Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, zhvilloi një takim të nivelit të lartë me z. Tobias Adrian, Krye Financier dhe Drejtor i Departamentit për Tregjet Monetare dhe të Kapitalit (MCM) në Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN), gjatë vizitës së tij zyrtare në Washington, D.C., pas përfundimit të Takimeve Pranverore 2025 të FMN-së dhe Bankës Botërore.

Gjatë takimit, Guvernatori Ismaili dhe z. Adrian diskutuan mbi zhvillimet aktuale ekonomike globale dhe patën një dialog konstruktiv mbi bashkëpunimin e shkëlqyeshëm dhe të vazhdueshëm ndërmjet BQK-së dhe Departamentit MCM të FMN-së. Diskutimi nënvizoi rëndësinë e qëndrueshmërisë makro-financiare, avancimit rregullativ dhe zhvillimit të kuadrove moderne për sektorin financiar të përshtatura për nevojat në ndryshim të Kosovës.

Guvernatori Ismaili shprehu mirënjohje të thellë për ekspertizën teknike dhe mbështetjen e vazhdueshme të ofruar nga z. Adrian dhe ekipi i tij, të cilat kanë kontribuar ndjeshëm në forcimin e sistemit financiar të Kosovës, rritjen e kapaciteteve rregullative dhe përmirësimin e qeverisjes institucionale.

Takimi rikonfirmoi angazhimin e përbashkët për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë në fusha si mbikëqyrja e bazuar në rrezik për sektorin financiar, parapërgatitja për rastet e krizave, siguria kibernetike dhe zbatimi i standardeve me te mira ndërkombëtare. BQK dhe MCM diskutuan gjithashtu mundësitë e ardhshme për zgjerimin e programit të bashkëpunimit teknik në mbështetje të zhvillimit afatgjatë të sektorit financiar në Kosovë.

BQK mbetet e përkushtuar për të punuar ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë FMN-në, në ndërtimin e një sistemi financiar të qëndrueshëm, gjithëpërfshirës dhe të gatshëm për të ardhmen, që mbështet rritjen ekonomike dhe stabilitetin makroekonomik.

Guvernatori Ismaili merr pjesë si panelist në Forumin Ekzekutiv të Thesarit të Bankës Botërore Guvernatori Ismaili takohet me Presidentin e Bankës Botërore, z. Ajay Banga për të forcuar bashkëpunimin strategjik