Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) me qëllim të promovimit të hulumtimeve shkencore, fton të gjithë hulumtuesit e rinj të aplikojnë me punën e tyre shkencore për Çmimin e BQK-së për Ekonomistët e Rinj. Nëpërmjet të kësaj thirrjeje, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës shpall:

KONKURS PËR PUNIME KËRKIMORE

Me temat:

• Qëndrueshmëria e sistemit financiar të Kosovës përballë pasigurive globale: Analizë e rreziqeve dhe kapaciteteve stabilizuese;

• Modernizimi i sistemeve të pagesave dhe përfitimet për ekonominë e Kosovës;

• Roli i inteligjencës artificiale në modernizimin e sistemit financiar dhe përfitimet e publikut nga shërbimet financiare digjitale në Kosovë;

• Roli i ndërmjetësimit financiar në mbështetjen e inovacionit dhe transformimit të ekonomisë së Kosovës drejt prodhimit dhe eksporteve;

• Zhvillimi i fintech në Kosovë: mundësitë, rreziqet dhe sfidat rregullatorë; dhe

• Dinamika e ankesave të konsumatorëve financiarë në Kosovë: Analiza e ankesave dhe sugjerimet për avancimin e politikave të mbrojtjes të konsumatorit;

Kriteret e përmbajtjes së punimit

• Punimi duhet të jetë në fushën e sektorit financiar dhe zhvillimit ekonomik të Kosovës dhe më gjerë;

• Punimi duhet t’i plotësojë kriteret e një punë shkencore dhe mund të jetë në formën e ngjashme të një temë të diplomës (Bachelor), pjesë nga tema e diplomës pasuniversitare (Master) apo pjesë nga tema e doktoratës (Ph.D);

• Punimi duhet të jetë i shkruar në gjuhën shqipe apo serbe, por secili version duhet të jetë edhe në gjuhën angleze sepse do të bëhet verifikimi i standardeve etike për plagjiaturë.

• Punimi nuk duhet të jetë më gjatë se sa 8,500 fjalë;

• Rregullat dhe standardet e citimeve të referencave duke përdorur manualin e publikimeve APA (Edicioni 7), Chicago, Harvard apo edhe çdo model tjetër;

• Përmbledhja ekzekutive nuk duhet të jetë më e gjatë se një faqe dhe lista e të gjitha referencave duhet t’i bashkëngjitet punimit;

• Punimi kërkohet të jetë në versionin M.S Word lloji i shkrimit duhet të jetë Times New Roman, madhësia 12 me hapësirë 1,5; dhe

• Sistemi i citimit të referencave preferohet të përdoren programet softverike: Mendelay (Mendeley – Reference Management Software), Endonte (EndNote – The Best Citation & Reference Management Tool) apo edhe Zotero (Zotero | Your personal research assistant).

Kriteret për përzgjedhjen e punimit nga komisioni vlerësues në BQK

• Komisioni vlerësues i përbërë nga personeli i BQK-së, do të përzgjedhë pesë nga punimet më të mira, të cilat do të shpërblehen me çmimin e BQK-së, duke përdorur kriteret e përgjithshme, siç janë:

– Cilësia e hulumtimit shkencor apo sinteza,

– Cilësia e të shkruarit,

– Identifikimi i saktë me fusnota dhe referenca i hulumtimeve/shkrimeve të autorëve të përfshira në punim,

– Relevanca dhe kontributi shkencor në nxitjen apo ndryshimin e politikave,

– Citimi i drejtë i literaturës së përdorur, si dhe mbështetja me referencat e konstatimeve përgjatë gjithë punimit,

– Renditja e mirë dhe me kronologji të qartë e punimit,

– Ndërlidhja e konkluzioneve dhe rekomandimeve me gjetjet e hulumtimit.

• Pa paragjykuar pikën paraprake, vendimi përfundimtar për numrin e shpërblimeve, varet nga cilësia e punimeve të paraqitura dhe do të merret në fund nga komisioni vlerësues, andaj cilësia e punimeve shkencore të dërguara përcakton numrin e shpërblimeve që do të ndahen;

• Punonjësit aktualë dhe të mëparshëm (në tri vitet e fundit) të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, nuk mund të aplikojnë në këtë konkurs; dhe

• Punimet që nuk përkojnë me rregullat e etikës apo që janë të përgatitura përmes platformave të inteligjencës artificiale do të refuzohen dhe procedohen sipas praktikave ligjore në fuqi, duke rezervuar të drejtën apo mundësinë për të njoftuar edhe universitetet përkatëse lidhur me këtë.

Kriteret për aplikim

• Kandidatët (shtetas të Kosovës) duhet të jenë studentë në nivelin Bachelor, Master apo të Doktoratës, që studiojnë brenda ose jashtë vendit;

• Kandidati mund të jetë autor individual apo autor kryesor apo mund të ketë bashkautor të punimit (megjithatë shpërblimi është një dhe i vetëm që i ndahet autorit kryesor);

• Nuk do të pranohen dhe merren parasysh punimet që sjellin tema të tjera nga temat e caktuara në këtë konkurs; dhe

• Punimi nuk mund të jetë punim i publikuar në gazeta shkencore më parë.

Procedura e aplikimit dhe dokumentet e nevojshme

• Studentët e interesuar mund të aplikojnë: • Duke dorëzuar punimet e tyre në versionin elektronik (PDF), në [email protected], apo kopje me shkrim të dërguar në adresën: Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), “Çmimi i BQK-së për ekonomistët e rinj”, Luan Haradinaj nr. 2, 10000 Prishtinë, Republika e Kosovës.

• Biografinë tuaj për referencë

• Emrin e udhëheqësit të temës dhe universitetin/fakultetin përkatës, e cila vlen në rastin kur studentët bashkëpunojnë me pedagogët e tyre gjatë punimit

• Kopjen e letërnjoftimit dhe detajet e kontaktit, si: e-mail adresën, numrin e telefonit dhe adresën postare të banimit

• Dëshmi që vërteton nivelin e studimeve Bachelor, Master apo Doktoraturë në Kosovë

• Pas analizimit të punimeve të pranuara, do të njoftohen vetëm kandidatët, punimet e të cilëve do të përzgjidhen nga komisioni vlerësues

Afati

Data e fundit për dorëzimin e punimit është 15 tetor 2026, (ora 16:00 për dorëzimin në formë fizike).

Shpërblimet

Planifikohet të shpallen 5 (pesë) fitues, të cilëve do t`ju akordohet mirënjohje nga BQK për kontributin e tyre dhe do të shpërblehen financiarisht sipas përcaktimeve të BQK. Megjithatë, BQK rezervon të drejtën të zvogëlojë numrin e shpërblimeve, varësisht nga cilësia e punimeve të pranuara dhe vendosura nga Komisioni.

Detajet e plota për kriteret dhe aplikim 🔗https://bqk-kos.org/wp-content/uploads/2026/03/Konkursi_Cmimi-i-BQK-se-per-Ekonomiste-te-Rinj-SHQ.pdf

BQK hap aktivitetet e Javës Globale të Parasë 2026, ndan çmimet e garave dhe shpall “Çmimin për Ekonomistë të Rinj” Publikimi i statistikave për BQK-në (Pasqyra, Bilanci i Gjendjes dhe Asetet Rezervë) për muajin shkurt 2026