cbk-fed_nyc-1024x641

Një delegacion i nivelit të lartë i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), kryesuar nga Guvernatori z. Ahmet Ismaili, Zëvendësguvernatori z. Fusha, Koordinatorja për Bashkëpunim Ndërkombëtar znj. Abazi dhe Shefi i Kabinetit z. Zyfliu është takuar në Washington D.C. për diskutime konstruktive, me zyrtarë të lartë të Bankës së Rezervës Federale (Banka Qendrore e SHBA-së) të New York-ut, të udhëhequr nga z. Matthew Nemeth, Zëvendëspresident dhe Drejtor i Shërbimeve të Llogarive të Klientit dhe z. Phatak, Drejtues i Politikave dhe Strategjive Ndërkombëtare me ekipin e tyre. Takimi kishte për qëllim mirënjohjen dhe forcimin e bashkëpunimit mes dy bankave qendrore.

Në takimin e zhvilluar me ekipin e FED-it të New York-ut, delegacioni i BQK-së nënvizoi bashkëpunimin e frytshëm ndërmjet dy bankave qendrore, duke përfshirë programet e ngritjes së kapaciteteve në mbështetje direkte që nga themelimi i BQK-së.

Veçanërisht, delegacioni potencoi përgjegjësinë e BQK-së në menaxhimin e të gjitha rezervave në Dollarë Amerikan (USD) me Rezervën Federale dhe theksoi rëndësinë e marrëdhënieve bankare korrespondente ndërmjet dy institucioneve.

Guvernatori Ismaili shprehi përkushtimin e BQK-së për të mbajtur lidhje të forta me FED-in, duke njohur rolin e saj kryesor në asistencën e menaxhimit të rezervës ndërkombëtare dhe partneriteteve strategjike, duke përfshirë praktikat më të mira për të luftuar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit.

Këto angazhime vënë në pah përkushtimin e BQK-së për të nxitur partneritete të qëndrueshme me akterët kryesorë ndërkombëtarë, duke avancuar më tej misionin e institucionit për promovimin e stabilitetit financiar dhe ndikimin e qëndrueshëm në ekonomi, pasi ne vlerësojmë partneritetin strategjik ndërmjet dy kombeve dhe institucioneve.

Ky takim dypalësh, është mbajtur gjatë qëndrimit të delegacionit të BQK-së në Washington D.C., për takimet pranverore me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN), Bankën Botërore (BB), si dhe institucionet kryesore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës forcon partneritetet botërore: Takime produktive në Washington D.C. me udhëheqësit e Grupit të Bankës Botërore Delegacioni i BQK-së i kryesuar nga Guvernatori Ismaili takohet me zyrtarë të nivelit të lartë të Bankës Botërore dhe merr pjesë në diskutimet në panelin për Pagesat Ndërkufitare