Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, i shoqëruar nga Anëtarja Joekzekutive e Bordit, znj. Latifi-Jashari, zhvilloi takim me znj. Nathalie Francken, Drejtore Ekzekutive në Grupin e Bankës Botërore, në kuadër të Takimeve Pranverore 2026 në Washington DC.

Në këtë takim të përbashkët me Ministrin Murati, të mbajtur në formatin e BB-së, u diskutuan zhvillimet në sektorin financiar, me theks të veçantë në avancimin e gjithëpërfshirjes financiare dhe rritjen e qasjes në financa për qytetarët dhe bizneset, përmes projekteve për modernizimin e sistemit të pagesave. Guvernatori Ismaili prezantoi aktivitetet e ndërmarra nga BQK në këtë drejtim, duke përfshirë nismat për edukim financiar, digjitalizimin e shërbimeve dhe rritjen e transparencës në tregun financiar.

Po ashtu, u vlerësua lart bashkëpunimi i deritanishëm në kuadër të projekteve të sektorit financiar, përfshirë projektin për integrimin e Kosovës në SEPA (Zona e Pagesave në Euro) dhe zhvillimin e sistemit të pagesave të shpejta TIPS Clone. Gjithashtu, u mirëprit nënshkrimi i marrëveshjeve ndërkombëtare me Bankën Botërore në fushën e sektorit financiar.

Guvernatori Ismaili falënderoi znj. Francken për mbështetjen profesionale që ekspertët e Bankës Botërore i kanë ofruar BQK së në avancimin e reformave strategjike dhe në forcimin e kapaciteteve institucionale.

BQK mbetet e përkushtuar në thellimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë për të avancuar zhvillimin financiar dhe për të forcuar kapacitetet institucionale në funksion të stabilitetit financiar dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik.

Guvernatori Ismaili takon Shefin e Misionit të FMN-së për Kosovën, z. David Amaglobeli Guvernatori Ismaili mirëpritet nga Zëvendëspresidenti dhe Drejtuesi i Thesarit të Grupit të Bankës Botërore, z. Jorge Familiar dhe nënshkruan Marrëveshjen e re të Bashkëpunimit