IMG_7834-1-1024x683

Sipas kalendarit të publikimeve, BQK publikoi statistikat e bilancit të pagesave (BP) për muajin nëntor 2023:

https://bqk-kos.org/statistikat/serite-kohore

Bilanci i pagesave deri në fund të nëntorit 2023 u karakterizua me një deficit të llogarisë rrjedhëse në vlerë prej 703.1 milionë euro, i cili tregon një përmirësim prej 13.4% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar (812.0 milionë euro ishte deficiti deri në nëntor 2022). Në zvogëlimin e deficitit të llogarisë  rrjedhëse gjatë kësaj periudhe kanë ndikuar pozitivisht kryesisht llogaria e shërbimeve dhe të ardhurave dytësore.

Bilanci tregtar në mallra deri në nëntor 2023 kishte deficit në vlerë 4.16 miliardë euro, që është për 7.5%  më i lartë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Eksporti për këtë periudhë është zvogëluar  për 6.3% dhe arriti vlerën në 804 milionë euro (858.2 milionë euro ishte deri në nëntor 2022). Ndërsa, importi i mallrave shënoi rritje prej 5% duke arritur vlerën 4,968.9 milionë euro (4,734.3 milion euro ishte deri në nëntor 2022).

Llogaria e shërbimeve, e cila vazhdimisht ka bilanc pozitiv, deri në nëntor 2023 arriti vlerën 1,525.6 milionë euro, e cila është për 20.1% më e lartë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022 .

Të ardhurat parësore deri në nëntor 2023 shënuan bilanc pozitiv prej 133.2 milionë euro, e cila në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kishte vlerën 90.8 milionë euro. Kjo paraqet një rritje të theksuar apo rreth 46.7% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Të ardhurave dytësore mbetet kontribuuesi kryesor në zbutjen e deficitit të llogarisë rrjedhëse. Deri në nëntor 2023 kjo llogari shënoi rritje prej 5.9% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022, duke arritur vlerën 1,803.1 milionë euro (1,703.2 milionë euro ishte deri në nëntor 2022).

Remitancat janë kategoria kryesore në kuadër të ardhurave dytësore, vlera e të cilave deri në nëntor 2023 shënoi 1,215.5 milionë euro, që paraqet rritje prej 110.8 milionë euro ose 10% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

Asetet në llogarinë financiare deri në nëntor 2023 ishin  760.3 milionë euro. Ndërsa, detyrimet financiare kanë shënuar vlerën prej 1,090.6 milionë euro, duke rezultuar në bilanc negativ prej 330.3 milionë euro.

Investimet direkte në Kosovë deri në fund të nëntorit 2023 ishin 761.1 milionë euro (682.8 milionë euro ishin deri në nëntor 2022), përderisa investimet direkte jashtë Kosovës shënuan vlerën 183.1 milionë euro (159.5 milionë euro deri në nëntor 2022).

Investimeve në letra me vlerë jashtë vendit, pa përfshirë letrat me vlerë në kuadër të aseteve rezervë, deri në nëntor 2023 janë rritur për 418.8 milionë euro.

Investimet tjera në Kosovë (investimet në depozita, kredi dhe në kredi tregtare) deri në fund të nëntorit  2023 ishin 329.5 milionë euro (318.1 milionë euro ishte deri në nëntor 2022), përderisa investimet tjera jashtë Kosovës deri në fund të nëntorit 2023 ishin 5.2 milion euro (79.4 milionë euro ishte deri në nëntor 2022). Si rezultat i ndryshimit në këtë pozicion, bilanci i investimeve të tjera deri në fund të nëntorit 2023 shënoi vlerë negative prej 324.3 milionë euro.

Asetet rezervë deri në nëntor 2023 janë rritur për 313 milionë euro, ndërsa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak rritja ishte për 238.8 milionë euro.

Guvernatori Ismaili priti delegacionin e Bankës Qendrore Evropiane Hyn në fuqi Rregullorja për përfshirjen e të gjithë qytetarëve në tregun financiar