Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovë, Fehmi Mehmeti, ka prezantuar Raportin vjetor të BQK-së për vitin 2019 para anëtarëve të Komisionit për Buxhet dhe Transfere.

Guvernatori Mehmeti bëri të ditur se në vitin 2019, borxhi publik ishte 19.7%, derisa rritja ekonomike ka qenë 4.9%.

Nga ana tjetër, kreditë joperformuese shënuan nivelin më të ulët ndonjëherë prej 2 përqind. Zhvillime pozitive kishte edhe në sektorin pensional, ku kthimi në investime ishte 8 për qind, duke ndikuar kështu që të rikuperohet edhe kthimi negativ që ishte regjistruar në vitin 2018.

Guvernatori Mehmeti, ndër të tjera tha se kreditimi mbetet një prej faktorëve kryesorë në rritjen ekonomike, derisa kërkoi mbështetjen e deputetëve për gjetjen e një zgjidhjeje për tejkalimin e situatës sa i përket adresimit të mijëra lëndëve të sektorit bankar, të cilat po presin nëpër gjykata.

Gjithashtu, Guvernatori Mehmeti shtoi se BQK-ja edhe në vitin 2019 ka vazhduar angazhimet e saj në avancimin e kapaciteteve të saja profesionale, si dhe harmonizimin e kornizës rregullative me praktikat dhe standardet bashkëkohore ndërkombëtare.

Ndërkaq, Zëvendësguvernatori i BQK-së, Sokol Havolli, ka bërë të ditur se bazuar në rishikimet e bëra në BQK dhe që të njëjtat së shpejti do të jenë të qasshme për publikun, projeksionet e fundit për rënien ekonomike në Kosovë për këtë vit arrijnë në -7.2%.

Pas prezantimit të raportit, deputetët shtruan pyetje për numrin e të punësuarve, licencat e institucioneve mikrofinanciare, mbikëqyrjen e bankave e shumë çështje tjera, të cilat kanë të bëjnë me kompetencat e BQK-së.

Anëtarët e këtij komisioni ofruan mbështetje për BQK-në në realizimin e disa ndryshimeve siç është Ligji për bankat, çështja e institucioneve mikrofinanciare, si dhe gjetja e një zgjidhjeje të përbashkët për kartonin e gjelbër.

Pas debatit, Raporti vjetor i BQK-së u mbështet nga shumica e komisionit dhe u procedua për shqyrtim në seancë plenare. Ndërkaq, propozimi që Guvernatori i BQK-së të raportojë edhe në seancë plenare nuk u përkrah nga ana e komisionit.

Guvernatori Mehmeti fton bizneset greke të rritin investimet në Kosovë BQK dhe MASH nënshkruajnë Marrëveshje të Mirëkuptimit
Skip to content