bqk-ifjb-kredi-lizing-faktoring-1024x683

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Ahmet Ismaili priti në takim drejtuesit e institucioneve financiare jobankare me aktivitet kredidhënës, lizing dhe faktoring, ku diskutuan lidhur me zhvillimet, sfidat dhe perspektivën e zhvillimit të tregut në vend.

Rishikimi i kornizës ligjore dhe rregullative dhe avancimi i modelit të biznesit me qëllim të zgjerimit të ofrimit të produkteve në funksion të qasjes gjithëpërfshirëse në shërbim të qytetarëve, konkurrueshmërisë dhe efikasitetit, ishin pjesë e diskutimit.

Po ashtu, në takim është biseduar edhe për rritjen e cilësisë në qeverisjen korporative, kriteret për emërimin e pozitave kyçe, kufizimet në rrezikun e koncentrimit dhe financimit me kushte të përballueshme.

Disa nga këto kërkesa ligjore do të jenë pjesë e ligjit të ri në proces për institucionet (mikro) financiare jobankare me aktivitet kredidhënës, i cili përveç tjerash do të mundësojë edhe profilizimin dhe konsolidimin e institucioneve financiare, duke standardizuar licencimin, mbikëqyrjen dhe rregullimin e tyre.

Në fund, Guvernatori Ismaili përcolli mesazhin dhe pritjet e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës nga institucionet financiare jobankare me aktivitet kredidhënës, lizing dhe faktoring, në respektim të legjislacionit dhe praktikave të shëndosha të bërjes biznes, në funksion të stabilitetit dhe mbështetjes së ekonomisë, si objektiva të BQK-së.

Publikohen statistikat e BQK-së (pasqyra dhe bilanci i gjendjes) tetor 2023 Guvernatori Ismaili pritet në takim nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani