Zëvendësguvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Dardan Fusha, mori pjesë si panelist në Javën Globale të Pagesave 2025, bashkë organizuar nga Grupi i Bankës Botërore dhe Banka Qendrore e Brazilit. Ngjarja mblodhi mbi 160 pjesëmarrës nga më shumë se 70 vende, përfshirë zyrtarë të lartë të bankave qendrore, institucione financiare ndërkombëtare dhe përfaqësues të sektorit privat.

Paneli i nivelit të lartë me titull “Ndërtimi i urave përmes një qasjeje rajonale për të avancuar agjendën globale për pagesat ndërkufitare” u moderua nga z. Massimo Cirasino, Këshilltar i Lartë në Grupin për Zhvillimin e Sistemeve të Pagesave në Bankën Botërore, i njohur për përvojën e tij të gjerë në themelimin dhe zbatimin e reformave të sistemeve globale të pagesave dhe zhvillimin e infrastrukturës financiare.

Sesioni u fokusua në mënyrat se si bashkëpunimi rajonal mund të mbështesë përpjekjet globale për të përmirësuar pagesat ndërkufitare në përputhje me Udhërrëfyesin e G20. Zëvendësguvernatori Fusha prezantoi përparimin e arritur në kuadër të dy nismave kyçe rajonale: Projekti për Modernizimin e Sistemeve të Pagesave i mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe Programi për Remitancat dhe Pagesat i financuar nga SECO, të dy këto të zbatuara me mbështetjen e Bankës Botërore.

Në fjalën e tij, z. Fusha theksoi përafrimin në rritje të rajonit me Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), përfshirë procesin në vazhdim për anëtarësimin e Kosovës dhe përfitimet që sjell në uljen e kostove, përfshirjen financiare dhe lehtësimin e tregtisë. Ai gjithashtu vuri në dukje rëndësinë e nismës për pagesa të shpejta TIPS Clone, sistem i zhvilluar nga Banka e Italisë me miratimin e BQE-së, e cila synon të ofrojë pagesa të shpejta në standardet e BE-së për tërë rajonin.

Z. Fusha nënvizoi rëndësinë e koordinimit rajonal për të adresuar sfidat e mbetura, si tarifat e larta për pagesa ndërkufitare, nevojën për shërbime shtesë ndërvepruese dhe qasjen në infrastrukturat e pagesave të BE-së. Kursimet vjetore potenciale të Kosovës nga anëtarësimi në SEPA vlerësohen në mbi 55 milionë euro, ndërsa infrastruktura e përbashkët rajonale, si TIPS Clone mund të përshpejtojë ndërtimin e një sistemi digjital efikas dhe gjithëpërfshirës.

Diskutimet prekën edhe tema tjera në fushën e pagesave, përfshirë ndërlidhjen ndërkufitare të sistemeve për pagesa të shpejta, përdorimin e inteligjencës artificiale për rritjen e sigurisë dhe luftimin e mashtrimeve, zhvillimet në teknologjinë blockchain, përdorimin e stablecoins dhe tokenizimin e aseteve, si dhe avancime tjera në sigurinë dhe digjitalizimin e transaksioneve. Sesioni u mbyll me theksimin e nevojës për të shmangur fragmentimin e sistemeve, me fokus ndaj nevojave të përdoruesve dhe për të forcuar bashkëpunimin publiko-privat në fuqizimin dhe zgjerimin e inovacioneve të qëndrueshme.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për modernizimin e sistemeve të pagesave, përafrimin me BE-në dhe integrimin rajonal, duke kontribuar në pagesa ndërkufitare më të shpejta, më të lira, më transparente dhe më gjithëpërfshirëse.

BQK mirëpret heqjen e Kosovës nga Lista e Bankës Botërore për Vendet në Situata të Brishtësisë dhe Konfliktit (FCS/FCV): Rezultat i angazhimit të vazhdueshëm dhe koordinimit ndërinstitucional Publikimi i statistikave për BQK-në (Pasqyra, Bilanci i Gjendjes dhe Asetet Rezervë) për muajin qershor 2025