Guvernatori Ismaili pas anëtarësimit të BQK-së në Programin RAMP të Thesarit të Bankës Botërore: Kjo Marrëveshje shënon progres të rëndësishëm në marrëdhëniet tona institucionale

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili ka nënshkruar me Zëvëndëspresidentin e Bankës Botërore dhe njëherësh Drejtor i Thesarit, z. Jorge Familiar, Marrëveshjen për anëtarësimin e BQK-së në Programin e Partneritetit për Këshillimin dhe Menaxhimin e Rezervave (RAMP) me Thesarin e Bankës Botërore (BB).

Guvernatori Ismaili pas nënshkrimit të kësaj Marrëveshjeje, ka thënë se me anëtarësimin e BQK-së në këtë program është arritur një progres i rëndësishëm në marrëdhëniet ndërmjet Republikës së Kosovës me Grupin e Bankës Botërore.

“Kjo Marrëveshje shënon një progres të rëndësishëm në marrëdhëniet e bashkëpunimit në mes të Grupit të Bankës Botërore dhe Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës. Jemi të lumtur që po anëtarësohemi në Programin RAMP dhe po ashtu që jemi banka e parë qendrore të cilave iu ofrohet kjo mundësi e re e Marrëveshjes për anëtarësim”, është shprehur Guvernatori Ismaili.

Sipas Guvernatorit Ismaili, anëtarësimi në Programin “Reserve Advisory and Management Partnership” (RAMP) do t’i mundësojë BQK-së, që të përfitojë nga ekspertiza e BB-së dhe të fuqizojë kapacitetet e saj në menaxhimin e mjeteve dhe rezervave.

“Për më tepër, ky anëtarësim do t’i mundësojë BQK-së të përfitojë nga eksperienca e gjerë e Bankës Botërore në menaxhimin e rezervave dhe do të na ndihmojë që t’i fuqizojmë kapacitetet tona në fusha tjera të ndërlidhura”, ka potencuar i pari i BQK-së, gjatë takimeve vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe BB-së në Marakesh.

Ndërsa, Zëvëndëspresidenti dhe Drejtori i Thesarit të Bankës Botërore, Jorge Familiar ka theksuar se e mirëpret anëtarësimin e BQK-së në Programin RAMP.

“Kemi nderin të mirëpresim Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës si anëtarin më të ri të Programit RAMP që mbështetet nga Fondi i Mirëbesimit”, theksoi Zëvëndëspresidenti Familiar.

“Si menaxhuesi më i madh i aseteve në komunitetin e zhvillimit, me vlerë të aseteve prej mbi 82 miliardë dollarë nën menaxhim, Banka Botërore është e përkushtuar të avancojë menaxhimin e aseteve publike në mbarë botën. Gjithashtu jemi të kënaqur nga bujaria e Agjencisë Norvegjeze për Bashkëpunim Zhvillimor (NORAD), e cila do të lejojë Programin RAMP të zgjerojë ndikimin e tij botëror”, përfundon ai.

Guvernatori Ismaili pas anëtarësimit të BQK-së në Programin RAMP të Thesarit të Bankës Botërore: Kjo Marrëveshje shënon progres të rëndësishëm në marrëdhëniet tona institucionale

Funksioni i menaxhimit të aseteve luan një rol kyç në stabilitetin afatgjatë të BQK-së dhe ky program do të kontribuojë në avancimit e këtij funksioni përkitazi me objektivat e institucionit më të lartë financiar në Republikën e Kosovës.
BQK-ja është banka e parë qendrore, të cilës i ofrohet kjo formë e re e anëtarësimit e krijuar së fundi, e mbështetur përmes Fondit Shumëpalësh të Mirëbesimit (Multi-Donor Trust Fund) të mundësuar nga Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (BNRZH), pjesë e Grupit të BB-së.

RAMP është themeluar më 2001, që i ofrohet bankave qendrore dhe institucioneve të kualifikuara nga BNZHR-ja. Programi është dizajnuar për të ngritur kapacitetet dhe ekspertizën për institucionet përfituese në fushën e menaxhimit të mjeteve dhe fushat e tjera të ndërlidhura, si menaxhimi i rrezikut, raportimit financiar, teknologjisë informative si dhe të aspektit ligjor.

Deri më tani nga Programi RAMP, mbi 100 institucione publike dhe banka qendrore janë këshilluar në këtë fushë dhe mbi 5,000 punonjës publik dhe ekspert të menaxhimit të mjeteve janë trajnuar me praktikat më të mira botërore.

Guvernatori Ismaili takon Zëvendësministrin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti Guvernatori Ismaili takon zyrtarët e lartë të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë