Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, mori pjesë në aktivitetin akademik të prezantimit të projektit “DataSphere: Një platformë gjithëpërfshirëse e të dhënave për treguesit ekonomikë, strukturorë dhe socialë në Kosovë”, projekt i Universitetit “Hasan Prishtina” dhe Universitetit “Haxhi Zeka”, mbështetur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, Guvernatori Ismaili vlerësoi projektin si një hap konkret drejt forcimit të kulturës së përdorimit të të dhënave dhe hulumtimit të bazuar në evidencë, si dhe si një shembull të suksesshëm të bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet akademisë dhe institucioneve publike. Sipas tij, iniciativa të tilla kontribuojnë drejtpërdrejt në avancimin e njohurive akademike, edukimin financiar dhe mbështetjen e politikëbërjes së informuar.

Tutje, Guvernatori Ismaili përmendi përkushtimin e vazhdueshëm të BQK-së për zhvillimin, përmirësimin dhe publikimin e statistikave makroekonomike dhe financiare, si element kyç për monitorimin e zhvillimeve ekonomike dhe për vendimmarrje të bazuar në të dhëna. Ai shtoi se këto të dhëna raportohen rregullisht në institucione ndërkombëtare si FMN, Banka Botërore, Banka Qendrore Evropiane dhe Eurostat, duke forcuar besueshmërinë dhe integrimin e statistikave të Kosovës në nivel ndërkombëtar.

Duke vënë në pah rolin institucional, Guvernatori Ismaili nënvizoi se BQK publikon rregullisht statistika monetare dhe financiare, statistika të sektorit të jashtëm, buletine mujore, raporte tremujore, si dhe raporte kyçe si Raporti i Stabilitetit Financiar, Indikatorët e Stabilitetit Financiar dhe Vlerësimi Tremujor i Ekonomisë. Këto publikime, sipas tij, rrisin transparencën, përmirësojnë qasjen e publikut në të dhëna dhe mbështesin analizat ekonomike dhe kërkimet shkencore.

Këto publikime janë thelbësore për hartimin e politikave monetare dhe makroprudenciale, për vlerësimin e stabilitetit financiar dhe për monitorimin e pozicionit të jashtëm të vendit. Analiza e zhvillimeve makroekonomike, identifikimi i hershëm i rreziqeve sistemike dhe vlerësimi i ndërlidhjeve ndërmjet sektorit financiar dhe ekonomisë reale, sipas Guvernatorit Ismaili, nuk mund të realizohen pa baza të forta statistikore.

Duke folur për projektin, Guvernatori Ismaili vlerësoi veçanërisht strukturimin dhe integrimin e statistikave nga burime të ndryshme institucionale dhe rritjen e qasjes për komunitetin akademik. Ai theksoi se dimensioni krahasues rajonal i projektit krijon mundësi të reja për analiza të konvergjencës ekonomike dhe për vlerësimin e progresit të Kosovës në raport me vendet e Ballkanit Perëndimor, në funksion edhe të proceseve të integrimit evropian.

Guvernatori Ismaili theksoi se pjesëmarrja e tij dhe mbështetja e BQK-së për këtë aktivitet ndërlidhen drejtpërdrejt me Planin Strategjik të BQK-së, në veçanti me objektivat që lidhen me bashkëpunimin me akademinë, institucionet kërkimore, organizatat profesionale dhe aktivitetet e edukimit financiar.

BQK mbetet e përkushtuar të mbështesë iniciativa që promovojnë statistika cilësore, transparencë dhe vendimmarrje të bazuar në evidencë, në shërbim të stabilitetit financiar dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të Kosovës.

Guvernatori Ismaili takohet me përfaqësuesit e ambasadave të Austrisë, Gjermanisë dhe Zvicrës për të diskutuar reformat në sektorin financiar Publikimi i statistikave të bankave komerciale për muajin nëntor 2025