Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) mori pjesë në forumin “Brezovica Economic Forum 2025” si partner institucional, duke organizuar panelin e zëvendësguvernatorëve për të diskutuar mbi qasjen në financa, mundësitë e investimit dhe bashkëpunimin rajonal.

Paneli i bashkëorganizuar nga BQK-ja dhe Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), ku mori pjesë Guvernatori z. Ahmet Ismaili, me temë “Qasja në financa dhe mundësitë e investimit” trajtoi zhvillimet kryesore në ekosistemin financiar të vendeve pjesëmarrëse të përfaqësuar nga panelistët dhe prezantoi vizionin strategjik për diversifikimin e burimeve të financimit, integrimin evropian dhe modernizimin e infrastrukturës financiare.

Në kuadër të panelit me temë “Qasja në financa dhe mundësitë e investimit”, Guvernatori Ismaili në fjalën e tij hyrëse theksoi rolin qendror të sektorit financiar të Kosovës në mbështetje të ekonomisë reale, duke vënë në pah se sistemi financiar përfaqëson 157% të BPV-së, me bankat që mbajnë pjesën më të madhe të aseteve, fondet pensionale që kontribuojnë si investitorë afatgjatë dhe institucionet mikrofinanciare që luajnë një rol të rëndësishëm në përfshirjen financiare.

Ai theksoi se sektori bankar i Kosovës ka shënuar një zhvillim të qëndrueshëm gjatë dy dekadave të fundit, duke ruajtur likuiditet të mjaftueshëm, kapitalizim solid dhe nivel të lartë profitabiliteti.

Guvernatori Ismaili po ashtu theksoi tri arritjet kryesore të Kosovës në dy vitet e fundit: vlerësimin e parë sovran të kredisë BB-, largimin nga lista e vendeve të prekura nga konflikti sipas FMN-së dhe Bankës Botërore, dhe avancimin në integrimin financiar përmes SEPA dhe projektit TIPS Clone, duke e afruar vendin më pranë infrastrukturës financiare evropiane.

Me tutje ai shtoi se përdorimi i euros ka siguruar stabilitet monetar, parashikueshmëri dhe kosto më të ulëta transaksionesh, ndërsa integrimi i mëtejmë në infrastrukturën financiare evropiane rrit edhe me tej besimin e investitorëve dhe hap mundësi të reja investimi.

Përmes inovacionit, reformave ligjore dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, BQK po forcon stabilitetin financiar, nxit përfshirjen financiare dhe pozicionon Kosovën si qendër rajonale për FinTech dhe shërbime moderne, duke monitoruar me kujdes edhe tregun e kripto-aseteve.

Guvernatori i BQK-së elaboroi edhe mbi nevojën për diversifikimin e burimeve të financimit përtej sektorit bankar, skemat e garancisë dhe zhvillimin e tregut të kapitalit, për të zgjeruar mundësitë e investimit dhe për të rritur konkurrencën. Në këtë kuptim, integrimin në SEPA, sistemi i pagesave të shpejta (TIPS Clone), bankingun e hapur dhe identitetin digjital, zgjerimin e përfshirjes financiare dhe zhvillimin e tregut modern të kapitalit, duke synuar krijimin e një ekonomie moderne, transparente dhe të harmonizuar me standardet e BE-së që mbështet rritjen e qëndrueshme dhe investimet, mbetet prioritete ne vijim.

Diskutimet në panelit nxorën në pah se përtej financimit të fortë të ekonomisë nga bankat, tregu i kapitalit është thelbësor për rritje afatgjatë dhe diversifikim të financimit në Kosovë dhe rajon,

duke ulur varësinë nga sektori bankar dhe duke nxitur inovacionin dhe zhvillimin ekonomik. Ndërtimi i një infrastrukture të qëndrueshme, kornizës rregullative për tregjet e kapitalit përfshirë emetimin e obligacioneve korporative, fondeve të investimeve dhe mbrojtjen e investitorëve do të krijojë mundësi të reja për ndërmarrjet dhe investitorët, si dhe do të përmirësojë konkurrueshmërinë e ekonomisë, ne afat te gjate.

Gjithashtu, bashkëpunimi rajonal shihet si çelësi për integrim, efikasitet dhe tërheqje të investimeve. Iniciativa si SEPA, TIPS Clone dhe projektet e tjera për integrim financiar rajonal përbëjnë shembuj praktikë të suksesit, të cilat mund të replikohen edhe për tregjet e kapitalit, duke rritur efikasitetin dhe përshpejtuar harmonizimin me tregun e Bashkimit Evropian, ne frymën e tregut te përbashkët te kursimeve, investimeve dhe kapitalit.

BQK mori pjesë në këtë forum në kuadër të rolit të saj proaktiv për nxitjen e dialogut profesional dhe promovimin e bashkëpunimit në funksion të ndërtimit të sistemeve financiare më të qëndrueshme, më të sigurta dhe më të integruara në rajon, në përputhje me Planin Strategjik.

BQK mban punëtorinë konsultative për avancimin e kornizës rregullative për institucionet financiare jo-bankare Guvernatori Ismaili merr pjesë si panelist në “Green Business & Industry Summit 2025”: Menaxhimi i rrezikut klimatik dhe financimi i gjelbër janë thelbësorë për një ekonomi konkurruese dhe të qëndrueshme