Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, i shoqëruar nga Zëvendësguvernatorja znj. Nesrin Shileku-Shala dhe bashkëpunëtorë, gjatë vizitës zyrtare në Washington D.C., zhvilloi një takim me Drejtorin e Departamentit Evropian në Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN), z. Alfred Kammer.

Gjatë takimit, Guvernatori Ismaili e informoi z. Kammer mbi zhvillimet më të fundit në sektorin financiar të Kosovës, duke përfshirë progresin në avancimin e kornizës ligjore dhe rregullative me synim forcimin e qëndrueshmërisë dhe integritetit të sistemit financiar. Ai gjithashtu prezantoi zhvillimet makroekonomike dhe progresin në implementimin e reformave strukturore, në përputhje me Planin Strategjik të BQK-së.

Z. Kammer vlerësoi progresin e arritur nga BQK në ruajtjen e stabilitetit financiar dhe theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet FMN-së dhe Kosovës, sidomos në fushat që ndihmojnë zhvillimin ekonomik dhe forcimin e funksionimit të sistemit financiar.

Guvernatori Ismaili vuri në dukje përfundimin me sukses të dy instrumenteve kyçe të bashkëpunimit me FMN-në – Marrëveshjes Stand-By (SBA) dhe Instrumentit për Reziliencë dhe Qëndrueshmëri (RSF) – të cilat kanë kontribuar ndjeshëm në zbatimin e reformave fiskale dhe strukturore, si dhe në ruajtjen e stabilitetit ekonomik të vendit.

Në diskutim u trajtuan gjithashtu masat konkrete të ndërmarra nga BQK për të fuqizuar kapitalizimin dhe reziliencën e sektorit bankar, në kontekstin e zhvillimeve të reja ekonomike dhe gjeopolitike globale.

Guvernatori Ismaili shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të FMN-së nëpërmjet asistencës teknike dhe programeve të ndryshme, të cilat kanë ndihmuar në forcimin e kapaciteteve institucionale të BQK-së.

Në përfundim, të dyja palët riafirmuan përkushtimin për të vazhduar bashkëpunimin në funksion të përmbushjes së objektivave të përbashkëta për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe ruajtje të stabilitetit financiar në Kosovë.

Guvernatori Ismaili merr pjesë në tryezën për Sistemet e Pagesave në Ballkanin Perëndimor, në kuadër të Takimeve Pranverore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore në Washington D.C. Guvernatori Ismaili merr pjesë në takimet për Perspektivën Ekonomike të Evropës dhe për takimin për themelimin e Qendrës së FMN-së për Asistencë Teknike në Evropën Juglindore