bqk-fmn_mission-1024x516

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Z. Ahmet Ismaili, i shoqëruar nga ekipi i tij, mirëpriti sot Misionin vizitues të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), të udhëhequr nga Z. Sebastian Sosa – Shef i Misionit dhe Përfaqësues rezident Rajonal për Kosovë dhe i shoqëruar nga ekipi i tij, për rishikimin e dytë të Marrëveshjes Stand-By (SBA) dhe Programit për Reziliencë dhe Qëndrueshmëri (RSF).

Në takim u theksua bashkëpunimi ndërmjet BQK-së dhe FMN-së për të ngritur kapacitetet institucionale dhe për të zbatuar rekomandimet nga marrëveshjet, duke fuqizuar kështu stabilitetin makroekonomik dhe qëndrueshmërinë financiare.

Duke shprehur mirënjohjen e tij për ndihmën teknike të ofruar nga Misioni i FMN-së për ngritjen e kapaciteteve institucionale në BQK, Guvernatori Ismaili theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm në avancimin e progresit institucional duke marrë parasysh sfidat me të cilat përballet ekonomia e Republikës së Kosovës.

Diskutimet gjatë këtij takimi u përqendruan rreth perspektivës dhe projeksioneve makroekonomike për Kosovën, progresin e bërë në zbatimin e rekomandimeve të dala nga marrëveshjet e SBA-së dhe RSF-së, si dhe gjetjen e mundësive për asistenca të reja teknike.

Guvernatori Ismaili shpjegoi progresin e bërë në zbatimin e rekomandimeve, si dhe finalizimin e Projektligjit për Bankat. Gjithashtu, Guvernatori i BQK-së theksoi zhvillimet e reja lidhur me perspektivën ekonomike dhe ndryshimin e kornizës ligjore.

Misioni i FMN-së përshëndeti kompletimin e Bordit Ekzekutiv të BQK-së dhe përgëzoi BQK-në në progresin e bërë për fuqizimin e kornizave dhe kapaciteteve institucionale. Misioni përsëriti përkushtimin e tij për të mbështetur qëndrueshmërinë ekonomike të Kosovës.

Ky Mision do të qëndroj në Kosovë nga data 18 deri më 27 mars, gjatë së cilit ekipi i FMN-së do të angazhohet me ekzekutivin dhe personelin e BQK-së, për të vazhduar vlerësimet dhe diskutimet për forcimin e kapaciteteve dhe kornizës institucionale të BQK-së.

Vendimet e Bordit të BQK-së më 3 shkurt 2023 BQK nënshkruan Marrëveshjen e Bashkëpunimit në fushën e Edukimit Financiar me përfaqësuesit e sektorit financiar në kuadër të Javës Ndërkombëtare të Parasë