cbk-eu_01-1024x603

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, priti në takim Ambasadorin e ri të Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, z. Aivo Orav. Gjatë takimit, Guvernatori Ismiali e informoi Ambasadorin Orav lidhur me zhvillimet kryesore në sektorin financiar, avancimin e kornizës ligjore dhe rregullative, Planin Strategjik, si dhe për qëndrueshmërinë dhe integritetin e sistemit financiar të vendit.

Në fillim të takimit, Guvernatori Ismaili e uroi Ambasadorin Orav për emërimin e tij në krye të Zyrës së BE-së, duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të BE-së ndaj sistemit financiar dhe ekonomisë së Kosovës, përmes programeve të shumta të mbështetjes financiare, përfshirë ato të siguruara nga institucionet e Bashkimit Evropian.

Gjatë takimit, Guvernatori Ismaili informoi Ambasadorin e BE-së për veprimet e ndërmarra nga BQK-ja në përgatitje për aplikimin e pritshëm për anëtarësim në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA), duke përfshirë hartimin e kuadrit të nevojshëm ligjor, në përputhje me standardet e BE-së.

Guvernatori Ismaili theksoi se angazhimi i BQK-së dhe koordinimi ndërinstitucional për integrimin në SEPA është i rëndësishëm për përmirësimin e infrastrukturës së pagesave, si dhe për përputhjen me standardet ndërkombëtare. Ai shtoi se ky është një hap thelbësor në procesin e integrimit financiar, duke sjellë rezultate konkrete që pasqyrojnë vlerat e përbashkëta ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës.

Gjithashtu, Guvernatori Ismaili shprehu falënderimin e BQK-së për institucionet e BE-së, të cilat vazhdojnë të mbështesin përpjekjet e BQK-së për të forcuar integritetin e sistemit financiar. Kjo përfshin mbështetjen që solli avancimin e legjislacionit për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, luftën kundër fenomenit të falsifikimit të parave dhe mundësinë e themelimit të Qendrës Kombëtare për Luftimin e Falsifikimit të Parave, si një qasje afatgjate ndaj kësaj sfide. Këto masa, ndër të tjera, kontribuuan në mbrojtjen e integritetit të valutës euro, e cila është një nga prioritetet ku BQK mbetet e fokusuar.

Ambasadori Orav deklaroi se BE-ja mbetet e përkushtuar për të mbështetur rrugën e Kosovës dhe BQK-në në përmbushjen e kushteve ligjore dhe teknike për anëtarësimin në SEPA dhe në Sistemet e Pagesave të BE-së, avancimi e kornizës ligjore në pajtim me standardet e BE-së si dhe për integrimin e Kosovës në mekanizmat relevante evropiane.

Në përfundim të takimit, palët rikonfirmuan përkushtimin për të forcuar bashkëpunimin në promovimin e qasjes në financa, integrimin financiar, stabilitetin dhe qëndrueshmërinë financiare të Kosovës.

Vendimet e Bordit të BQK-së më 30 shtator 2024 Zëvendësguvernatori Fusha në Punëtorinë Ndërinstitucionale rreth Standardeve të ESG-së: BQK e përkushtuar për adaptimin e një kornize adekuate rregullative dhe fuqizimin e kapaciteteve lidhur me vlerësimin dhe menaxhimin e rreziqeve të mjedisit dhe ESG-së për sistemin financiar