Një delegacion i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK) ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Bankën e Italisë (Banca d’Italia), me fokus shkëmbimin profesional dhe avancimin e praktikave mbikëqyrëse në kuadër të Supervisory Review and Evaluation Process (SREP), metodologji standarde e Bashkimit Evropian për vlerësimin gjithëpërfshirës të institucioneve bankare.

Gjatë vizitës, zyrtarët e BQK-së zhvilluan takime pune me ekspertët homologë të Bankës të Italisë, duke diskutuar mbi qasjet, metodologjinë dhe praktikat më të avancuara të zbatimit të SREP-it. Programi i vizitës përfshiu sesione të dedikuara profesionale mbi:

• Vlerësimin e profilit të rrezikut të bankave;

• Integrimin e analizës kuantitative dhe cilësore në kuadër të SREP-it;

• Standardet e raportimit mbikëqyrës dhe përafrimin me udhëzimet e Autoritetit Bankar Evropian (EBA);

• Menaxhimin e rrezikut operacional, të likuiditetit, të kapitalit dhe qeverisjes së brendshme; dhe

• Modelet e monitorimit të vazhdueshëm dhe qasjet mbikëqyrëse të bazuara në rrezik.

Përfaqësuesit e BQK-së vlerësuan lartë gatishmërinë e zyrtarëve nga Banca d’Italia, duke theksuar se shkëmbime të tilla kontribuojnë drejtpërdrejt në forcimin e kapaciteteve mbikëqyrëse dhe zbatimin e standardeve evropiane në sistemin bankar të Republikës së Kosovës.

Zbatimi i metodologjisë SREP mbetet një nga prioritetet strategjike të BQK-së, me synim forcimin e stabilitetit financiar, rritjen e transparencës, përmirësimin e qeverisjes korporative dhe avancimin e kapaciteteve të institucioneve bankare për menaxhimin efektiv të rreziqeve.

Në fund të vizitës, palët shprehën vullnet të qartë për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit përmes aktiviteteve të tjera profesionale dhe shkëmbimit të ekspertizës në fushën e mbikëqyrjes.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar në avancimin e praktikave mbikëqyrëse dhe përafrimin e tyre me standardet më të larta ndërkombëtare, në funksion të ruajtjes së stabilitetit financiar të vendit.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës zhvillon vizitë zyrtare në Bankën Qendrore të Estonisë dhe në Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare të Estonisë Guvernatori Ismaili takon përfaqësuesit e Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës: Diskutohen zhvillimet në sektorin financiar, përfshirjen financiare, reformën rregullatore dhe digjitalizimin