bqk-ask-1024x683

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili me bashkëpunëtorë ka pritur në takim pune Ushtruesin e Detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), Z. Avni Kastrati.

Guvernatori Ismaili e njoftoi z. Kastratin për aktivitetet e BQK-së në funksion të realizimit të objektivave të saj dhe aktivitetet në proces lidhur me reformat në fushën e përpilimit të statistikave financiare dhe arritjet e rëndësishme në zhvillimin e statistikave të llogarive financiare.

Një vëmendje iu kushtua edhe projektit për Indeksin e Çmimeve të Patundshmërive që udhëhiqet nga ASK-ja e që mbështet nga BQK-ja, në kuadër të programit të Republikës së Kosovës me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Po ashtu, Guvernatori Ismaili dhe z. Kastrati diskutuan lidhur me përkushtimin për avancimin e përpilimit dhe raportimit statistikor nga standardi GDDS (General Data Dissemination System apo Sistemi i Përgjithshëm për Shpërndarjen e të Dhënave) në SDDS (Special Data Dissemination System apo Sistemi i Veçantë për Shpërndarjen e të Dhënave), avancim ky që po mundësohet edhe me përkrahjen e FMN-së. Guvernatori Ismaili e njoftoi të parin e ASK-së për zotimin e BQK-së për adaptimin e standardit SDDS, dhe se koordinimi ndër-institucional është i nevojshëm.

Në takim u diskutua lidhur me Marrëveshjen e re të Mirëkuptimit ndërmjet BQK-së, ASK-së dhe Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, e cila do të adresojë rolet dhe përgjegjësitë për përpilimin, shpërndarjen, shkëmbimin e të dhënave si dhe për të ofruar mbështetje reciproke me fokus në fushat kyçe në të cilat posedohet ekspertizë dhe qasje optimale në të dhëna.

Tutje gjatë këtij takimi, Guvernatori Ismaili dhe Z. Kastrati shprehën gatishmërinë që të zgjerojnë bashkëpunimin ndërmjet BQK-së dhe ASK-së në fushën e statistikave si në nivel të përgjithshëm, ashtu edhe për projekte specifike në funksion të avancimit të përpilimit dhe publikimit të të dhënave statistikore, me transparencë dhe shpalosje adekuate.

Në fund të takimit, Guvernatori Ismaili përgëzoi drejtuesin e ASK-së për përfundimin me sukses të regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave, duke potencuar rëndësinë që këto të dhëna sapo të publikohen do të kenë për politikat dhe vendimmarrjen e bazuar në të dhëna të tilla.

Publikohen statistikat e bilancit të pagesave për mars 2024 Vendimet e Bordit të BQK-së më 31 maj 2024