Në kuadër të Takimeve Pranverore 2026, Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, i shoqëruar nga Anëtarja Joekzekutive e Bordit, znj. Latifi-Jashari, Zëvendësguvernatori z. Fusha, si dhe bashkëpunëtorë të tjerë, zhvilloi një takim bilateral me Zëvendëspresidentin e Korporatës Ndërkombëtare Financiare (IFC), z. Alfonso García Mora.

Gjatë takimit të përbashkët me pjesëmarrjen e Ministrit Murati, të mbajtur në formatin e grupit të Bankës Botërore, Guvernatori Ismaili e njoftoi z. García Mora mbi zhvillimet e fundit në sektorin financiar të Republikës së Kosovës, duke theksuar avancimin e kornizës ligjore dhe rregullative me qëllim të forcimit të qëndrueshmërisë së sektorit financiar, zgjerimit të shërbimeve financiare, rritjes së qasjes në financa, si dhe avancimit të përfshirjes financiare dhe mbrojtjes së konsumatorit.

Në veçanti, palët diskutuan projektet aktuale që mbështeten nga IFC-ja, përfshirë Projektin për Digjitalizimin e Shërbimeve Financiare, ku u theksua progresi i deritanishëm i aktiviteteve kryesore në përputhje me planin e veprimit. Gjithashtu, u diskutua për projektin që lidhet me avancimin e kornizës rregullative për institucionet financiare jobankare, si dhe për aktivitetet që janë në proces. Po ashtu, palët biseduan mbi ofrimin e asistencës teknike për zhvillimin e sektorit financiar në Kosovë.

Nga ana e tij, z. Alfonso García Mora vlerësoi lart reformat e ndërmarra dhe bashkëpunimin e deritanishëm, duke shprehur gatishmërinë për ta zgjeruar më tej bashkëpunimin në të ardhmen.

Në përfundim të takimit, u riafirmua përkushtimi i përbashkët për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë në realizimin e projekteve dhe iniciativave ekzistuese, me synim përmirësimin e shërbimeve financiare, rritjen e qasjes në financa dhe forcimin e përfshirjes financiare në Republikën e Kosovës.

Guvernatori i BQK-së takon Zëvendësdrejtorin Menaxhues të FMN-së, z. Bo Li Guvernatori Ismaili takohet me Drejtorin Ekzekutiv të FMN-së, z. Yigit Yaşar