Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, mori pjesë si folës në panelin e nivelit të lartë me temën “Dekarbonizimi si një Prioritet Kombëtar brenda Tranzicionit të Gjelbër Evropian”, organizuar në kuadër të “Green Business & Industry Summit 2025” nga Kosovo CSR Network në partneritet me LuxDev.

Samiti mblodhi përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, organizatave multilaterale, sektorit të financave zhvillimore dhe politikëbërës nga vendi dhe rajoni. Diskutimet u fokusuan në financimin e tranzicionit të energjisë, promovimin e modeleve të ekonomisë qarkore, adoptimin e praktikave ESG, si dhe përgatitjen e tregut për kërkesat e Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane dhe mekanizmit CBAM.

Gjatë panelit, Guvernatori Ismaili vuri theksin mbi rolin kyç të BQK-së në forcimin e gatishmërisë së sistemit financiar për të menaxhuar rreziqet klimatike dhe për të mbështetur financimin e ekonomisë së gjelbër. Ai prezantoi veprimet konkrete të ndërmarra nga BQK, si integrimi i menaxhimit të rreziqeve klimatike në Planin Strategjik, anëtarësimi në Rrjetin për Bankim dhe Financa të Qëndrueshme (SBFN), publikimi i udhëzuesve për raportimin e ekspozimeve ndaj rreziqeve të tranzicionit, miratimi i Udhëzuesit për Kreditë e Sindikuara për të nxitur financimin e gjelbër për projekte të mëdha dhe afatgjata, përfshirë energjinë e pastër dhe projekte kapitale-intensive, Letrën Këshilluese për menaxhimin e rreziqeve klimatike dhe mjedisore, si dhe miratimin e Udhërrëfyesit Strategjik për Menaxhimin e Rreziqeve Klimatike dhe Mjedisore 2025-2027.

Guvernatori Ismaili gjithashtu theksoi avancimin e politikave të investimeve të BQK-së për të investuar rezervat e BQK-së në instrumente financiare sipas parimeve të ESG-së si dhe shpjegoi se qasja e BQK-së trajton rreziqet klimatike si rreziqe të stabilitetit financiar dhe përfshin analiza skenarësh, vlerësime të rrezikut sistemik, përmirësim të të dhënave dhe koordinim institucional.

Ai potencoi edhe domosdoshmërinë për bashkëpunim në nivel kombëtar, rajonal dhe ndërkombëtar për të përshpejtuar tranzicionin e gjelbër dhe për të ndërtuar një ekonomi konkurruese, të qëndrueshme dhe të drejtë për brezat e ardhshëm ku projekti i pagesave të shpejta TIPS Clone për vendet e Ballkanit Perëndimor, mund të shihet si një model i mundshëm bashkëpunimi edhe në fushën e tregjeve të kapitalit për të rritur mundësinë e investimeve në pajtueshmëri me parimet ESG.

Në përmbyllje, Guvernatori Ismaili theksoi se menaxhimi i rrezikut klimatik nuk është vetëm çështje përputhshmërie, por një domosdoshmëri për mbrojtjen e vlerës dhe ruajtjen e stabilitetit financiar në një botë që po dekarbonizohet, duke rikujtuar përkushtimin e BQK-së për forcimin e rolit mbikëqyrës, ngritjen e kapaciteteve të sektorit financiar dhe zhvillimin e një infrastrukture financiare të qëndrueshme që mbështet tranzicionin e gjelbër.

BQK pjesëmarrëse në “Brezovica Economic Forum 2025”: Diskutohet qasja në financa dhe mundësitë alternative të financimit për ekonominë e Ballkanit Perëndimor BQK mban punëtorinë e radhës me sektorin financiar në kuadër të nismës për gratë ndërmarrëse “WE Finance Code”