetur financimin e ekonomisë.

Ajo nënvizoi se, BQK-ja ka ndërmarrë masa makroprudenciale me qasje parandaluese, përfshirë aktivizimin e shtesave të kapitalit, si shtesa kundërciklike e kapitalit, si dhe shtesa për institucione me rëndësi sistemike, me qëllim të forcimit të qëndrueshmërisë së sistemit financiar dhe ruajtjes së stabilitetit financiar.

Gjithashtu, u prezantua progresi i arritur në avancimin e kornizës mbikëqyrëse dhe përafrimin e saj me standardet e Bashkimit Evropian, përfshirë zbatimin e mëtejshëm të mbikëqyrjes së bazuar në rrezik dhe harmonizimin e kornizave raportuese. Në këtë drejtim, u theksuan edhe reformat për forcimin e kapaciteteve për menaxhimin e situatave të krizës, përfshirë avancimin e kornizës për rimëkëmbjen dhe përmbylljen e bankave dhe Kornizës për Mbështetjen Emergjente për Likuiditet.

Në diskutimin tematik lidhur me situatën ekonomike dhe financiare dhe ndikimin e zhvillimeve aktuale gjeopolitike, znj. Shileku-Shala theksoi rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit financiar dhe nevojën për politika të kujdesshme dhe koordinim institucional për adresimin në kohë të rreziqeve që burojnë nga mjedisi i jashtëm.

Në këtë kontekst, u vlerësua se, pavarësisht sfidave nga mjedisi ndërkombëtar, sistemi financiar i Kosovës ka mbetur stabil, i mbështetur nga bazat e shëndosha financiare dhe politikat e kujdesshme të ndërmarra nga BQK-ja.

Dialogu Ekonomik dhe Financiar (ECOFIN) shërben si platformë e rëndësishme për koordinimin e politikave ekonomike dhe financiare ndërmjet Bashkimit Evropian dhe vendeve partnere, me fokus në forcimin e stabilitetit makroekonomik, reformave strukturore dhe përafrimit me standardet e BE-së.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës përfshin arin në portofolin e rezervave për herë të parë BQK, ATK, NJIF-K dhe IQMT forcojnë koordinimin për integritetin e sistemit financiar dhe zbatimin e kornizës ligjore e rregullative