Bazuar në kompetencat dhe përgjegjësitë e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, që rrjedhin nga neni 36 dhe 67 i Ligjit për BQK-në, si dhe në pajtim me nenin 16, nenin 99, nenin 100 dhe nenin 124 të Ligjit për Sigurimet, në takimin e mbajtur më datë 26 prill 2019, Bordi Ekzekutiv i BQK-së ka marrë Vendim që Kompanisë së Sigurimit “Insig” SH.A., Dega Kosovë, t’i revokohet Licenca nr. 003 e datës 25 mars 2002, e lëshuar nga Autoriteti Bankar dhe i Pagesave të Kosovës (BPK), paraardhëse ligjore e BQK-së. 

Kompania e Sigurimit  “Insig” SH.A., Dega Kosovë, ka pasur vështirësi financiare në përmbushjen e kërkesave ligjore të BQK-së për sa i përket mjaftueshmërisë së kapitalit dhe aftësisë paguese – Solvencës. 

Në funksion të përmirësimit të gjendjes financiare dhe përmbushjes së kërkesave ligjore dhe rregullative, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, përkatësisht Bordi Ekzekutiv i BQK-së në pajtim me legjislacionin në fuqi, në mënyrë të vazhdueshme ka bërë përpjekje për të sanuar gjendjen financiare të Kompanisë së Sigurimit “Insig” SH.A., Dega Kosovë. 

Megjithatë, përkundër gatishmërisë dhe përpjekjeve të BQK-së, Bordi dhe Menaxhmenti i Siguruesit nuk ka arritur t’i përmbushë kërkesat ligjore dhe përmirësimin e gjendjes financiare të Kompanisë. 
Në të njëjtën kohë, Aksionari i Kompanisë së Sigurimit “Insig” Dega Kosovë nuk ju ka përgjigjur kërkesave të BQK-së për rritjen e kapitalit dhe arritjes në pajtueshmëri me kërkesat ligjore në fuqi. 

Mungesa e gatishmërisë së Aksionarit për të plotësuar kërkesat e kapitalit ka vënë në rrezik serioz kapacitetet e Kompanisë për të përmbushur detyrimet ndaj të siguruarve dhe kreditorëve të tjerë.
Prandaj, me qëllim të mbrojtjes së policëmbajtësve dhe me qëllim të parandalimit të rritjes së ndikimit negativ në tregun e sigurimeve dhe në sistemin financiar në përgjithësi, BQK-ja duke u bazuar në detyrat dhe përgjegjësitë që dalin nga Ligji për BQK-në dhe Ligji për Sigurimet, ka marrë vendim për revokimin e licencës së Kompanisë.

BQK-ja ka hapur procedurat e likuidimit të detyrueshëm, sipas Kapitullit 18 të Ligjit nr. 05/L-045 për Sigurimet duke emëruar Likuidatorin, i cili do të drejtojë Kompaninë e Sigurimit në Likuidim “Insig” dhe do të sigurojë trajtim të drejtë dhe të barabartë, gjithmonë në pajtim me kërkesat ligjore në fuqi, ndaj të gjithë kreditorëve. Me emërimin e Likuidator, pushojnë të gjitha përgjegjësitë e Administratorit, të Bordi Drejtues dhe Menaxhmentit të Kompanisë në raport me menaxhimin e Kompanisë. 

Likuidatori do të jetë në dispozicion të shqyrtimit të të gjitha kërkesave,  në radhë të parë të policëmbajtësve, si dhe kreditorëve të tjerë. Likuidatori do të raportojë në baza mujore në BQK lidhur me mbarëvajtjen e përmbushjes së detyrimeve ndaj kreditorëve. Në të njëjtën kohë likuidatori gjithashtu do të njoftojë më detajisht të gjithë kreditorët dhe palët e tjera me interes lidhur me mënyrën e komunikimit dhe do të siguroj kontakte të telefonit, emailit dhe lokacionin për paraqitjen e të gjitha kërkesave të policëmbajtësve dhe kreditorëve të tjerë. 

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës  udhëzon të gjithë policëmbajtësit dhe kreditorët e tjerë që të përcjellin njoftimet në ditët në vijim nga Likuidatori dhe BQK-ja lidhur me udhëzimet mbi procesimin e kërkesave që kanë në raport me Kompaninë e Sigurimit në Likuidim “Insig”. 

BQK-ja, në pajtim me detyrat dhe përgjegjësitë e caktuara nga Ligji për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës dhe ligjet tjera përkatëse që rregullojnë veprimtarinë e institucioneve financiare, do të vazhdojë aktivitetet e saj për të siguruar përputhje të plotë të veprimtarisë së institucioneve financiare me kërkesat e përcaktuara nga ligjet dhe rregulloret në fuqi. Ruajtja e aftësisë së institucioneve financiare për të përmbushur detyrimet financiare ka një rëndësi shumë të madhe për ruajtjen e stabilitetit financiar në vend, që paraqet edhe objektivin primar të BQK-së. 

Prandaj, me qëllim të ruajtjes së stabilitetit financiar dhe mbrojtjes së shfrytëzuesve të shërbimeve financiare, BQK-ja mbetet e përkushtuar që të shfrytëzojë të gjitha mundësitë ligjore për të siguruar mbarëvajtjen e aktivitetit të sistemit financiar në vend, duke i siguruar ekonomisë së vendit një sistem financiar në funksion të zhvillimit dhe stabilitetit makroekonomik, si dhe një sistem që ofron siguri për të gjithë shfrytëzuesit e shërbimeve financiare.

Revokimi i licencës së Kompanisë së Sigurimit “Insig” nuk rrezikon qëndrueshmërinë e sektorit të sigurimeve në Kosovë. Sistemi financiar i Kosovës, që nga fillimi i funksionimit të tij, ka pasur një zhvillim të qëndrueshëm dhe ka shërbyer si burim i rëndësishëm i stabilitetit makroekonomik në vend. 

Në vitet e fundit, kemi një përshpejtim të rritjes së aktivitetit pothuajse në të gjithë komponentët e sistemit financiar, përderisa edhe treguesit e performancës dhe qëndrueshmërisë kanë shënuar përmirësim të mëtejmë. Për sa i përket sektorit të sigurimeve në veçanti, aktiviteti i këtij sektori po vazhdon të rritet, përderisa masat rregullative dhe mbikëqyrëse të ndërmarra nga ana e BQK-së kanë rezultuar në një performancë financiare pozitive të këtij sektori, pas një periudhe mjaft të gjatë me humbje. 

Prandaj, ne zotohemi që do të vazhdojmë me ndërmarrjen e të gjitha masave që i parasheh ligji në mënyrë që në tregun tonë të lejojmë operimin e vetëm atyre institucioneve financiare që janë të afta t’i kontribuojnë zhvillimit të mëtejmë të sistemit financiar dhe ekonomisë së vendit, si dhe t’i kontribuojnë fuqizimit të mëtejmë të stabilitetit financiar. 

Vendimet e Bordit të BQK-së më 25 prill 2019 Vendimet e Bordit Ekzekutiv të BQK-së 26 prill 2019
Skip to content