Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili me ekipin e tij priti në takim anëtarët e Bordit të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (Trusti), të prirë nga Kryesuesi i Bordit, z. Emanuel Bajra, i shoqëruar nga znj. Mimoza Mustafa, z. Trim Shala si dhe z. Shpresim Vranovci, me të cilët bisedoi lidhur me aktualitetet në sektorin financiar si dhe perspektivën afatmesme dhe afatgjate të sistemit financiar të vendit.

Në këtë takim, Guvernatori Ismaili shpalosi pjesë të planit të tij për zhvillimet e ardhshme në fushën e sektorit financiar, mbikëqyrjes financiare, sistemit të pagesave, tregjet e kapitalit dhe të edukimit financiar.
Kryetari i Bordit të FKPK e njoftoi Guvernatorin për aktivitetet dhe planet, me theks tek perspektiva zhvillimore, nevojën për ndryshime legjislative dhe të qeverisjes.

Gjatë këtij takimi u diskutuan edhe mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit ndër-institucional që lidhen me shkëmbimin e informacionit dhe pritjeve e perspektivave të tregjeve financiare, aspektin e rangimit kreditor të investitorëve, normat e kthimit të pritura, bazuar në objektivat e sigurisë së investimit dhe praktikat më të mira prudente.

Theksi në këtë takim u vendos në kornizën e shkëmbimit të informacionit në baza periodike dhe sipas nevojës, aspekteve të likuiditetit si dhe menaxhimit të aseteve dhe detyrimeve, me rastin e investimit të rezervave dhe mjeteve të kursimeve, nga të dyja institucionet.
Palët u pajtuan që të formalizojnë bashkëpunimin edhe në këtë aspekt, për një vendimmarrje të bazuar në të dhëna dhe modele, gjithnjë në respekt të plotë dhe pa ndikim në kërkesat e rregullativës dhe mbikëqyrjes në pajtim me legjislacionin e aplikueshëm.

BQK dhe AIP bashkërendojnë veprimet për sigurinë dhe ruajtjen e të dhënave të qytetarëve të Republikës së Kosovës Guvernatori Ismaili takoi Grupin Punues të Komisionit për Ekonomi për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Tregti me Jashtë