Dardan Fusha

Dardan Fusha

Dardan Fusha lindi me 16 qershor 1981. Ai kreu shkollën fillore dhe të mesme në vendlindjen e tij, në Podujevë. Në vitin 2006 diplomoi në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti Ekonomik, Drejtimi Menaxhment dhe Informatikë, ndërsa në vitin 2010 kreu studimet Master për të Drejtën Financiare, në Institutin për Drejtësi dhe Financa, Departamenti për Financa, Universiteti Goethe në Frankfurt, Gjermani. Në vitin 2019 përfundoi Programin për Lidership në Përfshirjen Financiare në Universitetin Tufts – The Fletcher School, në Boston Massachusetts, SHBA.

 

Z. Fusha filloi punën si ndihmës mbikëqyrës bankar në Bankën Qendrore në vitin 2006. Më vonë promovua në pozitën e analistit të lartë financiar dhe në vitin 2012 u caktua në pozitën e Udhëheqësit të Divizionit të Rregullativës në Departamentin e Licencimit dhe Metodologjisë. Gjatë kësaj periudhe, z. Fusha luajti një rol të rëndësishëm në zhvillimin e kornizës rregullativ edhe mbikëqyrëse për bankat. Në vitin 2017, u emërua Drejtor në Departamentin e Sistemit të Pagesave, në mbikëqyrjen e operacioneve të sistemit ndërbankar të pagesave dhe udhëheqjen e iniciativave dhe reformave kryesore rregullative në këtë fushë.

 

Ekspertiza e z. Fusha shtrihet edhe në rolin e tij si kryesues apo mbështetës në disa projekte të rëndësishme, të zhvilluara nga BQK me mbështetjen e Thesarit Amerikan, FMN-së BB-së, USAID, GIZ dhe organizata tjera ndërkombëtare, si adaptimi i Kornizës Rregullative për Kreditë Hipotekare Rezidenciale dhe Vlerësimin e Pronave të Paluajtshme, Mbrojtjen e Konsumatorit, Kornizës së Basel-it, Qeverisjes Korporative, përfshirë implementimin e Programit për Remitancat dhe Pagesat ende në proces, i financuar nga SECO në zbatim nga Banka Botërore, për avancimin e infrastrukturës ligjore dhe teknike.