Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, zhvilloi një takim zyrtar me Kryetarin e Bordit të Autoritetit Evropian të Përmbylljes së Bankave (Single Resolution Board – SRB), z. Dominique Laboureix, dhe Anëtaren e Bordit dhe Drejtoreshën për Zhvillimin dhe Koordinimin e Politikave të Përmbylljes, znj. Karen Braun-Munzinger, në selinë e Autoritetit Evropian të Përmbylljes së Bankave në Bruksel.

Gjatë takimit, Guvernatori Ismaili prezantoi zhvillimet më të fundit në sektorin financiar të Kosovës, duke theksuar iniciativat kryesore të BQK-së për forcimin e stabilitetit financiar, reformimin e mbikëqyrjes bankare, modernizimin e infrastrukturës së pagesave dhe kornizën për mbrojtjen e konsumatorit, si dhe themelimin e funksionit të Përmbylljes në përputhje me legjislacionin e BE-së. Ai gjithashtu paraqiti një përditësim mbi procesin e para-aplikimit për anëtarësimin në SEPA dhe progresin në zbatimin e një sistemi të pagesave në kohë reale në bashkëpunim me Banca d’Italia.

Diskutimet u përqendruan në forcimin e bashkëpunimit për të harmonizuar kornizën rregullative dhe mbikëqyrëse të Kosovës me standardet e Bashkimit Evropian. Fokus i veçantë iu kushtua stabilitetit financiar, përmbylljes së bankave dhe mbrojtjes së konsumatorit, duke theksuar ndërtimin e kapaciteteve dhe harmonizimin ligjor në fushën e përmbylljes së bankave, në përputhje me praktikat më të mira të BE-së.

Guvernatori Ismaili shprehu mirënjohjen për mundësinë e realizimit të këtij takimi të parë të nivelit të lartë dhe mirëpriti gatishmërinë e SRB-së për të mbështetur Kosovën për zhvillimin e kornizës së përmbylljes. Ai rikonfirmoi përkushtimin e BQK-së për të forcuar bashkëpunimin në zhvillimin e një rregullative prudente, praktikave të shëndosha të tregut dhe mekanizmave adekuate për mbrojtjen e konsumatorit.

BQK mbetet e përkushtuar për bashkëpunim të ngushtë me institucionet e BE-së me qëllim të harmonizimit të kornizës rregullative dhe integrimit të mëtejshëm në sistemin financiar evropian.

Guvernatori Ismaili pritet në Paris nga drejtues të lartë të Bankës së Francës dhe nënshkruan Marrëveshje Bashkëpunimi Publikimi i statistikave për BQK-në (Pasqyra, Bilanci i Gjendjes dhe Asetet Rezervë) për muajin prill 2025