bqk-ask-mfpt_001-1024x686

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, nënshkroi Marrëveshjen e Mirëkuptimit me Agjencinë e Statistikave të Kosovës (ASK), përfaqësuar nga Ushtruesi i Detyrës së i Kryeshefit Ekzekutiv z. Avni Kastrati dhe Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT), përfaqësuar nga Ministri z. Hekuran Murati.

Përmes kësaj Marrëveshjeje, që përcakton rolet dhe përgjegjësitë e tri institucioneve nënshkruese, palët pajtohen të bashkëpunojnë në fushën e statistikave Makroekonomike dhe Financiare, duke shkëmbyer të dhënat që bien në përgjegjësinë e tyre me qëllim të zbatimit të standardeve ndërkombëtare më të larta për përpilimin dhe raportimin e statistikave. Rrjedhimisht, kjo Marrëveshje është një hap i rëndësishëm për përmirësimin e cilësisë dhe besueshmërisë së statistikave në nivel të vendit, duke qenë në harmoni me standardet ndërkombëtare, të cilat janë thelbësore për vendimmarrjen e informuar dhe për të mbështetur politikëbërjen ekonomike.

Njëkohësisht, nënshkrimi i këtij Memorandumit të Bashkëpunimit përbën një hap të rëndësishëm në përmbushjen e zotimeve të vendit ndaj rekomandimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për avancimin e mëtejshëm të përpilimit dhe raportimit statistikor, të diskutuara dhe dakorduara në takimet pranverore të FMN-së në Washingron D.C., gjatë takimit me kryestatisticienin, njëherësh drejtorin e Departamentit të Statistikave.

bqk-ask-mfpt_002-1024x683

Guvernatori Ismaili, në vijim të dakordimit ndërinstitucional, do të parashtrojë në FMN “Letrën e Interesimit” në nivel të vendit për avancimin e sistemit statistikor të Kosovës nga Sistemi i Përgjithshëm i Shpërndarjes së të Dhënave (GDDS) në Standardin e Veçantë të Shpërndarjes së të Dhënave (SDDS), si një standard më i avancuar, i cili promovon përmirësimin e kualitetit, transparencës dhe disponueshmërisë së informatave statistikore.

“Kjo Marrëveshje konkretizon përpjekjet e vazhdueshme të institucioneve për të avancuar në përpilimin, shpërndarjen, transmetimin dhe shkëmbimin e statistikave të vendit tonë sipas standardeve dhe praktikave më të mira ndërkombëtare. Njëkohësisht, përmes këtij bashkëpunimi synojmë t’i përmbushim udhëzimet statistikore ndërkombëtare, në mënyrë që të përpilojmë të dhëna cilësore që i shërbejnë analizave të avancuara dhe hulumtimeve ekonomike, si dhe vendimmarrjes së bazuar në evidenca”, theksoi Guvernatori Ismaili me rastin e nënshkrimit të këtij Memorandumi tre-palësh.

BQK-ja vazhdon të mbetet e përkushtuar në arritjen e standardeve më të larta të përpilimit dhe raportimit të të dhënave dhe transparencës, njëkohësisht duke përmbushur kështu zotimet e saj ndaj partnerëve ndërkombëtar dhe në arritjen e objektivave të parapara në Planin Strategjik 2024-2028.

Publikimi i statistikave të bankave komerciale për korrik 2024 Banka Qendrore e Republikës së Kosovës dhe Korporata Financiare Ndërkombëtare nënshkruajnë Marrëveshjen e Bashkëpunimit për avancimin e Shërbimeve Financiare Digjitale