Deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan Raportin e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës për vitin 2019. Votimi i Raportit Vjetor vjen pas miratimit të tij në Komisionin për Buxhet dhe Transfere.

Raporti  i vitit 2019 pasqyron zhvillimet ekonomike, ato te sektorit financiar  dhe trendet zhvillimore në vend. Mes tjerash, raporti shpalos se ekonomia e Kosovës shënoi rritje prej 4.2 përqind, që njëkohësisht është më e larta në vendet e Ballkanit Perendimor. Kjo rritje u mbështet kryesisht nga përmirësimet në eksportet neto, ku rritja reale e eksportit të mallrave dhe shërbimeve për 10.0 përqind dhe ngadalësimi i rritjes së importit të mallrave dhe shërbimeve në 4.2 përqind rezultoi në përmirësimin e deficitit tregtar (mallra dhe shërbime) për 2.4 përqind në terma real.

Sektori bankar vazhdoi me rritjen e kreditimit dhe në të njëjtën kohë të mbajë nivele të larta të likuiditetit dhe mjaftueshmërisë së kapitalit gjatë vitit 2019.Kreditë joperformuese shënuan nivelin më të ulët të regjistruar ndonjëherë në Kosovë në vetëm 2 përqind. 

Sektori i institucioneve mikrofinanciare dhe atyre financiare jobankare gjithashtu ka vazhduar të ketë një ndikim të rëndësishëm në kreditimin e ekonomive familjare dhe bizneseve të vogla.

Në këtë sektor rritja vjetore e kredive ishte 20.5 përqind dhe niveli i kredive joperformuese ishte vetëm 2.6 përqind. 

Sektori pensional vazhdoi të zgjerojë bazën e kontributeve të arkëtuara, përderisa kthimi në investime në vitin 2019 shënoi rritjen më të lartë, që nga viti 2009 në 8.9 përqind duke rikuperuar kthimin negativ të investimeve në vitin 2018 prej -5.3 përqind.

Sektori i sigurimeve vazhdoi të ketë një përmirësim që evidentohet me rritjen e shfrytëzimit të produkteve të sigurimeve në ekonominë tonë. 

Besueshmëria e konsumatorëve të shërbimeve financiare është një parakusht për një sistem financiar të shëndoshë.

BQK-ja mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve dhe ka vazhduar që me prioritet të lartë të trajtojë këtë fushë, duke shqyrtuar me kujdes të gjitha ankesat e konsumatorëve dhe të avancojë edukimin financiar të publikut. 

BQK-ja ka një rol kyç në sigurimin e stabilitetit financiar dhe ka ndikim në parametrat kyçë të zhvillimit ekonomik.

Për të arritur këtë BQK me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë ka vazhduar me avancimin dhe zhvillimin e kapaciteteve të saj teknike dhe njerëzore, si dhe harmonizimin e kornizës rregullative me praktikat dhe standardet e vendeve të zhvilluara. 

Për BQK-në viti 2019 ishte i veçantë, për faktin se shënoi 20 vjetorin e themelimit të BQK-së.

Njoftim për anulim të konkurseve Guvernatori Mehmeti dhe Ambasadori Weidinger pajtohen për thellim të bashkëpunimit
Skip to content