bqk_fiks_01-1024x768

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës është në proces të avancimit të kornizës rregullative dhe mbikëqyrëse dhe infrastrukturës në fushën e shërbimeve të pagesave digjitale dhe sektorit të FinTech-ut, ka deklaruar zëvendësguvernatori për operacione bankare, z. Dardan Fusha në ceremoninë e themelimit të FinTech Kosova (FIKS).

Zëvendësguvernatori Fusha në fjalën përshëndetëse theksoi se digjitalizimi i vazhdueshëm i shërbimeve financiare krijon mundësi për shërbime financiare më efikase, më të qasshme dhe më gjithëpërfshirëse duke promovuar kështu edhe zhvillimin ekonomik të vendit.

“Aplikimi i teknologjisë digjitale në fushën e shërbimeve financiare, apo siç njihen edhe FinTech-ët, janë duke bërë ndryshime të mëdha në formën dhe mënyrën e ofrimit të shërbimeve financiare, procese këto që u përshpejtuan gjatë situatës së pandemisë COVID-19”, theksoi Zëvendësguvernatori Fusha.

“Sektori i FinTech-ve ka kaluar nëpër një rritje të jashtëzakonshme gjatë viteve të fundit, duke ndryshuar sistemet e pagesave dhe bankingun tradicional në shumë vende. Në Kosovë, deri tani, janë licencuar katër institucione financiare jobanka në fushën e pagesave digjitale dhe tri institucione ekzistuese kanë zgjeruar aktivitetin e tyre, si rezultat i ndryshimeve rregullative bazuar në standardet e BE-së, për të mundësuar operimin e FinTech-ve dhe shërbimet inovative në tregun vendor”, shtoi Zëvendësguvernatori Fusha.

Sipas Zëvendësguvernatorit Fusha, në vitet e fundit, ekosistemi i FinTech-ve ka pasur një zgjerim të hovshëm në Republikën e Kosovës.

“Ekosistemi i FinTech-ve në 2-3 vitet e fundit në Republikën e Kosovës ka pasur zgjerim, gjë që ka bërë të mundshme tërheqjen e investimeve për kompanitë vendore dhe të huaja, kryesisht në shërbimet e pagesave dhe transfereve ndërkombëtare me vlerë të vogël, përfshirë edhe remitencat. BQK ka shfaqur gatishmëri për të avancuar në ndërtimin e një ambienti miqësor për zhvillimet dhe inovacionin, ku shumë prej FinTech-ve e shohin edhe si mundësi për t’u zgjeruar në tregun e Ballkanit Perëndimor”, ka potencuar Zëvendësguvernatorit Fusha.

bqk_fiks_04-1024x768

Zëvendësguvernatori për Operacione Bankare ka shtuar se sistemi financiar i Republikës së Kosovës është duke pasur një ndryshim të shpejtë në fushën e inovacionit dhe migrimit drejt pagesave dhe shërbimeve digjitale. 

“BQK si rregullator por edhe katalizator është e përcaktuar, që të zgjerojë mundësitë dhe të adaptojë rregullat dhe praktikat më të mira ndërkombëtare, që mundësojnë ofrimin e shërbimeve të reja digjitale për bizneset dhe konsumatorët. Shërbimet financiare të mundësuara nga këto zhvillime teknologjike janë duke u rritur vazhdimisht nga bankat, por edhe nga FinTech-ët dhe institucionet e reja financiare jobanka”, tregoi Zëvendësguvernatori për Operacione Bankare në BQK.

Mirëpo, Zëvendësguvernatori Fusha solli në vëmendje se këto përfitime duhet të peshohen me kujdes edhe ndaj rreziqeve të reja që vijnë nga ofrues të shërbimeve tërësisht digjitale, sidomos rrezikut nga sulmet kibernetike dhe keqpërdorimi i të dhënave.

Në këtë drejtim, institucionet financiare të licencuara nga BQK, në funksion të avancimit të sistemit të pagesave dhe ngritjes së cilësisë dhe efikasitetit të shërbimeve të pagesave për klientët e tyre, inkurajohen që:

  • Të investojnë në infrastrukturë dhe ngritin kapacitet njerëzore;
  • Të avancojnë politikat, procedurat dhe proceset e menaxhimit të rreziqeve që të sigurojnë vazhdimësinë e biznesit, si dhe konfidencialitetin dhe integritetin e informacionit kur kontraktojnë shërbime nga palët e jashtme;
  • Të adresojnë rreziqet kibernetike përmes bashkëpunimit të ngushtë me BQK-në dhe autoritetet shtetërore përgjegjëse për sigurinë kibernetike në nivel shtetëror; dhe
  • Të shtojnë vëmendjen për pronësinë e jashtme dhe prejardhjet e fondeve të klientëve dhe investitorëve të mundshëm, përmes mekanizmave të vëzhgimit (Investor’s Screening Mechanism), duke pasur parasysh edhe rreziqet aktuale gjeostrategjike. 

Lidhur me projektet në funksion të përmirësimit të shërbimeve ndaj qytetarëve, Zëvendësguvernatori Fusha potencoi se BQK-ja është në proces të investimit në ngritjen e kapaciteteve infrastrukturore dhe burimeve njerëzore. Gjithashtu BQK-ja është e angazhuar:

  • Të zhvillojë dhe krijojë mundësitë për qasjen në sistemin e pagesave të ofruesve të shërbimeve jobankare, për rritjen e konkurrueshmërisë pas mundësimin e posedimit të IBAN-it, për të rritur qasjen në financa, në kuadër të konceptit të ri të “llogarisë për pagesa”;
  • Të zhvillojë infrastrukturën teknike për mundësimin e pagesave të shpejta 24/7, krijimin e QR Kodit kombëtar dhe standardizimin e API për ndërlidhjen e sistemeve;
  • Të avancojë kornizën rregullative dhe mbikëqyrëse për fushën e parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, lidhur me shërbimet e pagesave dhe transfereve; dhe
  • Të fuqizojë Këshillin Kombëtar të Pagesave në nivel të vendit, ku së fundi është mbajtur takimi me anëtarësinë e zgjeruar të këshillit duke përfshirë edhe përfaqësuesit e IFJB-ve. 

“Këto zhvillime do të ndikojnë në fuqizimin e mbikëqyrjes së FinTech-ve, për çfarë BQK ka themeluar funksionin e veçantë për mbikëqyrjen e sistemeve të informacionit dhe rrezikut kibernetik për institucionet financiare, funksionin për mbikëqyrjen e praktikave të ofrimit të shërbimeve nga institucionet financiare, si dhe fuqizimin e edukimit financiar, si mjet për trajtimin korrekt dhe të drejtë të kërkesave që rrjedhin nga shërbimet e tilla”, potencoi Zëvendësguvernatori Fusha.

Në fund, Zëvendësguvernatori Fusha inkurajoi që institucionet financiare të licencuara nga BQK-ja, në funksion të avancimit të sistemit të pagesave dhe ngritjes së cilësisë dhe efikasitetit të shërbimeve të pagesave për klientët e tyre, të rritin bashkëpunimin me fokus krijimin e interoperabilitetit ndërmjet sistemeve dhe shërbimeve të tyre, si dhe harmonizimin dhe standardizimin e mënyrës së komunikimit dhe shkëmbimit të dhënave dhe mesazheve financiare.

BQK uron Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit BQK-ja dhe AKK-ja takohen për çështje të konkurrencës në sektorin financiar