Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti dhe Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti kanë përuruar zyrat shtesë të BQK-së.

Guvernatori Mehmeti tha se përurimi i këtyre zyrave po bëhet në 30 vjetorin e deklaratës së 2 Korrikut që ishte edhe pikënisje për përpjekjet për pavarësinë dhe forcimin e shtetit të Kosovës.

“Sektori financiar vazhdimisht është në rritje, prandaj kjo detyrimisht na imponon nevojën që t’i rritim kapacitetet e Bankës Qendrore. Nga sot këto zyra janë funksionale dhe mundësojnë që stafi i BQK-së të ketë kushte më të mira të punës dhe krejt kjo falë mirëkuptimit, bashkëpunimit dhe përkrahjes së kryetarit të Komunës së Prishtinës. Gjithashtu, shfrytëzoj rastin ta falënderoj edhe Kuvendin Komunal që ka përkrahur iniciativën e Kryetarit”, deklaroi Guvernatori Mehmeti.

Nga ana tjetër, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti shprehu kënaqësinë për këtë projekt ku përmes investimeve i është rritur vlera objektit.

“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës është një prej institucioneve më të rëndësishme për neve dhe ka qenë diskutim gati 3 vjeçar me kërkesën që së pari të ndërtohet një kat në Bankën Qendrore, për çka edhe kemi formuar një komision me Fakultetin e Arkitekturës dhe me ekspert që kanë rekomanduar që të mos bëhet edhe një kat për shkak se do t’ia ndryshonte pamjen njërit prej objekteve që është më së shumti i paraqitur nëpër fotografitë e Prishtinës. Atëherë ne kemi shkuar me zgjidhjen tjetër që është pronë e Komunës së Prishtinës, ku ka qenë e vendosur për vite të tëra Drejtoria e Infrastrukturës dhe kemi vendosur që objekti që ka qenë me shumë probleme t’ia ofrojmë Bankës Qendrore të cilët edhe ia kanë rritur vlerën objektit të Komunës së Prishtinës sepse kjo ndërtesë nuk mbetet më vetëm një kthinë e errët me plotë probleme, po mbetet reprezentative sikur që është edhe BQK-ja”, deklaroi Kryetari Ahmeti.

Numri i stafit që do të vendoset në këto zyra do të jetë 60, ndërsa vlera e investimeve të bëra arrin në shumën e mbi 500 mijë eurove.

Guvernatori Mehmeti uron SHBA-të për Ditën e Pavarësisë, 4 Korrikun BQK do ta ndihmojë Qeverinë e Kosovës në lehtësimin e procesit të tërheqjes së 10% të kursimeve pensionale nga qytetarët
Skip to content