bqk-objekti-1024x683

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) njofton siguruesit, kompanitë ligjore të auditimit dhe të gjitha palët e përfshira të interesit, lidhur me shtyrjen e afatit të zbatimit të Standardit Ndërkombëtar të Raportimit Financiar (SNRF) 17 “Kontratat e Sigurimit” në Republikën e Kosovës. Ky njoftim bazohet në vendimin e Këshillit të Kosovës për Raportim Financiar (KKRF), të datës 07.12.2023.

Zbatimi i SNRF 17 “Kontratat e Sigurimit” do të jetë në fuqi për periudhën e raportimit vjetor që fillon më datën 1 janar 2026. Megjithatë, faza përgatitore dhe plani i veprimit nga siguruesit duhet të përfshijë aktivitete dhe veprime konkrete duke filluar nga viti 2024, drejt përgatitjes për zbatimin e plotë të këtij standardi deri në fund të vitit 2025.

SNRF 17 është standard i avancuar i raportimit financiar që zbatohet nga siguruesit dhe institucionet e ngjashme financiare, me efekt material në sigurimin e transparencës dhe informacionit të besueshëm për tregun dhe përdoruesit e tjerë të informacionit financiar dhe si i tillë ka ndikim të madh dhe të rëndësishëm në mënyrën se si maten, njihen dhe raportohen kontratat e sigurimit.

SNRF 17 e zëvendëson SNRF 4 apo standardin e mëparshëm që rregullonte kontratat e sigurimit.

BQK në kuadër të mandatit të saj mbikëqyrës të mbështetur në Ligjin Nr. 03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës dhe Ligjin Nr. 05/L -045 për Sigurimet merr parasysh kompleksitetin e zbatimit të kërkesave SNRF 17 “Kontratat e sigurimit”, implikimet e pritura, dhe nevojën e përgatitjes nga ana e siguruesve. Në këtë drejtim, vlerëson se sigurimi i implementimit cilësor të SNRF 17 është thelbësor dhe me efekt të gjithmbarshëm edhe në sigurimin e një sistemi transparent, të qëndrueshëm, efikas dhe konkurrues të sektorit të sigurimeve.

Në këtë funksion, çështja e implementimit të SNRF 17 “Kontratat e sigurimit”, është shqyrtuar dhe trajtuar në frymën e kapaciteteve ekzistuese të siguruesve drejt nevojës dhe detyrimit të zbatimit cilësor të këtij standardi, efekteve në proceset dhe resurset ekzistuese mbikëqyrëse, prej nga është konstatuar që ka bazë të arsyeshme për propozimin dhe kërkesën për shtyrje të afatit të zbatimit të SNRF 17 për tri vite, respektivisht të jetë efektiv për periudhat e raportimit vjetor që fillojnë më datën 1 janar 2026.

Procesi i shtyrjes së afatit të zbatimit të SNRF 17 është konkluduar pas harmonizimit të qëndrimeve ndërmjet BQK-së dhe Këshillit të Kosovës për Raportim Financiar (KKRF) për shtyrjen e zbatimit të SNRF 17 “Kontratat e Sigurimit” në Republikën e Kosovës.

BQK ndan çmimet për esetë më të mira në garën “Kursej me mençuri – investoj në të ardhmen time” Guvernatori Ismaili shpalos para medieve prezantimin vjetor për vitin 2023