Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, i shoqëruar nga Anëtarja Joekzekutive e Bordit, znj. Latifi-Jashari, Zëvendësguvernatori z. Fusha dhe bashkëpunëtorë të tjerë, zhvilloi një takim bilateral me Shefin e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për Kosovën, z. David Amaglobeli dhe ekipin e tij, në kuadër të Takimeve Pranverore 2026 që po mbahen në Washington DC.

Gjatë takimit të përbashkët me Ministrin Murati, të mbajtur në formatin e FMN-së, Guvernatori Ismaili e njoftoi z. Amaglobeli mbi zhvillimet më të fundit makroekonomike dhe financiare në Kosovë, me theks të veçantë në indikatorët kryesorë makroekonomikë dhe të sektorit financiar, të cilët dëshmojnë stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e sistemit financiar të vendit. Gjithashtu, në takim u diskutua edhe progresi i arritur në kuadër të Raportit të Stafit për Konsultimet e Nenit IV për vitin 2026.

Guvernatori Ismaili theksoi përkushtimin e vazhdueshëm të BQK-së për zbatimin e reformave strukturore, avancimin dhe forcimin e kornizës rregullative, si dhe ruajtjen e stabilitetit financiar dhe makroprudencial. Ai gjithashtu vuri në pah angazhimin aktiv të BQK-së në iniciativa rajonale bashkëpunuese, përfshirë iniciativën e FMN-së për Qendrën Rajonale të Asistencës Teknike (SEETAC), me qëllim harmonizimin e politikave dhe shkëmbimin e praktikave më të mira ndërkombëtare.

Nga ana e tij, z. Amaglobeli vlerësoi bashkëpunimin konstruktiv dhe partneritetin ndërmjet BQK-së dhe FMN-së, si dhe progresin në forcimin e kapaciteteve institucionale. Ai theksoi rëndësinë e mbështetjes së FMN-së përmes asistencës teknike dhe vlerësoi angazhimin e vazhdueshëm të BQK-së në këtë drejtim.

Në përfundim, të dy palët theksuan rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet FMN-së dhe BQK-së, duke vlerësuar ecurinë e deritanishme dhe kontributin e përbashkët në forcimin e stabilitetit makrofinanciar dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të Republikës së Kosovës.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës dhe Banka e Francës (Banque de France) avancojnë bashkëpunimin dhe nënshkruajnë Marrëveshje të re Guvernatori Ismaili takon Drejtoren Ekzekutive të Konstituencës së Bankës Botërore, znj. Nathalie Francken