Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) njofton se në përputhje me legjislacionin në fuqi ka miratuar përvetësimin nga Banka Ekonomike Sh.A. të degës së bankës së huaj Türkiye İş Bankası A.Ş. – Dega në Kosovë. Ky vendim vjen pas arritjes së një marrëveshjeje paraprake ndërmjet këtyre dy institucioneve financiare dhe marrjes së pëlqimit nga autoriteti përkatës mbikëqyrjes bankare në Turqi, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.

Ky proces është në pajtim me Kapitullin V të Ligjit Nr. 04/L-093 “Për Bankat, Institucionet Mikrofinanciare dhe Institucionet Financiare Jobankare” dhe do të zhvillohet brenda afateve të nevojshme, duke garantuar vazhdimësinë pa ndërprerje të shërbimeve bankare për të gjithë klientët. Sipas të dhënave të BQK-së, pas këtij transaksioni, pjesëmarrja e Bankës Ekonomike në tregun bankar do të rritet për rreth 1%, pa ndikuar në ndryshimin e pozitës së saj në renditjen e bankave sipas madhësisë së aseteve. Gjithashtu, banka do të mbetet brenda parametrave rregullativ pas realizimit të konsolidimit.

Pas finalizimit të procesit të përvetësimit, i cili realizohet ndërmjet dy bankave, të gjitha asetet dhe detyrimet e degës së İş Bankası do të transferohen tek Banka Ekonomike. Klientët ekzistues (të İş Bankası) do të vazhdojnë të marrin shërbimet e tyre bankare pa ndërprerje, ku llogaritë, kursimet dhe kartelat e tyre do të mbeten aktive dhe të sigurta, ndërsa nuk do të kenë nevojë të ndërmarrin asnjë veprim pas këtij njoftimi, deri në njoftim të veçantë nga ana e bankës së tyre. Për çdo sqarim shtesë në lidhje me këtë proces, klientët mund t’i drejtohen İş Bankası ose Bankës Ekonomike, në adresat e publikuara nga këto institucione.

BQK vlerëson kontributin e Türkiye İş Bankası në sektorin bankar dhe në ekonominë e vendit në përgjithësi, dhe njëkohësisht mirëpret angazhimin e saj për një proces efikas dhe të sigurt të bartjes së portofolit dhe shërbimeve te banka përvetësuese, në përputhje me marrëveshjen dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.

Ky zhvillim pason vendimin e mëparshëm të BQK-së për transformimin e Ziraat Bank – Dega në Kosovë, nga degë e një banke të huaj në një bankë të licencuar dhe themeluar në Kosovë, me emrin Ziraat Kosova Sh.A., e cila i nënshtrohet të njëjtave kërkesa rregullatore si të gjitha bankat e tjera që operojnë në vend. Ky transformim nuk ka asnjë implikim për klientët, ndërkohë që banka vazhdon procesin e brendshëm të transformimit në përputhje me rregulloren përkatëse.

Me këtë zhvillim të fundit, sektori bankar i Kosovës nuk do të ketë më degë të bankave të huaja në operim. Të gjitha bankat me kapital të huaj do të jenë të themeluara plotësisht në vend, duke krijuar kushte të barabarta operimi dhe konkurrencë të shtuar në sektorin bankar, në përputhje me rekomandimet dhe praktikat ndërkombëtare.

BQK, në kuadër të mandatit të saj, do të monitorojë me kujdes proceset e përvetësimit dhe transformimit, duke siguruar realizimin e tyre në mënyrë efikase dhe të rregullt, me fokus të veçantë në mbrojtjen e depozituesve dhe klientëve bankarë. BQK mbetet e përkushtuar në avancimin e qëndrueshmërisë dhe konkurrencës në sektorin bankar, duke garantuar përputhshmërinë me standardet rregullatore dhe duke kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë së vendit.

BQK: Apple Pay tani e disponueshme edhe në Kosovë — një hap tjetër drejt digjitalizimit të pagesave Guvernatori i BQK-së priti në takim drejtoreshën e re të Bankës Botërore për Kosovë