Dr. Ahmet Ismaili

Dr. Ahmet Ismaili

Dr. Ahmet Ismaili është Guvernator i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK) dhe njëkohësisht Kryesues i Bordit Ekzekutiv. Me një karrierë gati 20-vjeçare në fushën e bankave dhe financave, Dr. Ismaili ka mbajtur pozita të larta drejtuese dhe ka arritur rezultate të rëndësishme në industrinë financiare dhe sektorin publik. Përvoja e tij profesionale prej 12 vitesh përfshin industrinë financiare, veçanërisht sistemin bankar dhe sektorin e sigurimeve, duke mbajtur role të ndryshme profesionale, deri në nivelin më të lartë drejtues (si Drejtor i Përgjithshëm dhe Anëtar i Bordit) në institucione financiare bankare vendore dhe ndërkombëtare.

 

Në një mandat të plotë 5-vjeçar, Dr. Ismaili ka shërbyer si Drejtor i Përgjithshëm i Thesarit të Republikës së Kosovës, në kuadër të Ministrisë së Financave (MF). Gjithashtu, ai ka pasur funksione të tjera publike, si Drejtor Menaxhues dhe Anëtar i Bordit në institucionin e pavarur Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE). Më parë ka qenë edhe Anëtar i Bordit dhe i Komitetit të Auditimit në Fondin për Sigurimin Shëndetësor (FSSH).

 

Dr. Ismaili ka përfunduar doktoratën në Universitetin e Prishtinës në fushën e bankave dhe financave. Ai ka qenë i angazhuar për rreth 8 vite si ligjërues në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës dhe universitete të tjera të akredituara në Kosovë, duke dhënë mësim në nivelet Bachelor dhe Master për lëndë të fushës bankare dhe financiare.

 

Në rolin e tij si Guvernator, Dr. Ismaili kryeson Bordin Menaxhues të Fondit për Sigurimin e Depozitave (FSDK) dhe përfaqëson Republikën e Kosovës në Bordin e Guvernatorëve të Fondit Monetar Ndërkombëtar (IMF) dhe si Guvernator Alternativ në Grupin e Bankës Botërore (WBG).

Zyra e Guvernatorit

Zyra e Guvernatorit përbëhet nga këshilltarët dhe asistentët dhe zyrtar tjerë profesional konform nevojave dhe specifikave të detyrave të kësaj njësie organizative. Kabineti i Guvernatorit e mbështet organizimin dhe realizimin e agjendës së Guvernatorit, si dhe është përgjegjës për koordinimet relevante me zëvendësguvernatorët dhe anëtarët e tjerë të lartë të personelit. Kabineti i Guvernatorit po ashtu komunikon rregullisht dhe bashkëpunon ngushtë me njësitë e tjera organizative të BQK-së, sa i përket çështjeve të rëndësishme operacionale dhe administrative.

Funksionet e Zyrës së Guvernatorit

  • Asistimin dhe këshillimin e Guvernatorit lidhur me çështje të përgjithshme dhe të veçanta;
  • Mbikëqyrjen e çështjeve/detyrave specifike të vendosura nga Guvernatori dhe sigurimin e implementimit të tyre;
  • Përcjelljen dhe mbështetjen e njësive organizative, që janë nën mbikëqyrje të drejtpërdrejtë të Guvernatorit;
  • Komunikimin dhe bashkëpunimin me njësitë relevante organizative të BQK-së në bazë të kërkesës së Guvernatorit;
  • Përkujdesjen për punë sekretarie dhe logjistike lidhur me angazhimet e përditshme të Guvernatorit brenda dhe jashtë BQK-së;
  • Rishikimin e materialeve të ndryshme nga brenda dhe nga jashtë BQK-së të cilat i adresohen Guvernatorit;
  • Mbajtjen e dosjeve dhe dokumenteve të rëndësishme që Guvernatori i pranon ose i dërgon.

Departamentet e Guvernatorit